Bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me gazetarët
-Në një traditë tashmë të konsoliduar, unë vij këtu para jush për tu përgjigjur ndaj çdo pyetje që ju dëshironi apo që do të kishit dashur të shtroni gjatë periudhave që keni raportuar për veprimtarinë e kryeministrit apo për zhvillime në vend, por që arsye të caktuara e kanë bërë të pamundur. Ndaj dhe për të mos ju hyrë në kohë ju, le të fillojmë direkt me pyetjet tuaja, pa ndonjë deklaratë të veçantë nga unë.
Pyetje: Ditën e enjte është seanca kur duhet kalojnë tre ligjet që janë kushte nga BE për statusin e vendit kandidat. Keni bërë një ofertë për opozitën për Fierin. A ka opsione, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet brenda këtyre ditëve?
Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Jam i bindur se mendja, sytë e mbarë shqiptarëve janë të drejtuara tek salla e Parlamentit këtë të enjte që vjen nëse do të votohen këto tri ligje të vendosura si para kushte, në mënyrë që rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian të marrë vlerën e plotë. Unë shfrytëzoj rastin edhe njëherë të ftoj z.Rama, të votojmë këto tre ligje, që janë përcaktuese për qëndrimin përfundimtar të Komisionit Europian ndaj çështjes së statusit të Shqipërisë për vend anëtar. Këto tre ligje, u cituan në mënyrë eksplicite nga komisioneri Fyle si kërkesa, në mënyrë që në raportin që Komisioni do ta bëjë më datën 20 nëntor, të japë informacion për vendet anëtare se Shqipëria plotësoi këto tre kërkesa. A do të votohen ato ditën e enjte? Unë dëshiroj, uroj dhe shpresoj që të votohen. Unë besoj se, do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe, para çdo qytetari shqiptar, para ëndrrës Europiane të shqiptarëve, bllokimi në këtë vit të 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë apo votimi kundër faktikisht, në parlamentin shqiptar, për ligjet e kërkuara.
Ju keni dëgjuar një ofertë që unë kam bërë ditët e fundit dhe natyrisht në mënyrë absolute, oferta ime ka synuar dhe ka si synim vetëm hapjen e rrugës dhe krijimin e mundësive, për opozitën që të dalë nga orbita bllokuese, në të cilën është pozicionuar. Dua të informoj qytetarët shqiptar se oferta për të votëbesuar secilin nga të paktën 50 anëtarët që i takojnë kësaj shumice të Këshillit të Qarkut, dhe në rast se z. Rama pranon, do të ishte në të mirën edhe të 43 anëtarëve të Partisë Socialiste, që përfaqësojnë koalicionin e saj në Këshillin e Qarkut pra do të ishte zgjidhja më e ndershme politike. Pretendimet se mocioni nuk ekziston si mundësi janë qesharake, janë një mashtrim i mirëfilltë që ju bëhet nga eksponentë socialistë qytetarëve shqiptarë. Së pari neni 32 i ligjit të qeverisjes vendore, përcakton në mënyrë taksative të drejtën e anëtarëve të Këshillave të Komunave dhe Bashkive, për të zgjedhur dhe shkarkuar, anëtarët e Këshillave të Qarkut, dhe për të gjithë ata që njohin forumet e zgjedhura është ”abc” e tyre, e drejta për të zgjedhur dhe shkarkuar përfaqësuesit, të cilëve u delegojnë pushtetin, por nuk është vetëm kaq. Neni 32 është zbatuar, është aplikuar me mocion mosbesimi nga Partia Socialiste dhe duke u bazuar në këtë nen, Partia Socialiste në Komunën e Bubullimës ka shkarkuar me votëbesim përfaqësuesin e kësaj Komune, i cili ishte i mazhorancës dhe ka vendosur anëtarin e Partisë Socialiste ose anëtarët e këshillit të Partisë Socialiste. Partia Socialiste e ka bërë këtë pa asnjë lloj objeksioni nga ana e Partisë Demokratike, sepse nuk na shkon ndër mend që të vëmë në dyshim të drejtën e Këshillave të Bashkive dhe Komunave, për të zgjedhur dhe shkarkuar anëtarët e Këshillit të Qarkut që përfaqësojnë Bashkinë apo Komunën. Partia Socialiste ka mbledhur firmat, 1/3 e firmave i ka legalizuar për mocion mosbesimi në Divjakë, në Bashkinë e Fierit, në Fier-Shegan dhe në Dremenas, por këtu nuk ka arritur të ushtrojë këtë të drejtë, sepse nuk formon kuorumin. Pra për çfarë e siguroj unë z. Rama. Unë e siguroj z. Rama se do të ushtrohet e drejta e mocionit, ndonëse mos-sigurimi i kuorumit është një e drejtë demokratike. Ata nuk duan të paraqiten, nuk duan të marrin pjesë në votim dhe asnjeri në Shqipëri, asnjeri në Ballkan, asnjeri në Europë nuk e ka shfrytëzuar më keq këtë të drejtë se zoti Rama.
