E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarë kemi, na mungon lidershipi

Afrim Krasniqi/publicist

-Siç ishte parashikuar ka nisur "gara" midis kandidatëve zyrtarë për kryetar në Partinë Demokratike. Nuk ishte zgjedhje publike, por fakt i kryer që vlen të konsiderohet, të monitorohet dhe të analizohet edhe si i tillë. Në “garë” janë dy emra publikë, dy politikanë me karrierë politike, dy ministra, dy kandidatë për kryetar bashkie në Tiranë, dy njerëz me prezencë në media dhe protagonistë në disa fushata elektorale, dy juristë dhe të dy në moshë të përafërt. Ata e kanë nisur me takime në çdo degë, rreth, bashki, etj.. Me idenë se po garojnë duke prezantuar programin e tyre. Për këtë investohen mijëra njerëz: media e militantë, zyrtarë qendrorë dhe lokalë, stafe ministrore e bashkiake, shumë prej të cilëve "detyrohen" të jenë prezent në 20 minutat e prezantimit pa pyetje. Ata ftohen, dëgjojnë, duartrokasin, bëjnë ndonjë foto dhe kaq. Çdo takim ka kosto financiare, megjithëse lajmi e pamja mbeten të njëjta. Në ndihmë të "garuesve" dhe atyre që në prapaskenë drejtojnë fushatën e tyre konkurruese, në ndihmë të procesit dhe interesit mediatik e politik, në ndihmë edhe të stinës së verës dhe transparencës publike - kam një propozim të thjeshtë: nuk ka nevojë për garë, as për salla, udhëtime, shpenzime, stafe, spote, dekor apo rivalitet mediatik. Mjafton që kandidatët të bëjnë dy gjëra: E para, të bëjnë një program të shkruar se cili është vizioni dhe pozicioni i tyre për politikën, për PD-në, për zgjedhjet që ikën, për humbjen, për demokracinë, ku ndahen e ku bashkohen me 22 vitet e SB... Më konkretisht, çfarë mendojnë ata për të partinë që duan ta drejtojnë, për anëtarët, për forumet, për votën e fshehtë, për statusin, për programin politik, për sistemin e meritës dhe karrierës politike, për deputetët, për dorëheqjen në rast humbjeje, për drejtimin me dy mandate, për rastet e korrupsionit brenda llojit, për aleancën e vjetër e të re me LSI-në, PAA-në apo deputetët prurje nga PS-ja, për aleancën e tanishme dhe zgjerimin e saj më 2015/2017, për defektet e qeverisjes dhe funksionimit politik, për zgjedhjen direkte të Presidentit, për referendumet, për sistemin gjyqësor, për korrupsionin e lartë, për politikanët biznesmenë, për të djathtën historike, për dosjet e komunizmit, për të përndjekurit politikë, për republikën apo monarkinë, për votën e emigrantëve, për shqiptarët në rajon, për SHBA-të dhe BE-në, për shtetin, pushtetin, qytetarët, kombin, taksat, borxhet, privatizimet... etj. Këto përgjigje janë thelbësore për një fillim të ri ose reformim politik. Ikja prej tyre është ikje prej realitetit, prej politikës, prej garës së vërtetë dhe prej përgjegjësive të sotme e të nesërme. E dyta, le të shmangin garën populiste dhe fiktive në rrethe, të kursejnë kohën e vet dhe sidomos të të tjerëve dhe të prenotojnë 2-3 debate publike televizive me media e gazetarë profesionistë, me ekspertë të politikës apo një moderator jashtë selisë politike. Në CDU, debate të tilla nuk bëhen në seksione, por në akademinë e KAS. Këtu nuk ka akademi politike apo mendim politik akademik. Gjithsesi, në rrethanat tona nuk ka rëndësi nëse bëhet në studio TV apo në auditor universitar, në sallën e mbyllur në PD, apo në kinoklubin “Studenti”. Rëndësi ka të ketë kulturë debati, të hiqet dorë nga monologu dhe të kalohet në dialog. Rëndësi ka që aty të flasin, të debatojnë e të shohim direkt dhe pa censurë apo kaseta -porosi se ku dallojnë nëse kanë dallim, çfarë mendojnë nëse kanë mendim, çfarë propozojnë nëse kanë ide, çfarë i bën favoritë nëse janë në garë, çfarë i bën të djathtë nëse janë të tillë, çfarë i ndryshon nga e majta dhe të tjerët nëse ka ndryshime. Gara për drejtimin e një partie nuk mund të trajtohet as formalisht si garë për drejtimin e një OJFje në fushën e barazisë gjinore apo kundër dhunës së familje. Gabim nëse do vijohet me shumë salla me njerëz dhe asgjë që të bën optimist,me fjalime boshe, shumë fjalë dhe asgjë konkrete, shumë fjali dhe asgjë që të mbetet në mendje! Politika kërkon akte, përmbajtje, përgjegjësi. Ndryshe nuk ka politikë, ka imitim të pjesës së saj më spekulative dhe populiste. Kryetar mund të emërohesh, mund të zgjidhesh, mund të punosh, por lideri dhe lidershipi kërkojnë cilësi të tjera, - përgjegjësi, aftësi, vizion, integritet, kurajë, transparencë, sens mase, përballje me sfidat, akte morale dhe sjellje institucionale...Cilësi që ende nuk i shohim as së bashku, as të ndara.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›