Kapet i dyshuari për vrasjen e sotme në qytetin e Shkodrës

Policia e Shkodrës publikon foton e të dyshuarit
Shkodër, 9 dhjetor 14:52 NOA – Motivet e dobëta besohet se çuan në vrasjen makabre që ndodhi sot herët në mëngjes në qytetin e Shkodrës.
Policia vendore tha për agjencinë e lajmeve NOA se ka arrestuar 50-vjeçarin Abdullah Durra, lindur e banues në lagjen “Liria” të qytetit.
Ngjarja ndodhi sot në orën 06.50 të mëngjesit në lagjen “Liria” ku banonte i dyshuari Durra dhe viktima i tij, Agim Tahiri, 53 vjeç.
Në rrethana që mbeten ende të paqarta, dy burrat janë përplasur mes tyre, policia tha zyrtarisht për motive të dobëta, dhe në gjaknxehtësi e sipër, Durra ka nxjerrë nga brezi një pistoletë me të cilën ka hapur zjarr ndaj Tahirit duke i marrë jetën në pak çaste.
Menjëherë pas krimit, i dyshuari 50-vjeçar nuk ka arritur të shijojë lirinë pasi është arrestuar në kushtet e flagrancës nga policia.
Kjo e fundit tha se e akuzon Durrën për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje, ndërkohë që po punon për të sqaruar rrethanat e krimit që ishte i dyti me të vrarë brenda 16 orëve në Shkodër.
r.d/NOA