E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha uron Hilari Klintonin për emërimin si Sekretare e Shtetit

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i dërgoi një telegram urimi Sekretares Amerikane të Shtetit, Hilari Rodham Klinton, me rastin e emërimit në detyrë. Duke i përcjellë përgëzimet për detyrën e re, në telegramin e ministrit Basha thuhet se “ne jemi dëshmitarë të marrëdhënieve të veçanta, të ngushta dhe miqësore ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë, duke nxitur dhe forcuar së bashku paqen, stabilitetin, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe begatinë. Ne jemi thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e SHBA-së dhe të vendosur që të punojmë mbi baza dy dhe shumëpalëshe për nxitjen e këtij partneriteti, për përparimin dhe forcimin e mëtejshëm të vlerave të përbashkëta demokratike. Zonja sekretare, emërimi Juaj vjen në një periudhë tejet të rëndësishme sfidash madhore. Shqipëria krenohet që është aleate e SHBA-së dhe është e gatshme të punojë aktivisht e së bashku në përballimin e këtyre sfidave globale dhe rajonale. Në planin rajonal, Shqipëria do të vazhdojë të rrezatojë stabilitet, moderacion dhe frymë konstruktive, duke kontribuar aktivisht në integrimin e Ballkanit në strukturat euroatlantike”, citohet telegrami i ministrit Basha. Ai vlerëson “ndihmesën e vyer dhe historike që ka dhënë populli amerikan, Ju, dhe në veçanti presidenti Klinton për Kosovën. Po ashtu, ne shqiptarët jemi plot mirënjohje të thellë për mbështetjen e SHBA-ve në realizimin e aspiratave tona kombëtare për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE”. Në telegramin e tij ministri i Jashtëm shqiptar e fton zonjën Klinton të zhvillojë një vizitë në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›