Bashkë në Viti dhe Junik

Partia e Ramush Haradinajt nuk po i përmbahet parimit se me Partinë e Hashim Thaçit nuk do të ketë kurrfarë “martese” për të qeverisur, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Ky parim është thyer në dy qytete të Kosovë, Junik dhe Viti.
Ramush Haradinaj e ka arsyetuar koalicionin në Junik me faktin se Kryetarin e Degës së atjeshme të PDK’së e ka pasur “mik të luftës”. Por, ai nuk ka dhënë ndonjë arsye se pse u veprua ngjashëm edhe në Viti.
Zyrtarët e AAK’së, të kontaktuar të martën nga Expressi, kanë thënë se koalicionet në këto qytete me PDK’në, “janë private”.
“Në Junik ka qenë koalicion personal i Liderit të AAK’së me një ish-ushtar të vetin, e assesi me programin e PDK’së”, ka thënë Zëdhënësi i AAK’së, Ernest Luma, për Express.
Ky zyrtar i AAK’së thotë se vazhdojnë të mbajnë qëndrim se koalicionet do të bëhen vetëm me partitë e djathta.
“AAK’ja e ka një qëndrim të cilin e ka thënë disa herë në forma të ndryshme gjatë gjithë kampanjës zgjedhore, veçmas në periudhën e balotazhit se ne do të jemi në koalicione vetëm me partitë e djathta”, ka shtuar ai.
“Në të njëjtën kohë ka qenë një “bllok” i plotë dhe i qartë i AAK’së kundër çfarëdo koalicioni me PDK’në. Koalicione në disa komuna janë koalicione private të individëve të caktuar”, ka sqaruar Luma.
AAK’ja në garën e balotazhit ka përkrahur LDK’në në të gjitha komunat, kurse partia e Fatmir Sejdiut ia ka kthyer në mënyrë selektive ndihmën.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë e plotë për bashkëpunim me LDK’në, pavarësisht neutralitetit të tepruar të saj në raport me AAK’në”, ka thënë Zëdhënësi i AAK’së.
Në anën tjetër, Zëdhënësi i PDK’së, Blerand Stavileci thotë se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrim jopërjashtues sa u përket koalicioneve me partitë e tjera. Në këtë linjë e sheh edhe koalicionet që janë lidhur mes PDK’së dhe AAK’së në Junik dhe Viti.
“Koalicionet aktuale dhe ato që do të ndërtohen në të ardhmen, në të gjitha nivelet, do të jenë në linjën e qëndrimit tonë se ne nuk kemi prirje as preferenciale dhe as përjashtuese për asnjë parti politike”, ka thënë Stavileci për Express.
“Aty ku është në të mirë të qytetarëve, ne do të bëjmë koalicione me parti të caktuara”, ka thënë Zëdhënësi i PDK’së, duke mos komentuar qëndrimet e AAK’së.
Ndryshe, PDK’ja dhe AAK’ja vazhdojnë të mbajnë raporte të ngrira në nivel të kryetarëve të partive. Për herë të fundit, kur Thaçi dhe Haradinaj janë takuar në zyrat e partive, ka qenë para katër vjetësh. Në atë kohë, Lideri i AAK’së pati vizituar PDK’në në cilësinë e Kryeministrit të vendit. Një takim i shkurtër ka ndodhur edhe gjatë një iftari të Ramazanit, kësaj vere, kur Myftiu Tërnava arriti t’i ulte në një tavolinë Thaçin dhe Haradinajn për disa çaste.