E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëbisedim i Kryeministrit Berisha me pedagogë e studentë të Albanian University në Berat

Në vijim të bashkëbisedimeve me të rinjtë, Kryeministrit Berisha u takua sot dhe pati një bashkëbisedim me pedagogë e studentë të Albanian University në Berat, me të cilët foli rreth projekteve në fushën e arsimit, punësimit të të rinjve dhe projekteve të ndryshme në katër vitet e ardhshme për qarkun e Beratit, të cilin Kryeministri e vlerësoi ndër qarqet me potenciale të mëdha zhvillimore. 

Bashkëbisedimi i plotë i Kryeministrit Berisha me studentët.

“Së pari, ju falenderoj shumë përzemërsisht që jeni sot këtu. Dua të falënderoj presidentin e universitetit, i cili me një dashuri e përkushtim të madh për këtë qytet, pasuri e madhe për kombin dhe mbarë njerëzimin, me persistencë ndërtoi një korpus universitar të klasit të parë, hapi universitetin duke përdorur tarifat publike për studentët dhe bëri të mundur që mijëra vajza e djem nga rajoni, por edhe nga rrethe të tjera, të shkollohen këtu në Berat, në qytetin që mbart pasuri të mëdha, trashëgimi të madhe kulturore për Shqipërinë e mbarë njerëzimin. Në vetvete, ky qytet është një universitet shekullor që e kanë ndërtuar, ruajtur dhe kultivuar qytetarët e tij. Kështu që universiteti juaj përbën padiskutim zhvillimin më pozitiv në historinë moderne të këtij qyteti. Berati mezi priste të kishte universitetin  tij.

Të dashur miq, jam këtu për t’ju dëgjuar juve. Për ne, në mënyrën më të vendosur, të rinjtë, të rejat, problemet e tyre janë çështja më kryesore e axhendës sonë. Kjo diktohet nga një kompleks faktorësh, mbi të gjitha, se ne jemi kombi më i ri. Ju garantoj se ky vend,  20 vjet më parë, kur u nis në rrugën e lirisë kishte ngjashmëri shumë të madhe me vendet më të varfra të Afrikës apo Oqeanisë, sesa me vendet e Europës. Por, fatmirësisht, ju jeni gjeneratë e re dhe jeni shumë fatlum që nuk e njihni atë kohë. Por dua ta theksoj se po ky vend që në vitin ‘92 ishte në vendin e tretë në botë me Ugandën e Angolën, për të ardhurat më të ulëta për frymë, në 21 vite ka rritjen e prodhimit të brendshëm 11 herë, sa as një vend tjetër. Pak kohë më parë isha në Forumin Ekonomik Botëror në Baku dhe aty, përfaqësuesit e vendeve që kanë rezerva të mëdha nafte, gazi, floriri po flisnin për rritje 5 herë. Unë u ngrita dhe thashë se ekonomia jonë ka rritje 11 herë dhe kjo meritë e shfrytëzimit të lirisë nga shqiptarët, e shfrytëzimit të iniciativës së lirë të  tyre. Kjo është e vërteta. 

E theksova këtë sepse, nëse më pyesni se cili ka qenë softi i kësaj rritjeje, unë ju them se kanë qenë para së gjithash të rinjtë. Nëse i kthehemi asaj periudhe, përveç varfërisë, ne ishim vendi më i mbyllur në Europë e në botë dhe po ashtu ishte edhe mendja, e mbyllur në koncepte. Ndaj duheshin mijëra procese e reforma. Në qoftë se nuk do të merresha me të rinjtë, ata do të më replikonin variante të socializmit në shkresa. Ndaj unë merresha vetëm me të rinjtë, të cilët studionin, mësonin, bashkoheshin me stafe të huaja dhe u bënë katalistë të jashtëzakonshëm të reformave. Kështu që softi i këtij suksesi ka qenë rinia.

Përveç kësaj, ne do të bëjmë gjithçka për shkollimin më të mirë dhe punësimin tuaj. Ne kemi bërë hapa të mëdha në shkollim, nga gjithsej 52 mijë studentë në vitin 2005, sot kemi 162 mijë. Çdokush që mendon se u teprua, le të mendojë vetë po të ishte pa shkollë. Kjo është logjika që duhet të na udhëheqë, që nuk e keni ju të rinjtë, por e kanë disa të tjerë që e shohin me habi. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që çdo i ri, çdo moshatar juaji të ketë mundësi ta provojë bëjë realitet ëndrrën e tij universitare. Ky duhet të jetë synimi ynë dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që kjo ëndërr të realizohet me cilësinë sa më të mirë, pra, të rrisim cilësinë e mësimdhënies. Ne duhet të bëjmë çdo gjë për krijimin e vendeve të punës. Kjo është ëndrra e dytë, e madhe, e juaja. Ju i merrni diplomat për të siguruar një të jetë më të mirë, të shihni vlera më të mëdha tek vetja juaj. Kjo është detyra e shoqërisë, e cila duhet të bëjë gjithçka për të siguruar vende pune, që ju të merrni përsipër zhvillimin tuaj. Natyrisht, ju duhet një jetë cilësore më e mirë.

Dua të ndalem në një moment, në një mesazh që do ta përcjell kudo me të rinjtë. Në asnjë mënyrë mos pranoni t’jua shajnë vendin tuaj. Gjeneratat para jush kanë në memorie një Shqipëri realisht shumë problematike, kanë në memorie një Shqipëri vështirësisht të pranueshme, kanë në memorie një Shqipëri ku varfëria në të gjitha zonat verilindore e juglindore ishte e shkallës së paimagjinueshme sot, kanë në memorie një sistem që i skllavëroi njerëzit, në kuptimin e punës, të cilët punonin 12 orë në ditë dhe merrnin gjithsej 30 lekë të vjetra, kanë në memorie një sistem që e rrënoi vendin më shumë se çdo luftë tjetër, një sistem, i cili sapo u hap, i detyroi qytetarët e saj, për kafshatën e gojës, të iknin masivisht prej saj, nga deti e toka. Kjo ishte Shqipëria që kanë në mendje gjeneratat para jush, por ju keni një Shqipëri tjetër. Ju jeni të rinj të vendi që është anëtar i NATO-s, jeni të rinj të një vendi që në 21 vite  është rritur 11 herë. Kjo ju bën krenarë juve dhe bën krenar çdo shqiptar. Në asnjë vend tjetër nuk është rritur prodhimi i brendshëm 11 herë, sesa këtu, falë vullnetit të hekurt e lumenjve të djersës që kanë derdhur shqiptarët. Një Shqipëri, qytetarët e së cilës lëvizin të lirë, një komb që në tërësi sot është i lirë. E them këtë, sepse, në qoftë se ka qytetarë të këtij vendi që edhe për krenarinë e dinjitetin e tyre duhet t’ia thonë fjalën e mirë vendit, ata duhet të jeni ju dhe nuk duhet të dëgjoni ata para jush dhe mediat që lëshojnë çdo ditë mallkime.

