Riprodhimi i Berishizmit
Nasho Bakalli/ Mësimdhënës universitar
-Çfarë ndodhi më 23 qershor 2013? PD-ja nuk humbi, ajo pësoi disfatë. Themi disfatë, sepse opozita fitoi 84 nga 140 vende në parlament. Çfarë duhet të bëjë PD-ja? Thonë se po reformohen. Sali Berisha hoqi dorë nga posti i kryetarit të partisë. Figura të nderuara në politikën shqiptare mendojnë se procesi i reformimit të PD-së duhet të jetë i matur, duhet të paraprihet me analiza etj. Problemi im, këtu, është një tjetër gjë të cilën po e shtroj në formë pyetje, dhe përpiqem t’i jap përgjigje. A ka PD-ja vlera politike të mjaftueshme për të përmbushur rilindjen e saj? A u kthyen kërkesat e shqiptarëve në qëllime politike të PD-së gjatë tetë viteve të fundit, kur ajo ishte në krye të qeverisjes së vendit? Jo. A kishte PD-ja një program pune? Mbase kishte! Dimë se Programi nuk bëhet realitet bazuar vetëm në dëshirën e mirë të subjektit politik qeverisës. Programi duhet të garantojë në praktikë ekzistencën e shtetit, dhe sigurinë kombëtare njerëzore, ekonomike, politike, ushtarake, mjedisore etj. Ne kurrë nuk patëm rastin, në këto 22 vitet e fundit, të ballafaqohemi me një vizion, me një frymë, me një manifest të PD-së, sikundër bëri PS-ja me programin për Rilindje. Mungesën e vlerave të vërteta politike mund ta mishërojmë edhe si mungesë të kulturës në PD. A shprehin vallë kulturë demokratike fakti që forumet qendrore të saj nuk kanë funksionuar prej 8 vitesh?! Hap pas hapi, PD-ja në qeverisje anashkaloi mirëqenien e popullit. Disfata e 23 qershorit 2013 sintetizon shkoqur, saktë, dhe prerë gjendjen dramatike të vlerave politike në PD. Pse rezulton e tillë kultura politike e kësaj partie? Sepse PD-ja lindi dhe u rrit si pasardhëse e pakorrigjueshme e PPSH-së. Dhe si e tillë qeveria Berisha vuri në plan të parë politikën “përça e sundo”, në tregun e lirë ekonomik dhe në administratën qendrore e vendore. PD-ja nuk e ndërtoi pushtetin e drejtësisë sociale, aq shumë të munguar në këtë vend, por ndërtoi pushtetin e individit mbi atë të qytetarëve. Ajo krijoi skemat financiare piramidale, trazirat e vitit 1997, zgjedhje të pandershme dhe të ndryra, Gërdecin, 21 janarin 2011, etj. Për të mos u zgjatur. Bazuar edhe në njoftimet më të freskëta nga selia e PD-së lidhur me reformimin e saj nëpërmjet ndërrimit të emrit të liderit të vjetër me një emër të ri - veprim që garanton vazhdimësinë e kulturës politike të liderit të vjetër - mund të themi pa droje se PD-ja nuk po tenton rilindjen e saj.