KMDLNJ: Veriu në mëshirën e kriminelëve!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka shprehur shprehur sot shqetësimin lidhur me gjendjen e banorëve të veriut të Kosovës, si pasojë e bllokadës së rrugëve nga grupe qytetarësh serbë.
Ky këshill, nëpërmes një komunikate shtypi, thekson se një bllokadë e tillë nuk duhet të tolerohet sepse është duke cenuar rendin dhe qetësinë e qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës, e cila nuk është e kontrolluar nga institucionet e saj.
"Sipas informatave që ka KMDLNj këto pengesa në rrugë janë duke e vështirësuar komunikimin dhe qarkullimin e qytetarëve. Gjithashtu, organizatorët e bllokadës janë duke u përkrahur nga strukturat paralele dhe zyrtarët policorë të suspenduar".
KMDLNj edhe kësaj herë iu bënë thirrje institucioneve që të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese për të siguruar një ambient të sigurt dhe qarkullim të lirë të qytetarëve të kësaj pjese.
EULEX, me gjithë pengesat që u është duke u bërë institucioneve të Kosovës që të kryejnë punën e tyre në pjesën veriore të Kosovës vazhdon edhe vet që të mos ndërhyjë në këtë pjesë. Në të njëjtën linjë me EULEX u rreshtua edhe KFOR. Komandanti i KFOR edhe një herë dëshmoi se bashkësia ndërkombëtare është duke bërë presion në mekanizmat e sigurisë siç janë KFOR dhe EULEX. Kjo për faktin se me gjithë premtimin për hapjen e rrugëve nuk e bëri këtë. KFOR u mjaftua me një shëtitje nga ajri për gazetarë që me gjithë deklarimet e zyrtarëve ushtarakë u dëshmua se bllokada vazhdon.
KMDLNj u bën thirrje institucioneve vendore që të mos bëjnë deklarime që më shumë ngjajnë në deklarata folklorike por të kryejnë punën e tyre. Nuk duhet lejuar që institucionet e drejtësisë të shantazhohen nëpërmes këtyre bllokadave. Me mosveprimin e tyre, KFOR dhe EULEX janë rreshtuar në anën e atyre që kanë bllokuar rrugët dhe që po e destabilizojnë veriun.