Sigurisht, Shqipëria ka ende rrugë për të bërë, sigurisht, Shqipëria  ende nuk është sot vend i zhvilluar, por ajo ka arritur disa nga treguesit më themelorë të vendeve të zhvilluara. Jetëgjatësia e shqiptarëve është më e madhe sesa e 9 vendeve anëtare të Bashkimit Europian; shqiptarët kanë sot vdekshmëri foshnjore një shifrore dhe e imagjinoni që jo larg, por vetëm 15-20 vite më parë, ajo ishte 40-45 përqind; Shqipëri ka vdekshmëri amtare nga lindja ndër më të ulëtat në botë, edhe se shumë vende të zhvilluara; shqiptarët kanë vdekshmëri të përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish komuniste; shqiptarët ia dolën në këtë periudhë të kenë nivelin më të lartë të rekrutimit në shkollat e mesme dhe të larta; shqiptarët kanë sot një nga administrata më të vogla për frymë, në botë dhe kjo është shumë pozitive për sektorin privat dhe për zhvillimin. Në këtë garë, sepse është garë, Shqipëria ecën jo pa vështirësi,  por ajo çdo vit arrin tregues të vendeve të zhvilluara.

Projekti ynë është Shqipëria vend europian, vend i zhvilluar. Unë jam sot këtu për të dëgjuar mendimet, opinionet, kërkesat, sugjerimet, vërejtjet, kritikat e çdo gjë, në një bisedë, më të hapurën që ju keni zhvilluar ndonjëherë me ndokënd. Faleminderit.

Zoti Kryeministër, së pari, ju uroj mirëseardhjen në qytetin e bukur të Beratit. Përveç falenderimeve që jua përcjell në emër të studentëve, për ne është nder e kënaqësi e veçantë t’ju kemi për të dytën herë në universitetin tonë, herën e parë ju kishin në ditën tonë më të bukur, në momentin e diplomimit. Por për fatin tonë të keq, që në hapat e parë të zhvillimit të këtij universiteti kemi hasur në pengesa nga pushteti lokal. Pyetja ime është: ju si qeveri qendrore çfarë politikash keni që këta biznesmenë vendas, kaq dashamirës e sociale, të investojnë në këto qytete që presupozohen deri tani si xhepa si Berati, për të zhvilluar idetë e projektet e tyre që janë të shumta.

Kryeministri Berisha: Të falënderoj për pyetjen. Një komb nuk ka asgjë më serioze se arsimi dhe një komb duhet të bëjë gjithçka që të ketë një sistem serioz arsimi, nëse dëshiron të ketë një të ardhme të ndritur. Në këtë kontekst, pjesëmarrja e sektorit privat në arsim, siç dëshmon historia e vendeve me arsimin më të zhvilluar, është jashtëzakonisht e rëndësishme, e dobishme dhe e domosdoshme. Arsimi privat është përballur me disa koncepte shumë të gabuara. Do t’ju jap një shembull real. Në vitin ’97, ne dolëm në opozitë dhe në pushtet erdhi partia tjetër. Unë mendova se ata do të mendonin fshatin, pasi fshati ishte i rrënuar, pa infrastrukturë dhe pa asgjë. Por ata bënë çdo gjë, por vetëm fshatin nuk e ndihmuan. Unë çuditesha dhe pyesja si ka mundësi. Mësoj nga brenda se ata nuk e ndihmonin fshatin se ai ishte privat dhe thoshin: nuk kemi punë me të. Ky është një koncept akoma i gjallë. Edhe për arsimin privat, një pjesë e burokratëve thoshin se nuk kishin punë me të. Por jo, kemi shumë punë me të, pasi ai është një kontribut jashtëzakonisht palcor për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Ata, të cilët kanë kërkimet shkencore më të shkëlqyera dhe kanë shkollat më të mira, i kanë ato, para së gjithash e mbi të gjitha, sepse kanë arritur të angazhojnë sektorin privat në arsim dhe në shkencë. Sot, arsimi privat përballon 20 përqind të arsimit të lartë, arsimi privat ka studentë më shumë sesa kishim ne, në vitin 2001.

Çfarë po bëjmë? Së pari, ne hoqëm TVSH-në, një masë lehtësuese. Së dyti, ose është votuar, ose do të votohet ligji tokë për shkollë. Ne do t’u japim sipërmarrësve privatë truallin për 99 vjet apo falas, në mënyrë që ata të ndërtojnë. Ky ligj është përdorur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky ligj do të përdoret edhe në Shqipëri dhe jo vetëm për shkollat, por edhe për spitalet dhe për qendrat e kujdesit social  për të moshuarit, të kujtdo që dëshiron t’i ndërtojë mbi bazë tregu. E treta, ne do të vendosim gjatë viteve që vijnë mekanizmin financiar, nga i cili, mbi bazën e cilësisë dhe të rating-ut, do përfitojnë universitetet pa dallim, publike apo private. Shtrirja e këtij mekanizmi përbën trajtimin më të barabartë midis universiteteve. Ky financim do të jetë sistem kreditimi për ju, do të jetë sistem kreditimi për studentët si një nga format më të përhapura, ku studentëve u jepet kredi me kushte lehtësuese dhe shlyerja e saj fillon pasi ata gjejnë punë, d.m.th do të funksionojë sipas rregullave standarde. Pra, do të kalojë në sistem kreditimi për ju dhe në këtë rast, kur them kreditimi do të thotë se ju do t’i përballoni fee-të pa rënduar familjet tuaja, pasi ky është një problem. Unë jam i vetëdijshëm se ju rëndoni familjet tuaja, pavarësisht se në universitetin tuaj veproni me fee publike. Edhe në këtë aspekt, ne mund t’jua lehtësojmë që ta përballoni universitetin, me kredi. Në këtë mënyrë, ne bëjmë që paraja të ndjekë studentin, të ndjekë cilësinë. Kjo kërkon që sistemi i rating-ut të funksionojë si për universitet publike, edhe për ato private dhe në fakt është vendosur. Personalisht jam shumë i bindur se pjesëmarrja e sektorit privat dhe rritja me shpejtësi e rolit të tij, gjatë këtyre viteve, përbën një zhvillim absolutisht historik për arsimin tonë, një zhvillim që do të ketë gradualisht ndikim shumë të madh në cilësinë.