Unë e siguroj z. Rama se anëtarët e këshillave të mazhorancës do të paraqiten në çdo takim të kërkuar për mocion dhe ndaj le ta shndërrojmë këtë ne, për të mos penguar vendin, në një mekanizëm që çertifikon edhe njëherë të gjithë të zgjedhurit e Këshillit të Qarkut, por është absurde nëqoftëse ti mendon se mund të vendosësh dy standarde. Një standard në Bubullimë ku e fitove dhe një standard tjetër në Dremenas ku nuk e fiton dot. Një standard tjetër në Divjakë ku nuk e fiton dot, një standard tjetër në Bashkinë e Fierit ku nuk e fiton dot. Nuk është ky rregulli i qëndrimit ndaj ligjit. Nëse do ligjin, duhet ta njohësh edhe kur produkti i zbatimit të tij është kundra teje. Pra kërkesa ime ishte kërkesë për ti dhënë mundësinë z.Rama të mos lidhë fatin e statusit të Shqipërisë me Qarkun me Këshillin e Qarkut të Fierit, pasi unë jam i bindur se nuk ka qytetar në Fier, të djathtë apo të majtë e pa parti, që pranon të pengohet statusi i Shqipërisë për shkak të Këshillit të Qarkut të Fierit. Por në çdo rast Këshilli i Qarkut të Fierit është një trupë e zgjedhur, jo direkt nga populli, është një trupë e zgjedhur nga Këshilli i Komunës dhe Bashkive të Fierit, ata që të zgjedhin në çdo kohë kanë të drejtë të të shkarkojnë dhe z. Rama e shfrytëzoi plotësisht këtë të drejtë në Bubullimë ku kishte shumicë dhe votoi. Nuk është më shumicë në Divjakë, por megjithatë prova do të ishte që ne, si forca politike, për zgjidhje politike të kërkonim që këshilltarët tanë të jenë të pranishëm dhe të votohet në vullnetin e tyre të lirë për këshilltarin e Bashkisë Divjakë, Komunës Dermenas, e Komunës Fier-Shegan, e Bashkisë Fier, e kudo tjetër të bëjmë një mocion. Nuk ka gjë më të paimagjinueshme se të përdorësh një pretekst të tillë.
