E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha zhvishet nga imuniteti, PDK kundër

Kundër heqjes së imunitetit ishin 12 vota që vinin nga radhët e PDK-së, Ngjelës dhe disa deputetëve të PD
TIRANË- Pas më shumë se 4 muaj debate mazhoranca ka "dorëzuar" dje ministrin e saj të Jashtëm, Lulëzim Basha, në duart e drejtësisë, duke pranuar që të "zhvishet nga petku" i imunitetit parlamentar. Me 107 vota pro dhe 12 kundra Kuvendi përmes një maratone të gjatë debatesh, që kanë vijuar në dy ditë, ka miratuar kërkesën që përmbante raporti i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për heqjen e imunitetit të deputetit Lulëzim Basha. 12 votat kundër dhe 4 abstenime, sipas përfaqësuesve opozitarë ishin pikërisht votat e demokristianëve apo edhe ndonjë deputeti të PD-së, si dhe Spartak Ngjelës, i cili deklaroi publikisht se e mbështeste politikisht Lulëzim Bashën. Votën e disa deputetëve të PDK kundër e kanë konfirmuar jo zyrtarisht edhe disa zëra të tjerë, për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes disa prej deputetëve dhe ministrit Basha.
Debate
Përpara se palët të arrinin në këtë pikë kanë replikuar ashpër dhe herë-herë deri në kapërcimin e një komunikimi të lejueshëm, për përmbajtjen e raportit të paraqitur nga Këshilli i Imuniteteve. Ka qenë pikërisht pretendimi i një dite më parë i mazhorancës, e cila kërkonte që heqja e imunitetit të Bashës të sanksionohej edhe me një vendim tjetër të Kuvendit, si një standard i përhershëm për çdo kërkesë tjetër të Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo sipas opozitës u konsiderua si e papranueshme, pasi një kërkesë e tillë nuk ishte përfshirë në raport, por edhe se miratimi i tij nuk do të kishte një fuqi ligjore. "Këshilli vendos nëse do i hapi rrugë kërkesës së prokurorit për heqjen e imunitetit ose jo, dhe për asgjë tjetër. Këtu nuk jemi mbledhur për të diskuar dhe vendosur për çështjen e imunitetit të 140 deputetëve të Shqipërisë",- u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Ndërkohë që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila është njëkohësisht dhe Kryetare e Këshillit të Imuniteteve, ka këmbëngulur se raporti i paraqitur për miratim ka qenë miratuar edhe nga përfaqësuesit e opozitës në këshill. "Në fund të raportit të Këshillit, ku bënit pjesë edhe ju si opozitë, në mënyrë unanime është vendosur që të hiqet imuniteti dhe i rekomandohet Kuvendit që të vendosë të njëjtin standard, sa herë që vjen një kërkesë nga prokurori", - u shpreh Topalli.
Tërheqja
Një pretendimi të tillë i është përgjigjur deputeti i LSI-së, Sabit Brokaj, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Imuniteteve, i cili ka deklaruar se kërkesa e dytë, që kishte të bënte me vendosjen e standardit, ishte në formën e rekomandimit dhe jo të një kërkese të Kuvendit, për rrjedhojë nuk mund të votohej. Ai ka ftuar mazhorancën që nëse vërtetë kishte vullnet për dorëzimin e imunitetit, të përgatiste një ligj, i cili të miratohej me konsensusin e të dyja palëve. Një qëndrim i tillë duket se ka zbutur situatën, pasi kryeministri Berisha, në emër të mazhorancës që drejton ka deklaruar tërheqjen nga qëndrimi për të votuar edhe standardin. "Bie kërkesa e dytë e raportit dhe përshëndes fjalën e z.Brokaj. Vazhdojmë me variantin tjetër",- u shpreh Berisha. Kjo i ka hapur rrugë më pas votimit të fshehtë me kuti.
Dorëheqja e Bashës, sipas opozitës, do të plotësonte punën e prokurorisë por do lehtësonte gjithashtu edhe pozitën e vetë postit të ministrit të Jashtëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›