Jam studentë në vit të parë në master shkencor në psikologji. Ju falënderoj zoti Kryeministër për mundësinë që të bashkëbisedojmë për ato çështje që ende nuk varen nga iniciativa e vetme e një personi, por gjithashtu nga qeveria juaj që unë personalisht e mbështes. Pyetja ime është se cilat janë mundësitë e punësimit për ne studentët e universitetit të Beratit.

Kryeministri Berisha: Unë mendoj se mundësitë e punësimit për studentët e universitetit tuaj dhe universiteteve në tërësi e jo vetëm në Shqipëri, por kudo, është studiuar se janë dy herë më të mëdha, sesa për të rinjtë e pa diplomuar në universitet. Sikundër rrogat e të diplomuarve në universitet janë 80 përqind më të mëdha, sesa rrogat e të padiplomuarve. Së dyti, sa i përket punësimit në sektorin publik dhe në sektorin privat, për sektorin privat nuk ka asnjë lloj vështirësie, ndërsa sektori publik në Shqipëri është një sektor shumë pak punësues. Ne e kemi filozofike këtë, sepse, nëse e rrisim sektorin publik, të gjitha taksat do t’ua marrim bizneseve dhe do t’i kthejmë në rroga, por kjo është mënyra më e sigurt për ta frenuar biznesin. Ne kemi një nga dhjetë administratat më të vogla në botë dhe e mbajmë të tillë, vetëm e vetëm për të mos qenë një barrë e madhe mbi sektorin privat. Po ju jap një shembull. Të gjitha vendet përreth, një nga faktorët më negativë që kanë është pesha e tmerrshme e administratës mbi sektorin privat. Besohet se kjo peshë është një nga faktorët që i ka zhytur ato në krizë. Sidoqoftë, edhe ajo përqindje që punësohet, do të punësohet, por kjo do të bëhet mbi bazën e rating-ut të universiteteve. Mbi bazën e rating-ut, ne nuk do të bëjmë asnjë diferencë, qoftë publik, qoftë privat. Për këtë, ju garantoj plotësisht. Jua tregova historinë me fshatin dhe mos kujtoni se i zhdukën menjëherë konceptin, ky është privat e nuk kemi punë me të. Absolutisht kemi shumë punë, për ta mbështetur e ndihmuar sektorin privat, në mënyrë që të realizojë objektivat. 

Përshëndetje zoti Kryeministër, është kënaqësi e nder. Mbaj mend një nga studentët në Amerikë, i cili kishte takuar presidentin Obama kur sapo ishte zgjedhur dhe kur erdhi na e tregoi, na  tha: o Zot, ai ishte ‘cool’. Dhe unë them të njëjtën gjë: ju jeni ‘cool’. Një çështje që na brengos shumë ne studentëve të Kosovës është mosnjohja e diplomës. Pavarësisht se Universiteti Albanian është akredituar, prapë përgjigja është negative nga Ministria e Arsimit e Kosovës. Sa jeni në dijeni për këtë, hapat që po merren dhe progresiviteti që ka?

Kryeministri Berisha: Jam plotësisht në dijeni të kësaj dhe të siguroj se në mënyrë të pandërprerë do të diskutoj me qeverinë e Kosovës, për t’i dhënë përgjigje këtij problemi. Në gjykimin tim, edhe ne, edhe Kosova duhet me shpejtësi të ecim drejt një shoqërie me përqindjen më të lartë, të mundshme, të të diplomuarve me diploma universitare. Në vitin 2006, në Shqipëri kemi pasur me diploma universitare gjithsej 3.4 përqind të popullatës, një nga nivelet më ulëta. Dhe ne jemi në Europë, ku mesatarja është 25 përqind e shoqërisë, me diploma universitare, në SHBA, kjo është 32 përqind. Çdo vend nxit e merr reforma përshpejtuese, për të tejkaluar trashëgiminë negative që ka. Nuk jeni vetëm ju. Unë në mënyrë të zakonshme marr mesazhe nga studentë kosovarë që studiojnë në universitetet tona. Ministria ka marr porosi dhe ne do ta diskutojmë me ta, me vendosmërinë më të madhe. Shumë shpejt besoj se do ta zgjidhim, sepse është një çështje që duhet të zgjidhet.  

Jam pedagoge e gjuhës së huaj në Departamentin e Shkencave Juridike. Duke e ditur se qyteti Beratit ka klimë të favorshme e kushte të përshtatshme për zhvillimin e agrobiznesit dhe prodhimeve bujqësore, cilat do të jenë politikat e reja për nxitjen e prodhimit dhe motivimin e sipërmarrjes në këtë fushë?

