Si ta kuptojmë frymën e 23 qershorit?
Isa Reka/Nënkryetar i LSI-së, Shkodër
-Mënyra e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve tregon edhe kahun e lëvizjes së Shqipërisë. Prandaj u pritën me ankth. Ndodhi ajo që duhej. 23 Qershori përcaktoi më shumë se fituesin. Humbësi uroi pasardhësin, ndërsa ky i fundit e konsideroi fitoren një përgjegjësi historike. Shqiptarët i dhanë koalicionit të majtë votimin e cilësuar. Ky besim nuk u konsiderua nga e majta thjesht çështje numrash, por shumë më shumë: Besimi që i jepej asaj për ta bërë Shqipërinë atdheun që u sjell lumturinë të gjthëve. I është besuar vlerësimi i historisë, mirënjohja ndaj të gjithë shqiptarëve për çdo gjë që kanë bërë në shërbim të lirisë, demokracisë e progresit.
Është edhe kërkesa për t’u krijuar mundësinë historianëve ta shkruajnë historinë siç është. Është detyrimi për të vlerësuar të gjitha shtresat e shoqërisë, të gjitha grupet sipas statusit. Është detyrimi, në emër të demokracisë për ta bërë opozitën pjesë të të gjitha proceseve integruese dhe vendimmarrëse. Kjo frymë duhej kuptuar nga të gjithë. Mund të falen dritëshkurtrit që ishin kundër koalicionit dhe pehlivanët që gjatë zgjedhjeve punuan kundër, por jo pas 23 Qershorit.
Tani është kuptuar qartë se Rilindja, po të mos ecnim më shpejt, do të mbetej një pamflet, ndërsa po të ecnim shpejt, pa Rilindjen, do të përfun donim në theqafje. Janë shumë prapa në kohë dhe nuk kanë kuptuar koordinatat e hapësirës ku jetojnë kundërshtuesit e kësaj fryme. Shoqëria jonë do të ndërtohet e do të funksionojë tashmë mbi bazën e frymës së 23 Qershorit. Shteti do të ndërtohet mbi bazën e parimeve, rregullave, ligjeve e normave.
Mbi këtë bazë do të zhvillohen reformat në arsim, shëndetësi, do të zhvillohet industria, bujqësia, biznesi, infrastruktura etj.. Ndryshimet në administratë nuk mund të jenë një zëvendësim mekanik, por një proces në shërbim të qytetarëve. Jo vetëm që nuk do të largohen ata që u kanë shërbyer qytetarëve në përputhje me Ligjin e Kodin e Etikës, por do të mbështeten e vlerësohen. Kështu duhet të ndodhë në të gjitha rastet e të gjitha fushat, përndryshe mesazhi i 23 Qershorit do të mbetet vetëm një ese e bukur.
Kurse qytetarët do të shprehen se “ikën ata e erdhën këta, larguam një palë e erdhi një palë”. Ndërsa Shqipëria do të mbetet në vend. Nuk ka arsye që e majta e bashkuar, me vullnetin politik që po tregon, me potencialin e madh intelektual që zotëron, në respekt të idealeve e të brezave të kaluar, e brezit të sotëm, të dalë jashtë kësaj fryme. Në katër vite nuk mund të bëhen shumë gjëra, por mjaftojnë për t’i vendosur gjërat në drejtimin e duhur.