E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet marrëveshjen e arritur në Bruksel, midis Kosovës dhe Serbisë

Sot, në Bruksel, pas negociatash serioze u arrit  marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton dhe mbështetjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për procesin.

Kjo marrëveshje historike  përbën një arritje madhore, tejet të rëndësishme  për  Kosovën dhe Serbinë, normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.  

Marrëveshja e Brukselit ka një rëndësi të madhe  për të gjithë rajonin tonë, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe europian.

Marrëveshja e sotme hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajonin tonë, në përpjekjet e tyre për një të ardhme të përbashkët europiane.

Me këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare përshëndes vendosmërinë, kurajën, vizionin e të dyja palëve, të dy kryeministrave Thaçi dhe Dacic, për arritjen e saj. Përshëndes Baroneshën Ashton për ndërmjetësimin e aftë, të durueshëm dhe të suksesshëm, si dhe mbështetjen e mikut tonë të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që bënë të mundur këtë arritje historike për Kosovën, Serbinë dhe rajonin tonë. 


19/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›