Kryeministri Berisha: Ne kemi një koncept ku bazojmë qëndrimin tonë: pa një fshat të zhvilluar nuk ka Shqipëri të zhvilluar dhe pa një zhvillim të qëndrueshëm rural nuk ka Shqipëri të zhvilluar. Po të studiosh buxhetin tonë do të gjesh se nga viti 2006 e deri më sot, në tërësi 60 përqind e investimeve janë adresuar në Shqipërinë rurale, sepse në shumë aspekte, Shqipëria rurale ishte në gjendjen më të mjerë, përsa i përket infrastrukturës. Me këto miliarda dollarë që kemi investuar, ne kemi vendosur që fshatit shqiptar t’i ndërtojmë infrastrukturën e lagjeve të qytetit. Përse do të qëndrojë dikush në fshat, nëse ne nuk i ndërtojmë shkollën, nuk i ofrojmë rrugën, nuk i ofrojmë shërbimet. Deri më sot, kjo ka ecur shumë, por ka për të bërë edhe më shumë. Ne po ndërtojmë një herë infrastrukturën që në vetvete është shpenzim me miliarda dollarë. Por nuk po bëjmë vetëm këtë. Ne po investojmë direkt në projekte të fermerëve. Ju keni shumë të drejtë, këtu në Berat, potenciali bujqësor është i jashtëzakonshëm. Rrallë mund të gjesh një rreth në Shqipëri që ta ketë të punuar çdo pëllëmbë tokë. Ne kemi mbështetur këtu me grante 6800 fermerë në ullishte, vreshta, pemëtari, sera, blegtori, agrobiznes. Por katër vitet që vijnë do të jenë vitet e një mbështetjeje shumë më të fuqishme. Potenciali është shumë i madh. Ju duhet ta  dini se bujqësia e blegtoria është e faktuar shkencërisht si sektor që mund të dhjetëfishojë prodhimin, po të aplikosh metoda shkencore e të ecësh në mënyrë të studiuar.

Gjatë këtyre dy-tre muajve, ne kemi përpunuar një program të ri për fshatin që është një mbështetje direkte për bimën, fermën, serën, lopën, viçin, bletën etj., një mbështetje direkte shumë e fuqishme.  Realisht, ne e përpunuam me fermerët. Kaluam në parlament ligjin që heq TVSH-në për të gjitha imputet bujqësore. Edhe në Goriçan, edhe në takime të tjera më thanë se TVSH-ja mbetet tek tregtari. Atëherë sot, ne vendosëm ta anulojmë atë ligj dhe t’ia japim në dorë fermerit. Ai do të sjellë faturën për ato që ka blerë dhe t’i japin20 përqindëshin e TVSH-së. Por një gjë e mundon shumë fermerin, nafta. Ndaj sot vendosëm t’i japim çdo fermeri, paratë e akcizës në dorë dhe jo në tollona se ato shpërdorohet dhe avullojnë. Ne kemi hequr TVSH-në mbi makineritë dhe çdo import që u nevojitet fermerëve për prodhim bujqësor. Po ashtu kemi hequr TVSH-në për hekurin e çdo gjë që nevojitet për serat. Përveç kësaj do të trefishojmë grantet. Në fakt, po t’i llogarisësh, këto janë më shumë sesa granti trefish, pasi, për shembull, vetëm fidanët e kimikatet janë mbi 25 milionë euro. Me këto që kemi bërë, një shumë e madhe që do t’i mungojë buxhetit, por do t’u shkojë atyre. Ne do të trefishojmë grantet dhe në qoftë se kemi mbështetur 42 mijë projekte, do t’i trefishojmë ato. Ullishtat, arrorët, blegtoria, serat, bimët medicinale, bletaria, të gjitha janë të përfshira në këtë paketë.

Krahas kësaj do të aplikojmë kredi të buta për çdo agrobiznes që dëshiron, sipas përshtatjes. Berati ka potenciale të jashtëzakonshme. Për shembull, ulliri kokërrmadh është i standardeve mbretërore, apo fiqtë e Roshnikut që janë të cilësisë më të larta që mund të ekzistojnë. Ky është një rreth me mikroklimë e prodhime nga më të shijshmet që eksitojnë. Fat i madh është se njerëzit këtu janë shumë punëtorë. Të gjitha këto po i bëjmë, sepse ne duhet ta marrim në mënyrën më serioze bujqësinë dhe popullatat që jeton aty duhet të kenë mirëqenie në rritje. Në rrafshin kombëtar ka rëndësi të shumë të madhe për ekonominë, sepse një pjesë e madhe e importeve do të bien, balanca tregtare do të përmirësohet, ekonomia konsolidohet më shumë. Ndaj, ne do të bëjmë gjithçka që t’i shndërrojmë ata në fermerë të suksesshëm.

Jam pedagoge e jashtme në Albanian University. Ju keni deklaruar se konkurrimi në universitete ka qenë panairi i korrupsionit dhe kemi zbatuar Maturën 2006 si procedurë konkurrimi nëpër universitete. Shumë maturantë I kanë zgjedhur degët e tyre me konkurrim të lirë. A duhen ndjekur politika që konsistojnë në orientimin e maturantëve drejt degëve më teknike?

Kryeministri Berisha: Pyetje e vështirë, sepse unë besoj që i riu duhet të ketë të drejtë të zgjedhë. Unë këtë e quaj shumë të rëndësishme. Do të doja shumë që ne të arrimë që çdo i ri të zgjedhë dhe në rast se pendohej të kishte mundësi për zgjedhjen tjetër. Kjo do të thotë që një maturant mund ti përllogarisë shumë mirë forcat e tij. Ai mund ta ndjejë veten shumë të fortë në matematikën e avancuar dhe mund të kërkojë matematikë dhe të dalë me shumë suksese, por edhe mund ta kalkulojë gabim. Ai mund të shkojë dhe e sheh që nuk është ai dega ku ai gjen veten. Unë nuk jam kurrë që ai të mbetet aty, të mos ketë pasionin që duhet të ketë për të studiuar. Pasioni është shumë i rëndësishëm. Një njeri që punon në fushën e pasionit të tij ka shanse shumë më të mëdha për t’u bërë i shkëlqyer, për të dhënë më shumë. Në këtë drejtim unë më së shumti jam për një shans të dytë. Unë jam që të bëjmë gjithçka që degët tona të mos jenë krejtësisht monokulturë, por të jenë më poliedrikë në përputhje me tregun, si edhe më dëshirat e studentëve.

Ju e dini që ankohen shumë dhe thonë - pse kaq shumë juristë?! Çdo ditë e më shumë, profile të ndryshme juristi janë të nevojshme në treg. Çdo ditë e më shumë, roli i juristit në këtë ekonomi tregu bëhet më i madh. Në fund të fundit, çfarë është ekonomia e tregut? Ligji lindi për tregun. Është tregu që ka krijuar ligjin. Ligji lindi për të rregulluar marrëdhëniet tregtare. Unë e përmenda këtë, për të thënë se do të ketë shumë punë për juristët. Sa më shumë të zhvillohet tregu dhe ekonomia, ekonomistët dhe juristët do të jenë ata që do të mbajnë barrën kryesore të menaxhimit të saj. Ndaj dhe nuk jam shumë për të kontrolluar dëshirat e të rinjve. Të rinjtë duhet të zgjedhin.  Një të riu që do të bëhet jurist, a mund t’i thuash mos u bëj jurist?

