Keni probleme

Ish-guvernatori amerikan dhe kandidati për President të SHBA’ve Howard Dean ka deklaruar të martën në Prishtinë se shteti i Kosovës përballet me shumë sfida.
“Unë shoh një optimizëm këtu, por natyrisht edhe shumë probleme - probleme sepse ju keni një shtet të ri. Këto probleme po ashtu janë meqë historia e demokracisë në këtë rajon nuk është e gjatë. Problemet janë edhe për shkak të lutës dhe për atë që ka ndodhur pas saj. Por, fundi i këtyre problemeve do të vijë”, tha ai.
Në një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, Dean ka folur edhe për rolin e të rinjve në politikë.
Ai ka shtuar se “politikat dhe ndryshimet nuk bëhen vetëm në Parlament, por ato fillojnë në komunitet”.
Dean i është referuar edhe procesit të fundit zgjedhor dhe manipulimeve të votave.
“Kur njerëzit manipulojnë me votën, duhet të dënohen. Nëse nuk dënohen, ata do të vazhdojnë të manipulojnë me të. Por, nuk është ky vendi i vetëm ku vota manipulohet”, u shpreh ish-guvernatori Dean.
“Ju do të jeni të lidhur me politiken nëse ju punoni në fshatin tuaj, ndihmoni njerëzit e varfër. Ju jeni në politikë nëse organizoni gjëra, siç i kemi pasur dje në Mitrovicë, ku grupe të të rinjve serbë dhe shqiptarë punonin së bashku në problemet e Mitrovicës, në të dyja anët e lumit”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se tani mundësitë për ndryshime janë më të mëdha.
“Pra, politika nuk fillon në parlament. Parlamenti është puna e fundit që duhet ditur. Gjenerata juaj në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë, ka më shumë mundësi, ndryshe nga gjenerata ime. Gjenerata ime ka bërë reforma në sistem. Gjenerata juaj nuk ka dëgjuar shumë për sistemin që ne e kemi ndryshuar”, deklaroi Dean.
Për mundësitë që kanë të rinjtë për të bërë ndryshime, duke përmendur edhe rrjetet sociale dhe energjinë që ata duhet pasur, Din theksoi nevojën e besimit në ndryshime.
“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të rinjtë shkojnë në internet, ata hyjnë në Facebook dhe gjejnë njëmijë njerëz që besojnë në gjërat që ata bëjnë. Nëse nuk e ndryshoni të nesërmen, asgjë nuk do të ndodhë. Mendoni për vitet e juaja të ardhshme! A keni problem? Po. Ju duhet të bëni reforma, duhet të punoni”.
Howard Dean ka qenë kandidat për president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2004, kryetar i Komitetit Nacional Demokratik dhe është zgjedhur gjashtë herë Guvernator i Vermontit. Dean njihet si nismëtar i ngritjes së fondeve për një profil të caktuar, bazuar në përdorimin e Internetit.
Dean të mërkurën ka takuar Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga si dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.