E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti, Leskaj: Basha të japë dorëheqjen nga ministër i Jashtëm

TIRANË- Miratimi nga Kuvendi i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit, ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha, i ka dhënë të drejtë opozitës që të shtojë kërkesat e saj në funksion të garantimit të një procesi hetimor sa më të lirë. Menjëherë pasi Kuvendi shpalli rezultatet e votimit pro heqjes së imunitetit, Partia Socialiste ka kërkuar dorëheqjen e tij edhe nga posti i ministrit të Jashtëm. Në emër të kësaj force, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj duke e konsideruar seancën e djeshme si një betejë të fituar nga opozita, ka kërkuar publikisht dorëheqjen e ministrit Basha. Kjo, sipas saj, jo vetëm që do të lehtësonte punën e prokurorisë në hetimin e saj për implikimin e ministrit Basha, në shkeljet e pretenduara në procedurat e tenderimit të rrugës Rrëshen-Kalimash, por do të çlironte edhe vetë Ministrinë e Jashtme nga një ngarkesë e tillë politike. "Seanca e sotme (e djeshme) ka qenë një sukses për opozitën, ka qenë një sukses për betejën politike që ajo ka zhvilluar kohët e fundit ndaj korrupsionit dhe ne jemi të kënaqur, natyrisht, që kjo seancë përfundoi me heqjen e imunitetit të z.Basha dhe kjo për shkak se duhet t'i hapet rruga organeve kompetente për të bërë hetimin. Së dyti, ajo që dua të them ka të bëjë me faktin se, pas këtij hapi ne presim hapa të tjerë nga qeveria, ne presim një hap tjetër nga z.Basha i cili pas kësaj, normalisht, duhet të bëjë dorëheqjen edhe si ministër i Jashtëm, e cila jo vetëm do të plotësojë punën e prokurorisë por ndërkohë do të lehtësojë edhe pozitën e vetë postit të ministrit të Jashtëm dhe Ministrisë së Jashtme",- u shpreh kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj. Sipas socialistëve, për vetë rëndësinë që ka ministri i Jashtëm si në procesin e shpalljes së statusit përfundimtar të Kosovës, por edhe në atë të integrimit të Shqipërisë në strukturat Euroatlantike, nuk mundet kurrsesi që ai të jetë një njeri i cili hetohet nga prokuroria për një aferë korruptive. Kjo nuk do t'i shërbente forcimit të imazhit të Shqipërisë tek partnerët ndërkombëtarë dhe do të zeronte të gjitha përpjekjet e qeverisë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur më parë kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili duke folur gjatë seancës së djeshme, ka theksuar se ministri duhet të shprehet publikisht për dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm. "Ministri i Jashtëm të dalë këtu dhe të thotë se që nga ky moment, unë s'jam ministër i Jashtëm dhe se do të jem turpi i këtij vendi, që të paraqitem në OKB për të kërkuar statusin e Kosovës, integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO. Gjethe fiku para shqiptarëve dhe përpara Parlamentit, mos na hidhni!",- u shpreh Ruçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›