Unë ju them shqiptarëve se nga shtatori, fillimi i sesionit parlamentar deri në ditën e djeshme, në parlament janë votuar 29 ligje e marrëveshje dhe nga këto 29 ligje e marrëveshje, 22prej tyre janë votuar me konsensus nga shumica dhe pakica. Si mund të justifikojë një kastë të tillë bllokuese z. Rama, kur ka votuar 22 ligje të tjera? Pra ky është një vullnet shumë i qartë për të bllokuar procesin e integrimit, por përgjegjësinë e merr më të rëndë se ky shekull. Nuk ka përgjegjësi më të rëndë se kjo. Pse do e bllokosh? Urdhëro që në mënyrë ligjore të organizojmë mocione. Pastaj, nëse ti kërkon të mbash shumica që nuk i ke, jo more zotëri! Këshillat e Komunave dhe të Bashkive nuk janë kryesitë e partisë tënde që ti i ndërton sipas qejfit tënd, ato dalin me votë të lirë dhe vota e tyre është numëruar më elektronikë dhe me sy, nuk është gatuar siç gatove një javë e dhjetë ditë votat e asambleistëve. Është situatë krejt tjetër. Uroj që ti votojë. Më është kërkuar që pas fjalimit kryesor të Kryeministrit, të mund të pranohet të ndryshohet Rregullorja dhe ta marrë fjalën kryetari i opozitës. Plotësisht dakord! Dhe jo 2 minuta siç parashikon Rregullorja por 10 minuta. Dhe kjo u konsiderua kompromis. Tani Z. Rama thotë jo. U largua prej tij dhe e pranoi. Për fat të mirë kësaj radhe, ata që e propozuan ishin përfaqësues të institucioneve të tjera jo shqiptare dhe unë e pranova. Tani z. Rama thotë jo sepse sipas tij duhet të shpallim dy kryeministra. Kjo nuk mund të ndodhë. Ka një protokoll dhe në demokracitë më të vjetra të Europës, ky protokoll e vendos kryetarin e opozitës në nivel ministri dhe këtu e kemi vendosur edhe ne duke marrë atë shembull. Dy kryeministra nuk mund të vendosë kush as me Kushtetutë, as me Rregullore. Jua thashë në Parlament, imagjinoni që në tetë vitet e qeverisë së tyre të kisha qenë unë kryeministri i dytë. E kuptoni vetë ju sesi do të dukeshin ata. Por kjo nuk lejohet. Pavarësish se unë isha ish-president, unë vendin e kisha kryetar opozite dhe e respektoja. Çështë kjo e ethe e tmerrshme e tij për tu shpallur kryeministër me ligj dhe jo me vota? Ai harron se kjo e dëmton, nuk e ndihmon, ia largon dhe votat. Ju garantoj që po. Se e keni vënë re, që sapo del tani thotë “ Unë, kryeministri i ardhshëm”. Mirë të paktën rri me të tashmën se i ardhshëm duket si reja në horizont që ikën e largohet. Kjo është e tëra. Kur të kapin ethet, se unë jam mjek dhe janë shumë problematike dhe këtë e kanë kapur ethet e pushtetit dhe e vërteta është se nuk di çfarë bën. Të orientohet e ka të vështirë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, muaji nëntor është muaji i 100 vjetorit të pavarësisë, por lidhet edhe me emrin e Kryeprokurorit të Përgjithsëm. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike a po negocion me Kreun e Shtetit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm?
Kryeministri Berisha: E kam theksuar se në Kushtetutën e Shqipërisë kjo është kompetencë e ekskluzive e Presidentit të Republikës. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka bindjen se Presidenti do të përzgjedhë një personalitet apo personalitete, me integritet, me eksperiencë dhe natyrisht të fushës së pushtetit gjyqësor. Po të ishte për mua, unë do të kisha bërë zgjedhjet e mia. Unë jam kryeministër. Nuk më përket mua ajo.
Pyetje: Lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm, rritja ekonomike më e ulët se parashikimet, e ka bërë më të mprehtë problemin e menaxhimit të borxhit dhe ju shtron para dy alternativave. Një politikë fiskale shtrënguese edhe për vitin e ardhshëm, me qëllim mbajtjen sa më të ulët të difiçit dhe borxhit në funksion të stabilitetit makro ekonomik ose alternativa tjetër, një politikë fiskale me agresive për ti dhënë ekonomisë një nxitje por duke marrë përsipër rriskun e një borxhi më të lartë që në këto kohë nuk ëhstë rrisk i papërfillshëm. Ju cilën alternativë do të përzgjidhni?