Jam banorë e komunës Otllak, në Berat. Ju falënderoj në emër të atyre banorëve, të cilët tradicionalisht kanë qenë të majtë, por sot është një komunitet që ju është shumë mirënjohës juve për të gjitha investimet që janë bërë, si për shkollën, për qendrën kulturore, për infrastrukturën apo qoftë edhe për kujdesin e zonjës Liri Berisha për pasurimin e bibliotekës dhe për kujdesin e treguar për qendrën shëndetësore. Në emër të gjithëve këtyre banorëve, unë dua t’ju shpreh sigurinë dhe optimizmin që ne kemi sot për fitoren tuaj të ardhshme. Dua t’ju komplimentoj si figurë politike. Jeni absolutisht një shembull shumë i mirë, qoftë shoqëror dhe qoftë politike për të gjithë ne të rinjtë shqiptarë.

Kryeministri Berisha: Shumë faleminderit! Ju përshëndes ju dhe të gjithë banorët e Otllakut. Ne kemi investuar, por shumë më tepër do të investojmë. Kur e nisëm këtë investimin në fshat, në shumicën e rretheve të vendit nuk kishte 1 kilometër rrugë të asfaltuar, përveç aksit kombëtar. Kjo ishte e vërtetë për Tropojë, për Peqinin, për Gramshin, për Librazhdin. Kjo ishte e vërtetë në tërësi për Shqipërinë. Ishte një katastrofë, sepse këta njerëz duhet të dalin në treg, këta njerëz duhet të komunikojnë, këta njerëz duhet të shkollojnë fëmijët, duhet të kujdesen për shëndetin e tyre. Tani që ne kemi asfaltuar mbi 8 mijë kilometra, jam 8 herë më i vendosur dhe më optimist për ti shkuar deri në kilometrin e fundit. Ne duhet ë bëhemi një shoqëri e barabartë. Ne duhet të luftojmë të bëhemi një shoqëri e barabartë, sepse ato që gëzon qytetari ynë në qytet duhet ti gëzojë edhe qytetari ynë në fshat. Edhe në këtë kontekst duhet ta shohim këtë zhvillim.

Efekti i kësaj politike është jashtëzakonisht inkurajues. Shkoni në Gorican ose në Otllak. Ju do të shihni aty një punë të jashtëzakonshme që bëjnë ata njerëz. Puna e tyre është shumë e lodhshme. Ata zgjohen para agimit dhe nisin punët, vazhdojnë punët duke shkuar nga një punë në tjetrën deri natën vonë. Por e ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore Shqipërinë. Ndaj dhe shumë më tepër do të bëjmë për ta.

Infrastruktura është arsim. Në vitin 2005, për t’u krijuar sa më shumë mundësi nxënësve nga zonat e largëta që të vazhdonin shkollën e mesme, ne ndërmorëm ndërtimin e një zinxhiri të tërë konviktesh. Në disa rrethe na kanë mbetur bosh, sepse u ndërruan rrugët dhe nuk ka më nevojë për konvikte. Dua të them që infrastruktura është shkollim, sepse ata e sjellin fëmijën tani në qytet, në shkolla më cilësore.

Infrastruktura është shërbim shëndetësor. Nëse sëmurët në mesnatë, vjen për 15 apo 20 minuta në spitalin e madh. Pra ne do t’i qëndrojmë këtij parimi dhe jemi të sigurt që ky projekt po ecën me shpejtësi drejt finalizimit.

Ne kemi vaditjen tani. Ajo është shumë e rëndësishme dhe nuk kemi investuar dot sa duhet. Vaditja do të jetë projekti më kryesor infrastrukturor në katër vitet që vijnë. Ne do të bëjmë që të vadisin me presion, do të bëjmë të vadisin pa energji, do të bëjmë që vadisim me pika, do të bëjmë që të vendosim sistemin më të mirë të vaditjes.

Jam studente në Master për Psikologji. Dua t’ju falënderoj për nismën për heqjen e taksës për tre vitet e para për punësimin e të rinjve. A do mund të kemi ne, një kredi të vogël për biznes?

Kryeministri Berisha: Po, një nga format që ne llogarisim punësimin e të rinjve do të jetë edhe sistemi i mikrokreditit për ta. Çfarë bëmë ne për këtë projekt? Së pari, ne hoqëm çdo lloj tarife, takse për të riun e punësuar, në tre vitet e para. Kjo është lehtësim jo vetëm për të riun, por edhe për sipërmarrësin, pasi një pjesë të kontributeve i paguan edhe sipërmarrësi. Së dyti, ne synojmë të krijojmë një sistem mikrokrediti mbi bazën e projekteve. Kemi filluar punën në këtë sistem me Muhammet Yunus. Sistemi Yunus është sistemi më i mirë, sepse është sistem pa kolateral. Ai është një sistem në mirëbesim dhe funksion. Çfarë kërkon kjo? Kjo kërkon që i riu të bëj projektin dhe të ketë siguri që do t’ia dalë. E merr kredinë për diçka dhe ai do ta kthejë atë në një ndërmarrje të vogël për punësimin e vet, por edhe për punësimin e të tjerëve. Sikundër do të paguajmë trajnimin e tyre, sipas profesioneve ku do të punësohen.

Po për studentët, çfarë do të bëjmë ne? Edhe ju mund të keni nevojë të punësoheni për të mos rënduar familjet tuaja. Ne do të paguajmë sigurimet shoqërore, sikurse edhe tani sigurimet shëndetësore për ju i paguan shteti. Por ne do të paguajmë sigurimet shoqërore për punën që ju do të gjenit. Ne do t’u paguajmë sipërmarrësve, për studentët e punësuar. Janë jo pak studentë që kërkojnë punë, janë jo pak familje që më thonë se kanë djalin apo vajzën me studime dhe do të donin që ata të kishin një punë, sepse  e kanë vështirë ta përballojnë atë shpenzim. Ne do përpiqemi t’i lehtësojmë edhe në atë drejtim.

