SHBA mbështet përsëritjen e zgjedhjeve në tri komuna

Ambasada Amerikane në Kosovë, nëpërmes një deklarate për shtyp, ka shprehur besimin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë vendim për përsëritjen e rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka takuar sot kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nesrin Lushta.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e KQZ-së të datës 22 dhjetor për të implementuar, pjesërisht, vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) të datës 19 dhjetor, që udhëzoi përsëritjen e rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan.
“Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Ambasadës Amerikane, të lëshuar pas takimit.
“Qëllimi i ligjit në këtë çështje është i qartë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi të qartë të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në të tri komunat, sipas vendimit të KZAP-it të datës 19 dhjetor”.
Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet e kryetares së KQZ-së, Lushta, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe i inkurajojmë të gjitha partitë dhe entitetet politike të respektojnë, si germën ashtu edhe frymën e ligjit, gjersa ky proces vijon si dhe të përmbahen nga përpjekjet për të minuar institucionet dhe proceset e vendosura me ligj për avantazhet e tyre partiake.
Dje, KQZ-ja omisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka vënë kapakun “dykuptimësisë” së vendimit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), duke e dërguar Prizrenin dhe Lipjanin në rivotim, përderisa Gjilani ka urdhëruar rinumërim të fletëvotimeve në Gjilan.
Vendimi i së martës erdhi një ditë pasi KQZ’ja kërkoi sqarime shtesë nga KZAP’ja për terminologjinë e përdorur në vendimin e vet të së shtunës.
Kryesuesja e KQZ’së, Nesrin Lushta, pas takimit të këtij komisioni, ka bërë të ditur vendimin, i cili nuk e përfill në tërësi udhëzimin e KZAP’së, por edhe nuk e refuzon në plotëni atë.
“Kemi vendosur që të bëhet rivotimi në dy komuna; në Prizren dhe Lipjan, ndërsa në Gjilan të mos bëhet. Aty së pari do të bëhet hetimi dhe rinumërimi nga ana e KQZ’së, përmes Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj, varësisht nga rezultati që do të pasojë, atëherë të vendoset a ka nevojë për rivotim në këtë komunë apo jo”, ka thënë Lushta.
Një ditë më herët, KQZ-ja njoftoi se ka vendosur përsëritjen e zgjedhjeve në Prizren dhe Lipjan, përderisa në Gjilan ka urdhëruar rinumërim të fletëvotimeve.