E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja ku jemi përfshirë të gjithë

Julian Assange/ themelues i WikiLeaks

-Aktivistët e parë, origjinalë, të përdorimit të kriptografisë në funksion të mbrojtjes së privatësisë (që këtej cypherpunks) ishin kryesisht libertarianë nga Kalifornia. Unë vija nga një traditë e ndryshme, por të gjithë ne, bashkoheshim në përpjekjen për të mbrojtur lirinë individuale nga tirania shtetërore. Kriptografia ishte arma jonë sekrete. Por është harruar tashmë sesa subversive ishte ajo. Kriptografia ishte në atë kohë pronë ekskluzive e shteteve, që gjente përdorim në luftëra të ndryshme. Duke shkruar software-in tonë dhe duke e shpërndarë atë nga të gjitha anët, ne e çliruam kriptografinë, e demokratizuam atë dhe e përhapëm përmes kufijve të internetit të sapo krijuar. Një kriptografi e fortë është një mjet jetik në luftën ndaj shtypjes shtetërore.

Ky është mesazhi që jap edhe në librin tim “Cypherpunks”. E ardhmja jonë nuk ndodhet vetëm në lirinë individuale. Gjatë ngritjes së WikiLeaks ne kemi parë evidenca sesi shtete të vogla janë detyruar, dominuar nga shtete më të mëdhenj, apo sipërmarrje të huaja, duke u imponuar atyre që të veprojnë kundër vetes. Kemi qenë dëshmitarë të faktit se, vullnetit popullor i është mohuar e drejta e shprehjes, zgjedhjet janë blerë dhe shitur, por edhe sesi pasuritë e vendeve si Kenia janë vjedhur dhe nxjerrë në ankandin e plutokratëve në Londër dhe New York. Beteja për vetëvendosje në Amerikën Latine është e rëndësishme për shumë më shumë njerëz sesa ata që jetojnë aty, sepse ajo i tregon pjesës tjetër të botës se mund të fitohet. Mbikëqyrja masive nuk është vetëm një çështje e demokracisë dhe qeverisjes- ajo është një çështje gjeopolitike. Mbikëqyrja, monitorimi i një popullsie të tërë nga një fuqi e huaj, natyrisht që është kërcënim për sovranitetin. Merrni në konsideratë faktet e thjeshta gjeografike.

Të gjithë e dinë se burimet e naftës përcaktojnë gjeopolitikën botërore. Fluksi i naftës përcakton se kush dominon, kush pushtohet dhe kush izolohet nga komuniteti botëror. Kontrolli fizik edhe mbi vetëm një segment të tubacioneve të naftës dikton një peshë të madhe gjeopolitike. Qeveritë që janë në pozicione të tilla mund të shkëpusin koncesione të jashtëzakonshme. Me një veprim të vetëm, Kremlini mund të dënojë Europën Lindore dhe Gjermaninë me një dimër pa ngrohje. Por edhe një projekt i Teheranit për ndërtimin e një naftësjellësi në Lindje, drejt Indisë dhe Kinës është një pretekst për të nxitur logjikën e angazhimit ushtarak në Washington.

Por lufta e madhe, më e reja, nuk është ajo e naftësjellësve. Është ajo e informimit mbi naftësjellësit, e kontrollit mbi rrugët e kabllove me fibra optike që kalojnë nën det dhe mbi tokë. Thesari i ri botëror është kontrolli mbi fluksin gjigant të të dhënave që lidh të gjitha kontinentet dhe qytetërimet, e që vendos komunikimin mes miliarda njerëzve dhe organizatave. Shumë qeveri të Amerikës Latine dhe ushtritë e tyre i sigurojnë sekretet me anë të hardware-ve të kriptuar. Këto janë kuti dhe software që regjistrojnë mesazhe dhe më tej i përcjellin ato në anën tjetër. Por kompanitë që shesin këto pajisje të shtrenjta kanë lidhje të ngushta me komunitetin e shërbimeve sekrete amerikane. CEO-t e tyre, apo edhe punonjësit më të vjetër, zakonisht janë matematikanë dhe inxhinierë nga NSA, duke kaluar në sektorin privat me kapitalizmin e shpikjeve që ata kanë bërë për të realizuar mbikëqyrjen shtetërore. Pajisjet e tyre shpesh, nxirren nga qarkullimi: me qëllim të caktuar. Nuk ka rëndësi kush i përdor ato dhe si.

Agjencitë amerikane sërish janë në gjendje të regjistrojnë sinjalin dhe mandej të lexojnë mesazhin. Këto pajisje u shiten vendeve të Amerikës Latine dhe vendeve të tjera si një mënyrë që ata të ruajnë sekretet e tyre, por në fakt kjo është një mënyrë për të vjedhur sekretet. Zbulimi i virusit “Stuxnet” dhe më pas viruseve “Duqu” dhe “Flame”-paralajmërojnë një erë të re në fushën e software-ve kompleksë me profil përdorimi ushtarak, të ndërtuar nga shtetet e fuqishme me synim sulmin ndaj shteteve më të dobët. Një herë e një kohë, përdorimi i viruseve kompjuterikë si armë ofensive njihej si mekanizmi komplotues në novelat fantastiko-shkencore. Tani ai është realitet global. Në vitet e fundit, infrastruktura e internetit e vendeve si Uganda është pasuruar nga investimet kineze direkte. Kredi të mëdha u janë dhënë vendeve të varfra në këmbim të kontratave të vendeve afrikane me kompanitë kineze që ndërtojnë infrastrukturën bazë të internetit që lidh shkollat, ministritë dhe komunitet me sistemin global të fibrave optike. Afrika po hyn Online, por me hardware që furnizohen nga një fuqi e huaj që aspiron të bëhet superfuqi.

A do të jetë interneti mjeti me të cilin Afrika do të mbahet nën kontroll edhe për shekullin e 21-të? A po kthehet Afrika edhe njëherë në një teatër konfrontimi mes fuqive globale? Këto janë vetëm disa nga rrugët kryesore në të cilat mesazhi i cypherpunk-ve tejkalon betejën për lirinë individuale.

Marrë me shkurtime nga "The Guardian"

Përktheu: Skerdilajd Zaimi


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›