Jam studentë në vitin e I-rë për juridik. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që liberalizimi i vizave ishte një arritje mjaft e madhe për kombin shqiptar. Ne tani jemi në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Çfarë përfitimesh do të ketë nga marrja e këtij statusi, kryesisht për ne të rinjtë?

Kryeministri Berisha: Përfitimet nga statusi janë shumë të mëdha. Të rinjtë do të kenë mundësi të aplikojnë me fee shumë të favorshme në universitetet e shumicës dërmuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ata do të kenë hapësira shumë më të mëdha studimi, por edhe punësimi, për të përballuar ato shpenzime. Përfiton shumë punësimi në vend, sepse statusi i vendit kandidat është një pasaportë e re, e cila rrit shumë besimin te Shqipëria. Kjo do të thotë që investitorët e huaj të këtyre vendeve do të investojmë në një siguri shumë më të madhe. Në vitin 2006, 2007, 2008, ne merrnin 300 milionë euro investime dhe pas anëtarësimit në NATO e deri më sot, ne kemi arritur mbi 1 miliardë dollarë investime në vit. Nuk ka diskutim që NATO ishte një pasaportë besueshmërie për Shqipërinë. Statusi i vendit kandidat është një pasaporte e rëndësishme besueshmërie për Shqipërinë.

Ne folëm  për fermerët. Fermerët shqiptarë do mund të përfitonin shuma realisht të mëdha, nga subvencionet bujqësore të BE-së. Bashkimi Europian subvencionon me 60 miliardë euro fermerët e hapësirës së tij, por ndihmon edhe fermerët e vendeve kandidate që kanë hapur negociatat, fermerët e vendeve me statusin kandidat. Kjo do të ishte diçka shumë e rëndësishme për fermerët tanë. Në qoftë se unë ju them se do të trefishoj grantin, ju garantoj se grantet e KE-së do të ishin së paku tre herë më të mëdha, sesa trefishi ynë. Këtu, kjo çështje u bë jashtëzakonisht e dhimbshme. Procesi i afrimit me Bashkimin Europian është një proces që kalon në qindra reforma. Ju përmendët vizat. Për vizat, ne kemi plotësuar së paku 120 kërkesa, që kanë të bëjnë me ligje, reforma, kërkesa për instalime të teknologjisë së lartë etj.. Kështu është i gjithë procesi, i cili e lartëson vendin edhe më shumë. Për shkak të këtyre reformave, Komisioni Europian vendosi të sugjerojë Shqipërinë për vend anëtar. La 3 ligje, që janë në parlament dhe në mënyrë absolute nuk cenojnë interesin e asnjë partie politike, por që janë interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë dhe për të cilat u ra dakord plotësisht. Zotit Rama, në një mendim shumë absurd iu mbush mendja se kjo do t’i jepte më shumë kredibilitet qeverisë. Absolutisht jo! Në qoftë se do t’i votonim ato ligje, kjo do ta bënte opozitën dhe qëllimi i atyre ligjeve ishte që të bënte atë aksionere të qartë në procesin e statusit. Një proces i drejtë. Por këtë, zoti Rama e përdori për t’i bllokuar. Nuk e ka bërë njeri këtë, ndonjëherë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Europës. A bëjmë ne një figurë të keqe? Po, sepse si ka mundësi që të ngrihemi në këtë mënyrë kundër interesave tona?! Çfarëdo që të themi ne, kjo tregon që ne nxjerrim interesat personale apo partiake mbi interesin kombëtar, interesin shoqëror dhe europian të vendit. E kjo është jashtëzakonisht e dëmshme. Këto zgjedhje do t’i japin përgjigje përfundimtare këtij problemi. Ju garantoj se Shqipëria do të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat.

Kam përfunduar studimet për ekonomi në La Sapienca në Romë. Faleminderit që na jepni mundësinë për të adresuar problemet tona. Kam shumë miq, kryesisht nga vende të Europës, të cilët kërkojnë të vizitojnë Shqipërinë. Dinë që Shqipëria ka një pozitë strategjike gjeografike dhe vende shumë të bukura. A ka projekte për sigurimin e guidave turistike?

Kryeministri Berisha: Shumë e drejtë. Nga të gjitha gjërat që ne kemi dhe nuk kemi pak, potenciali më i madh është ai turistik. Nuk ka vend me potencialin turistik të Shqipërisë. Një herë i thashë një mikut tim zviceran që  Shqipëria është një lloj Zvicre me det. U retraktua! I thash: ti u mblodhe, por det nuk keni. Ne kemi det dhe malet i kemi si tuajat. Në fakt, duhet t’i thosha një Zvicër për t’u ndërtuar. Ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe ai është absolutisht vetëm në fillimet e tij për t’u shfrytëzuar. Po të shohim bregun e detit, disa zona janë të jashtëzakonshme. Nëse shikon një pjesë të Velipojës, gjirin e Drinit, pjesa mes Kepit të Rodonit dhe lumit të Matit, kepi i Rodonit, bregu në rrethin e Kavajës dhe më e bukura e të gjithave është kompleksi Nartë-Zvërnec-Sazan-Karaburun, është një kompleks natyror i pashembullt. Vetëm këto në vetvete mund të tërheqin miliona turistë. Jo më pak të bukura kemi malet. Tomori, kanionet e Osumit, Alpet përbëjnë një pasuri përrallore për shqiptarët.

Ne po nxisim guidat, por duhet të bëjmë aplikacione për android-ët, për iphon-ët, në mënyrë që t’i gjejnë guidat edhe në një aplikacion të tillë dhe turistët të mund të marrin  të gjithë informacionin turistik. Një informaticiene më dërgoi një mesazh për këtë dhe është plotësisht e realizueshme. Duhet të investojmë në këtë drejtim, sepse e tërë mosha dixhitale po spostohet drejt telefonisë së lëvizshme. Edhe guidat do t’i transkriptojmë në aplikacione, në dixhitale.

Si e pritet ju që Albanian University ka një tarifë  sociale dhe të ulëta për ne studentët, në mënyrë që edhe një i shtresës së ulët të mund të vazhdojë universitetin..

