Bashar al-Assad nuk do ta ndalojë shtypjen

Presidenti sirian Bashar al-Assad ka deklaruar se forcat e tij nuk do të ndalojnë ndjekjen ndaj atyre që i quan “grupe të armatosura terroriste” ndërkohë që Turqia dhe vende të tjera i bëjnë apel Sirisë që të ndalojë shtypjen e dhunëshme ndaj kundërshtarëve politikë.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Siri tha se zoti Assad u zotua gjatë një takimi të martën me Ministrin e Jashtëm të Turqisë Ahmed Davutoglu në Damask.
Zoti Davutoglu tha se gjatë takimit kishte bërë thirrje për dhënien fund të gjakderdhjes në Siri. Ai tha gjithashtu se Turqia ka premtuar të mbajë kontakte me qeverinë siriane.
Assad ka mbrojtur shtypjen qeveritare ndaj kundërshtarëve duke thënë se është detyrë kombëtare për t`u marrë me ata që i quajti “banditë” që bllokojnë rrugët dhe siç u shpreh ai “terrorizojnë njerëzit”.
Ndërkohë, aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se sulme të reja qeveritare kanë vrarë të paktën 30 persona të tjerë.