E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ushtarakëve, asnjë përgjigje se kur do jepen

TIRANË- Ndonëse kanë replikuar me deputetin socialist, Erion Braçe, lidhur me pensionet e ushtarakëve, kryeministri Berisha dhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë se kur do të nisin të marrin ushtarakët pensionet e tyre. Ajo çfarë kanë evidentuar dy përfaqësuesit e mazhorancës ka qenë fakti se, për tetë vite socialistët nuk u siguruan pensionin ushtarakëve, bënë një ligj elektoral, i cili ishte sipas tyre diskriminues dhe rëndonte mbi qytetarët shqiptarë, por nuk dhanë detaje se si do të ndryshojë ligji i qeverisë për pensionet e ushtarakëve, apo dhe kur do ta kalojë ai në qeveri. Nga ana e tij, kryeministri Berisha, duke iu referuar ligjit që në maj të 2005 kishte hartuar qeveria socialiste për pensionet e ushtarakëve, e konsideroi atë si elektoral dhe që rëndonte mbi kurrizin e qytetarëve, ndërsa ligjin e hartuar nga qeveria e tij, si logjik dhe që bënte diferencimin e gradave. Berisha u shpreh i gatshëm për të rritur fondet për çështjen në fjalë, por kërkoi konsensus për skemën në bazë të së cilës do të përfitojnë pensionet ushtarakët. Deputeti Braçe, i cili kishte kërkuar interpelancën, tha se, "duhet të dilni në pension zoti Kryeministër, ju dhe ministri juaj i Mbrojtjes", për shkak të dështimit edhe në ligjin për pensionet e ushtarakëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›