Kryeministri Berisha: Unë e kam vlerësuar shumë këtë vendim fisnik të zotit Astrit Veliaj, e kam përgëzuar. T’ju them të vërtetën kam qenë shumë i bindur në suksesin e kësaj  nisme. Gjithashtu, kam qenë shumë i bindur në suksesin e nismës në Peshkopi. Sot atje kemi mbi 2 mijë studentë dhe ky është një lehtësim i madh për familjet. Fakti që ju studioni këtu është një lehtësim i madh për një numër familjesh. Fakti që stukon me tarifat publike i bën shumë nder zotit Veliaj, qëndrimit të tij, dëshmi e një dashurie për këtë qytet. Ky qytet e kishte jetik një universitet dhe e meritonte.

Mirëmbrëma, zoti Kryeministër! Jam shumë dakord që turizmi është një ndër ato fusha që zhvillon ekonomike. Berati ka klimë të favorshme dhe një qytet shumë të vjetër për të zhvilluar turizmin. A do ta mbani ju, zoti Kryeministër, premtimin se në mandatin tuaj të tretë të sigurt që do të fitoni, se do të filloni ndërtimin e Boshtit të Jugut, për t’i dhënë frymëmarrje këtij qyteti?

Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Unë dua të garantoj qytetarët e Beratit se Boshti i Jugut së bashku me segmentin e rrugës së Arbrit do të mbeten dy projektet më madhore të 4-vjeçarit që vjen. Boshti i Jugut sot, trajektorja e zgjedhur dhe mënyra e zgjedhur është shumë më e mirë se ajo që kishim 6 vjet më parë. Kjo, sepse distanca Tiranë – Elbasan, nuk kishim ndërmend ta ndërtonim tunelin e Kërrabës. Ai nuk ka qenë projekti ynë. Po të lexoni programin tonë, atë nuk e kemi. Për të qenë është projekt shumë i kushtueshëm. Autostrada Tiranë-Elbasan kushton katër herë më shumë sesa superstrada që do të ishte Baldushk- Papër, por zgjedhja është shumë e mirë. Nuk mund të ketë veçse kënaqësi shumë të madhe që patëm mundësi të përcaktojmë për të çarë malin e Kërrabës dhe të shkurtojmë distancën. Boshti i Jugut në segmentin më të vështirë përfundon në fillim të qershorit, autostrada Tiranë-Elbasan. Ndërkohë, po ecim me vendosmëri nga Dumreja drejt Kuçovës dhe do të fillojmë shumë shpejtë nga Kuçova drejt Dumresë. Pra, mbeten rreth 30 kilometra Berat – Memaliaj. Edhe ajo e ka gati projektin dhe do të jetë për mandatin e ardhshëm. Kështu që dua të siguroj banorët e Beratit se Boshti i Jugut është premtim solemn yni dhe është një premtim që do të mbahet.

Jam në Master Financë-Bankë. Jam e punësuar në një institucion shtetëror dhe po hasim shumë vështirësi për pagesa. Dikush tha për institucionet e Kosovës, por ne jemi këtu dhe akoma nuk na njihet diploma. Ne jemi diplomuar që në korrik dhe nuk po marrim ende shtesën e pagës. Kujt duhet t’i drejtohemi?

Kryeministri Berisha: Kjo duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet. Jashtëzakonisht e rëndësishme është që ti ke zgjedhur edhe punën edhe shkollë. Ke bërë gjë shumë të mirë. Kjo absolutisht do të zgjidhet.

Përshëndetje, zoti Kryeministër. Në këtë universitet është një degë për elektronikë. Në mandatin tuaj të dytë, ju dhatë fjalën që interneti do të ishte në çdo cep. Ka kompani në rrethin e Beratit që e kanë bërë realitet fjalën tuaj të dhënë. Çfarë politikash lehtësuese do të ndjekë qeveria juaj që këto kompani të përthithin studentët që do të dalin nga ky universitet?

Kryeministri Berisha: Kompanitë e Hightech-ut që punësojnë studentët do t’i kenë tre vjet pa asnjë lloj detyrimi fiskal. Kjo do të jetë nxitja jonë për punësimin e të rinjve. Së dyti, për ne është shumë e rëndësishme të nxisim të rinjtë drejt inovacionit. Kompanie më e madhe e Hightech-ut në vend është INFOSOFT-i. Unë një ditë vizitova këtë kopani, vizitova inkubatorin e inovacionit. Atyre gjeta një numër prej 25-30 të rinjsh, në tërësi studentë të universiteteve private dhe publike, të përzgjedhur me një konkurs dhe procedura serioze. Të gjithë ata punonin në programime të ndryshme. Unë e pyeta udhëheqësin e tyre se çfarë më sugjeronte që ne ta nxisim atë.  Të rinjtë janë kudo në botë programuesit kryesorë. Ai më dha një përgjigje të çmuar. Ju, - tha ai- , këtë që keni bërë këtu duhet ta bëni të ndihmoni dhe kompanitë e tjera të ICT-së që të krijojnë inkubator të tillë. Ne do të bëjmë gjithçka që në këto kompani të nxisim inovacionin. Ne në vitin 2008 në ICT ishim në rritjen më të shpejtë në Evropë, ndërsa në vitin 2011 ne ishim të dytët në botë në rritjen për gatishmërinë e rrjetit. Ne kemi ecur shumë shpejt. E kishim 4.8 përqind përdorimin e internetit, sot e kemi tek 62 përqind. Shqiptarët në Facebook lënë pas disa vende të zhvilluara, për shkak se jemi komb i ri. Ne do të bëjmë gjithçka që të nxisim inovacionin, programimin, ta shndërrojmë Shqipërinë vërtetë në një vend lider në rajon në fushën e programimeve dhe të softe-ve.

Jam studente e Informatikës. Jam nga fshati Dushnik dhe ju falënderojmë për investimet që keni bërë në zonën tonë, ujësjellësi, për rrugën Dushnik-Qereshnik dhe jemi të bindur për investime të mëdha të mëtejshme. Vitet e kaluara kemi votuar majtas, por duke qenë të bindur në mbajtjen e premtimeve dhe investime të mëtejshme jemi të bindur për votimin djathtas. Jemi optimist dhe të bindur për suksesin e politikës tuaj dhe ju do të jeni sërish Kryeministri i ardhshëm. Kur mbaron rruga Berat- Lushnje dhe rruga Berat- Fier?

