Bashkë për Ramushin
Deputetët kosovarë kërkuan të martën në një seancë të jashtëzakonshme drejtësi të shpejtë, të qartë dhe fer nga Tribunali i Hagës për ish-Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Parlamentarët kosovarë kërkuan njëzëri përkrahje institucionale për ish-luftëtarët e UÇK’së, të akuzuar nga Haga. Debati i zhvilluar me iniciativë të AAK’së dhe mbështetje të të gjitha partive parlamentare shqiptare ka rezultuar me një apel që Kuvendi i Kosovës ia drejtoi Tribunalit të Hagës nëpërmjet të cilit i bënë thirrje për gjykim të shpejtë dhe të drejtë.
Deputeti Ahmet Isufi ka thënë se mungesa e Haradinajt në skenën politike në këto momente kruciale, po tregohet si hendikep për vendin. Sipas tij, deri më tani është bërë shumë pak nga institucionet e Kosovës për mbrojtje dinjitoze të Haradinajt.
Në emër të Qeverisë, debatin për Ramush Haradinajt e ka mbështetur Kryeministri Hashim Thaçi, duke thënë se ky nuk është debat për një individ apo për një kryetar partie, por për një luftë të drejtë çlirimtare, e cila u zhvillua në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
“Zoti Haradinaj dhe Kosova kanë qenë shembulli më i mirë në rajon i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. UÇK’ja dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar luftë të drejtë. Qeveria e Kosovës dhe unë edhe më parë kemi qenë të gatshëm dhe kemi kërkuar të na krijohet ajo rrethanë që të japim mbështetjen dhe sigurinë juridike që lejon ligji dhe Kushtetuta e Kosovës. Besojmë në pafajësinë e plotë të Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, besojmë edhe në drejtësinë ndërkombëtare për një proces fer, transparent dhe të drejtë. Prandaj edhe si Qeveri presim që ai të shpallet i pafajshëm dhe t’i kthehet vendit, familjes dhe politikës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se debati duhet të fillojë dhe të mbarojë i mbështetur në tri premisa kryesore: përcaktimin e qartë dhe të vendosur për bashkëpunimin e sinqertë dhe të plotë me Tribunalin e Hagës, besimin e palëkundur në drejtësinë ndërkombëtare dhe vlera çlirimtare dhe pastërtia e luftës çlirimtare.
“Proceset e tilla të së kaluarës, të sotmes, apo të së ardhmes, mund të nxjerrin ndonjë faj personal, por kurrë nuk do të dëshmojnë karakterin kriminal të UÇK’së. Është dëshirë e ligjshme e deputetëve, përfundimi sa më i shpejtë i procesit kundër Haradinajt me bashkëpunëtorë, sepse të gjithë besojmë në pafajësinë e tij, sepse si në luftë, si në paqe i duhet Kosovës, por Kuvendi nuk i prek kufijtë e drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.
Edhe grupet parlamentare kanë dhënë mbështetje të pa rezervë që të shpejtohet procesi ndaj Haradinajt dhe të sigurohet mbrojtje institucionale për të.
Ata kanë kërkuar nga Gjykata e Hagës që të mos vonohet në procesin e rigjykimit ngase “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Adem Grabovci në emër të PDK’së, ka kërkuar nga organet ndërkombëtare të drejtësisë që të mos përdorin standarde të dyfishta, por të ketë një proces fer dhe të paanshëm, ndërkaq Ismet Beqiri, në emër të LDK’së ka shprehur bindjen e thellë në pafajësinë e Haradinajt.
“Duke u nisur nga fakti se Haradinaj është një ndër komandantët e shquar të luftës së drejtë të UÇK’së, duke u nisur nga fakti se ai si deputet, si kryeministër me kontribut të madh shtet-ndërtues dhe me gatishmërinë për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës ka dhënë shembullin e njeriut shumë të përgjegjshëm, duke u nisur nga fakti se ai u shpall i pafajshëm dhe për herë të dytë po qëndron në Hagë, LDK pret njëkohësisht dhe shpreh bindjen e thellë se gjykimi ndaj Haradinajt do të jetë i drejtë, duke besuar në punën dhe profesionalitetin e këtij Tribunali”, ka thënë Beqiri.
Kurse Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se tendenca për balancim të fajësisë për palët ndërluftuese krijon padrejtësi.
“Këso situatash nuk i kontribuojnë drejtësisë në Kosovë. Kjo situatë u krijua vjet pas luftës si rezultat i moskujdesjes për ruajtjen e vlerave të luftës dhe si një përpjekje e Serbisë për ta paraqitur luftën tonë si të padrejtë”, ka thënë Selimi, duke shtuar se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë as minimalen në mbrojtjen e çlirimtarëve sa herë ata akuzohen padrejtësisht.
Myzejene Selmani, në emër të Koalicionit për Kosovë të Re ka shprehur bindjen e thellë në pafajësinë e luftës së UÇK’së dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë dhe po ashtu ka shprehur besimin në objektivitetin e Gjykatës Hagës.
Në seancën për Haradinajn, ka folur të martën edhe deputeti i PDK’së, Fatmir Limaj i cili po ashtu është përballur me Gjykatën e Hagës.
Limaj ka thënë se nuk mjafton vetëm të shprehet besimi në drejtësinë ndërkombëtare, por duhet një mbështetje e fuqishme institucionale për Haradinajn dhe bashkëluftëtarëve të tij, ndërkohë ka kërkuar që të krijohet një fond financiar në mbështetje të tyre.