E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha… vrasja e Azem Hajdarit dhe Berisha

Dr. Skënder Demaliaj

-Lulëzim Basha në fjalën e tij, kur shpalli kandidaturën për kryetar të PD-së tha se “unë do të mbështetem fort tek vizioni, kuraja dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe e qëndrestarëve të tjerë”. E vërteta është se Lulëzim Basha nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e studentëve të dhjetorit të vitit 1990, ashtu si edhe Sali Berisha, i cili i ka braktisur përfundimisht këto ideale. Dhjetoristët gjatë gjithë këtyre viteve, janë ndjerë të tradhtuar nga lidershipi i PD-së. E nga të gjithë, më shpejt e më shumë lideri i parë i PD-së, Azem Hajdari. Është e drejta e tij, e Lulëzim Bashës të përpiqet të marrë votat e mbështetësve të Azem Hajdarit, të cilët janë të shumtë në PD. Njësoj si mentori i tij, Berisha, që shfrytëzoi vrasjen e Azem Hajdarit për të marrë me dhunë pushtetin, më 14 shtator 1998, edhe Basha po bën përpjekje për të shfrytëzuar liderin e dhjetorit për t’u ulur në karrigen e kryetarit të PD-së. Pastaj në vitet në vazhdim për t’u ulur në kolltukun e kryeministrit. Demokratët e vërtetë nuk do të lejojnë askënd që të ngjitet në majën më të lartë të piramidës së pushtetit, duke shfrytëzuar emrin, veprën dhe gjakun e Azem Hajdarit. Në karrigen e kryetarit të PD-së Basha mund të ulet, se ka mbështetjen e Berishës, të familjes së tij, të klanit e të oborrit të tij... , por në atë të kryeministrit e ka të vështirë, se ka disa llogaridhënie më parë më drejtësinë: korrupsioni në rrugën Durrës-Morinë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Detit me Greqinë, vrasjen e 4 demonstruesve të pafajshëm, më 21 janar 2011, vjedhjen e votave për kryetar bashkie në Tiranë etj. Kur Azem Hajdari u vra, Berisha u betua se sapo të vijë në pushtet, ai dhe PD-ja do të zbardhnin vrasjen e tij..., por kaluan tetë vjet në qeverisje dhe asgjë nuk u bë, bile as nuk u zu më në gojë kjo çështje. E mbuloi pluhuri i madh i harresës. Varri i tij vazhdon të jetë në Sharrë si gjithë të tjerët edhe pse me dhjetëra e dhjetëra të rënë këto vite të qeverisjes së PDsë, prehen tashmë në Varrezat e Dëshmorëve. Vonë, shumë vonë u kujtuan për t’i bërë një monument poshtë, poshtë Qytetit të Studentit, në një vend krejt të papërshtatshëm dhe të realizuar dobët, shumë keq profesionalisht e artistikisht, vendosur në një platformë 20 cm mbi tokë (kur e shoh këtë shtatore, se monument nuk mund të quhet, më kujtohet monumenti i Ismail Qemalit, fshehur thellë në lulishte pak mbi tokë poshtë Kryesisë së Kuvendit, kurse monumenti i Ahmed Zogut, shumë më i madh, shumë më lart ngritur nga toka e në vendin më të mirë, më të bëshëm të kryeqytetit). Azem Hajdari doli në krye të demonstratës me kurajën, guximin dhe bindjen e tij për të fituar lirinë dhe demokracinë e vërtetë, ndryshe nga Sali Berisha, i dërguari i Ramiz Alisë në Lëvizjen Studentore. Azem Hajdari, disa herë me forcë e me zë të lartë ka thënë: “Unë nuk kam dalë në Lëvizjen e Dhjetorit nga zyrat e Ramiz Alisë”. Pikërisht pse ndodhi kjo gjë, midis Ramiz Alisë dhe Sali Berishës, demokracia, kjo foshnjë e brishtë, e dobët, e njomë në vitin 1990, si një fëmijë distrofik, i cili edhe pse rri për një kohë të gjatë në inkubator, nuk hodhi shtat e nuk konsolidua përfundimisht. Natyrshëm lind pyetja: Karrierën politike të kujt rrezikonte rritja e autoritetit dhe e forcës së Azem Hajdarit në PD pas viti 1997? A kishte Sali Berisha dijeni se po përgatitej vrasja e Azem Hajdarit dhe në qoftë se kishte, çfarë masash mori? Pse asnjëherë nuk pranoi të dëshmonte në organet e drejtësisë? Po Fatos Nano a kishte të dhëna nga strukturat e specializuara? Po SHIK-u dhe Ministria e Punëve të Brendshme a kishin informacione dhe si i trajtuan dhe i vlerësuan ato? A u interesonte të gjithë këtyre vrasja e Azem Hajdarit dhe a kishin mundësi ta parandalonin? Po Shërbimet inteligjente të vendeve fqinje, veçanërisht ato serbe a ishin në dijeni se po përgatitej vrasja e Azem Hajdarit dhe cilat ishin motivet që i shtynin ato për t’u realizuar kjo vrasje? Pra vrasja e Azemit është një ekuacion me shumë të panjohura, por që mund të zbardhet një ditë, po të ketë vullnet politik. I bën mirë demokracisë, e bën atë më të shëndetshme, i bën mirë stabilitetit politik dhe sigurisë në vend, nxjerr në shesh shumë mistere, prapaskena dhe intriga të politikës shqiptare. Tregon para opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar fytyrën e vërtetë të lidershipit të atyre viteve. Vrasja e tij nuk është ordinere, për larje hesapesh, siç u paraqit nga organet tona të drejtësisë, as për mitingun e prishur të Tropojës, në qershor të vitit 1997, as për prishje pazaresh në kontrabandën e armëve me Kosovën. Ajo është vrasje e pastër politike, për motive dhe interesa politike afatshkurtra e afatgjata. Si e tillë kjo zbardhet me instrumente politike dhe kërkon zgjidhje politike. Mazhoranca e majtë, krahas zbardhjes së tragjedisë së Gërdecit, të vrasjeve më 21 janar, të vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, të Kosta Trebickës, e të tjerë, do të bënte shumë mirë të zbardhte edhe këtë vrasje...Edhe pse nuk ka premtuar gjatë fushatës elektorale, siç bëri Berisha para tetë vjetëve.

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›