Kryeministri Berisha:  Edhe unë ju përshëndes ju, i përshëndes edhe banorët e Roshnikut, të Qereshnikut. Jam informuar për shkak të çarjes dhe rrëshqitjes së tokës rruga është carë, por do të rregullohet e do të bëhet siç ishte. Më bënë përshtypje jashtëzakonisht pozitive drurët frutorë dhe ullishtat me të cilat ata kishin veshur shpate të rrëpira të kodrave. Atje pashë njerëz jashtëzakonisht punëtorë dhe kishin potencial edhe më shumë. Ne do të çojmë infrastrukturën në çdo fshat të këtij vendi.

Jam një maturant nga “Babë Dudë Karbunara”. Sipas asaj që kam dëgjuar, thuhet që Berati shquhet për prodhime bio. Ne hasim disa mangësi, të cilat  janë mungesa e marketingut dhe mungesa e teknologëve. Pyetja ime për ju është, a ka menduar qeveria për këto mangësi?

Kryeministri Berisha: Në qoftë se ne do t’i shtrojmë pyetjen vetes se si mund të maksimizojmë fitimin nga prodhimet tona, rruga më e sigurt është prodhimi bio. Dhe për hir të së vërtetës, ka filluar me një vendosmëri të admirueshme.

Unë një muaj më parë vizitova sera në Kosovë të Vogël të Lushnjës. I tërë prodhimi ishte bio. Plehun organik ua çonte me ujë të gjithë bimëve dhe kjo ishte mënyra si i rriste. Ai eksportonte çdo rrënjë sallatë apo çdo gjë që prodhonte aty. Ne nuk kemi shumë tokë bujqësore. Ne jemi vend me tokë për frymë më pak se çdo vend tjetër në Evropë. Ecja drejt prodhimeve bio është rruga më e mençur.

Çfarë do të bëjmë? Ne kemi një fakultet në bio-teknologjisë që po konsolidohet. Ka një shoqatë shumë serioze të prodhimit bio me specialistë të shquar, të zotët, të pasionuar.

Ndërkohë, në grantet që japim ne i kemi dhënë dhe do t’i japim përparësi gjithnjë e më të madhe prodhimeve bio. Prodhimet bio duan një kurajë pak më të madhe nga fermerët. Jam dakord me ty, duan edhe treg. Të garantoj se tregu i tyre do të vijë gjithnjë  në rritje.

Po lexoja dje një shkrim dhe kishin studiuar prodhimet bio dhe ato jo-bio, sa u përket shijeve. Në të gjithë parametrat bio ishte shumë më eprore. Pra nuk është vetëm një ide, por është një realitet që ato janë shumë më të shijshme. 

Shpesh në administratë vërejmë që ka njerëz të përkushtuar, profesionalist, por nga ana tjetër hasim dhe punonjës që jo radhë herë sillen jashtë etikës, jo radhë herë  nuk respektojnë disa rregulla. Kam dëgjuar për hapjen e një universiteti të Administratës Publike, i cili do të jetë në shërbim dhe kualifikime më të gjëra. Kur do të hapet ky universitet dhe a besoni se do t’ia arrijë qëllimit për të bërë kualifikime të tjera?

Kryeministri Berisha: Çështja që shtroni është shumë e drejtë. Burokracia është shumë interesante. Ajo bëhet nga të rinjtë, burra, gra, të moshuar, njerëz të qytetëruar, të sjellshëm, por përbëhet edhe nga mekanizmi i saj. Ky mekanizëm është i pashpirt, jo i gjallë, mbi të cilin funksionon. Shkresa draftohet, ecën në rrugën e saj, përgjigjja e kësaj, etj. Në qoftë se këta punonjës të administratës nuk e kanë parasysh që mekanizmi është mekanizëm, por ata janë qytetarë në radhë të parë, janë me ndjenja, me përgjegjësi, këta qytetarit nuk i ofrojnë njerëzinë, por i ofrojnë mekanizmin e pashpirt burokratik. Kjo është e vërteta dhe është shumë keq.

Çfarë po bëjmë? Së pari, ne po bëjmë gjithçka që proceset t’i dixhitalizojmë. Po bëjmë gjithçka që çdo shërbim dhe jemi shumë afër që çdo shërbim dhe çdo informacion t’ia japim në celular qytetarit. Kjo zgjidh shumë gjëra.

Së dyti, do hapim këtë shkollë e cila është shumë e domosdoshme. Kjo shkollë, pavarësisht nga çfarë je, je ekonomist, jurist apo çfarëdo të jesh, kjo të jep njohuritë më të domosdoshme për të qenë burokrat eficient, për të qëndruar burokrat si nëpunës. Burokrat në vetë-vete është një pasuri e vërtetë kombëtare, se pa atë nuk ka asgjë.

Për këtë shkollë ne po marrim modelin franceze dhe burokracia franceze është njohur si një nga burokraci më eficiente. Shumë rol në tërësi i japin kësaj shkolle. Ne jemi në hapat e parë. Ne do ta hapim atë shkollë dhe bëjmë shumë mirë. Ne kemi një administratë jo të madhe, por ajo duhet të testohet dhe të kualifikohet aty. Dhe  ata që vijnë bëjnë një parapërgatitje për t’u punësuar në administratë. Nuk kam arsye fare të dyshoj, sepse së pari ata që janë emëruar, ata kanë mbaruar këtë shkollë në Francë. Ata janë djem e vajza shumë të zotët.

Së dyti, ne do të kemi shumë Profesorë vizitues, të cilët do të japin mësim. Pardje unë isha në Durrës, ku është një fakultet FASTIP, partneritet publik-privat. Mësova se në atë fakultet, i cili u ngrit me mbështetje të qeverisë Gjermane dhe tani e mbajnë disa nga bankat dhe sipërmarrje të tjera, sillnin profesorë nga e mbarë bota për të dhënë mësim edhe studentët ndiheshin mjaft mirë.

Ndaj edhe te Shkolla e Lartë e Administratës ne do të marrim profesorë të huaj të bashkëpunojnë me profesorët tanë. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo të jetë një histori suksesi.


18/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›