Basha viziton të afërmit e viktimave të aksidentit, i garanton për përkujdesje të plotë të qeverisë së kryeministrit Berisha

Të plagosurit, jashtë rrezikut për jetën- vazhdojnë në gjendje kome dy fëmijët e vegjël
Ministri i informoi familjarët se me porosi të kreut të qeverisë Berisha është përgatitur dhe do të miratohet nga Këshilli i Ministrave vendimi për mbështetjen financiare për familjet e viktimave të aksidentit
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha vizitoi dje familjet e disa prej viktimave të aksidentit tragjik në Fushë- Arrëz ku humbën jetën 14 persona. Basha ishte për vizitë ngushëllimi në familjet Paloka, Gjoni dhe Marku në Komunën Gjegjan të Pukës dhe tek familja Mustafa në Fushë-Arrëz. Duke u shprehur ngushëllimet në emër të Ministrisë së Brendshme, Basha siguroi familjarët e viktimave të aksidentit për mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave shtetërore për përballimin e humbjes së njerëzve të tyre të dashur. Familjarët e viktimave të aksidentit vlerësuan reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve të aksidentit tragjik dhe për t’i transportuar në spitalin ushtarak, si dhe përkujdesjen ndaj të plagosurve nga ana e personelit shëndetësor. Basha informoi familjarët e viktimave se me porosi të Kryeministrit Berisha është përgatitur dhe do të miratohet nga qeveria vendimi për mbështetjen financiare për familjet e viktimave të aksidentit.
Të plagosurit, jashtë rrezikut për jetën- vazhdojnë në gjendje kome dy fëmijët e vegjël Të aksidentuarit e dy ditëve më parë në aksin rrugor Fushë Arrëz-Rrëshen, janë jashtë çdo rreziku për jetën, me përjashtim të dy të miturve që vazhdojnë të jenë në gjendje kome. 10 të plagosurit, pasi kanë marrë përkujdesjen e veçantë të mjekëve specialistë në spitalin Ushtarak, kanë dhënë dje shenja të ndjeshme përmirësimi. Njëri nga të plagosurit ka dalë plotësisht nga gjendja e rrezikut dhe tashmë në reanimacion ndodhen 4 persona nga 5 që ishin një ditë më parë. është fjala për 15 vjeçaren Albiona Marku e cila i është nënshtruar një operacioni në zorrë i cili ka dalë me sukses. 5 të mbijetuarit e tjerë të tragjedisë së të shtunës kanë përmirësime të ndjeshme dhe nuk paraqesin shenja rreziku për jetën. Por, nga ana tjetër, gjendja e dy fëmijëve të vegjël në spitalin Ushtarak vazhdon të jetë e rëndë. Mjekët janë optimistë për një përmirësim të lehtë të tyre në ditët në vijim. Anisa Mustafa dhe Erikson Peraj ndodhen nën vëzhgimin e vazhdueshëm të një ekipi mjekësh, por ende nuk mund të thuhet se kur mund të dalin nga rreziku për jetën. “është një vajzë e vogël e familjes Mustafa, është në gjendje kome cerebrale. Ka qenë shumë rëndë në momentin që ka ardhur. Sot është më mirë. Sipas vlerësimit tonë mjekësor ka qenë në komë 4- pikëshe, sot është 5 pikë. Tregon që është më mirë. Erikson Pera është me dëmtime të pulmonit të majtë. është operuar natën e parë të traumës, por prapë është i sëmurë serioz. Ndiqen nga një ekip i përbërë nga mjekë të spitalit ushtarak dhe nga një specialist i senatoriumit”- deklaron kirurgu Sami Koçeku njëherazi zv/drejtor i spitalit Ushtarak.
...