Kryetarja e Kuvendit Topalli, lobim për njohjen e Kosovës

Konferenca Botërore e Kryetarëve të Parlamenteve në Gjenevë
Ka nisur në Gjenevë të Zvicrës në Pallatin e OKB-së, Konferenca e tretë Botërore e Kryetarëve të Parlamenteve. Në ditën e parë të Konferencës, ku marrin pjesë rreth 200 krerë parlamentesh e senatesh nga e gjithë bota, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e shfrytëzoi për të zhvilluar takime me krerët e parlamenteve europiane dhe Botërore. Qëllimi kryesor i takimeve veçanërisht me Kryetarët e parlamenteve të Afrikës dhe Amerikës Latine ishte lobimi për njohjen e Kosovës dhe shtimi i numrit të vendeve që do të njohin pavarësinë e saj.
Kryetarja e Kuvendit gjatë Konferencës u takua me Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, Kryetarin e Parlamentit të Gjermanisë Lammert, të Kinës Egjiptit, Kanadasë etj. Njohja e Kosovës ishte temë kryesore e takimeve që zonja Jozefina Topalli bëri edhe me krerët e parlamenteve të Uruguajit, Uzbekistanit, Gabonit, Paraguajit, Ruandës, Lesothos, Zimbabves, Santa Lucias, Kilit, Mozambikut etj.