Kryeministri Berisha: Lidhur me buxhetin, sërish ky buxhet do të jetë buxheti më i madh në historinë e këtij vendi dhe kjo është dëshmia më e qartë e performancës ekonomike. Përsa i përket rritjes ekonomike vjetore, unë e di që ju keni dëgjuar shifra të ndryshme dhe natyrisht keni konsideruar, ose keni pasion të citoni më së shumti shifrat e institucioneve të huaja. Dakord. Vetëm se si gazetar i një televizioni tashmë të profilizuar në problematikën ekonomike, unë do t’ju kërkoja njerëzisht, të bëni një kontroll të shifrave të shpallura nga të tjerë dhe ato të qeverisë shqiptare në ato të 2-3 viteve të fundit. E vërteta është se rritja ekonomike në secilin vit, ka rezultuar në fund të vitit, të jetë dy ose trefish i vlerave të shpallura nga institucionet ndërkombëtare. Në qoftë se ju ndoqët dy institucionet më të serioze, FMN dhe BB, që të dyja dhanë parashikimet, që dallojnë 50% nga njëra-tjetra. Tani, cila është e vërteta? E vërteta është se vlera e rritjes, e shifrës së rritjes, është një vlerë relative. Por përsëri, unë jam shumë i bindur, se ky vit do të mbyllet me një vlerë shumë të përafërt me atë që kemi shpallur ne buxhetin e dhjetorit që shkoi. Ku e bazoj unë këtë bindje. E bazoj këtë bindje sepse siç e keni parë, rritja e tremujorit të dytë të këtij viti ishte katër herë më e madhe se rritja e tre mujorit të parë të këtij viti dhe në mënyrë më evidente, tremujori i tretë i këtij viti, kulmoi me një fluks turistik të paparë pra ishte një tremujor që pati një zhvillim ,ose pati një intensitet të madh të shkëmbimeve ekonomike në tërësi. Unë besoj se fakti që tetë mujori në tërësi, u mbyll me 25.6 % rritje të shitjeve në tërësi, dëshmon se tremujori i tretë, ka qenë ose duhet të ketë qenë shumëfish i tremujorit të dytë, pra unë nuk mund të them se do të jetë pikë për pikë sa ç’kemi parashikuar, por mund të them se mund të jete shumë e përafërt me parashikim.
Vitin që vjen ne jemi zotuar të qëndrojmë në një borxh publik rreth 60%, plus minus 2%. Këtij zotimi ne do i përmbahemi, por tani në qoftë se duam të hyjnë në doktrinë, personalisht jam i bindur se, duhet të shmangim gjer në inekstremis ato masa që cenojnë rritjen ekonomike. Çfarë ndodh me këtë praktikën e quajtur të osteritetit. Kjo praktikë, në asnjërin nga këto vendet që po i nënshtrohet dhe që janë të detyruara ti nënshtrohen se nuk paguajnë dot borxhin, jo vetëm që nuk po ndihmon të dilet nga recensioni, por po thellon më tej recensionin sepse sa më shumë të presësh shpenzimet, natyrshëm aq më tepër ti cenon ndikimin e komponentit publik në rritjen ekonomike dhe në qoftë se rritja nuk dëmtohet, dëmtohet ekonomia në tërësi. Pra krijon një rreth vicioz.
Disa muaj më parë Mario Monti, i cili është absolutisht një nga ekonomistët më të shquar kërkoi të operohej me një rreth virtuoz. Dhe cili ishte rrethi virtuoz që propozoi Monti? Monti propozoi, që rreth 70 miliard euro detyrime ndaj kompanive të ndryshme, tu jepet me terma tregtare, pa u kalkuluar si rendim borxhi në mënyrë që të ndikohet mbi- prodhimi. Tani imagjino në qoftë se një mekanizëm financiar shkatërron biznese efiçente se çfarë dëmi kolosal i bën ekonomisë. Ndaj nuk mund të jem kurrë për ato masa, të cilat dëmtojnë rritjen ekonomike. Kjo e para. Së dyti, sot ka një debat të madh mbi taksat dhe nivelin e tyre. Ky debat është me spektër të gjërë, nga taksa e Spiro Kolekës, që don të kthejë Edi Raman nën programin e Partisë Socialiste, taksë e cila çoi shqiptarët dhe rrënoi me shpejtësi të rrufeshme atë që mund ta quajmë borgjezi shqiptare, e cila me sipërmarrjen e saj krijonte të mirat materiale dhe dihet ku përfundoi Shqipëria, tek taksa që prekin disa nivele më të larat dhe përjashtojnë nivele të tjera. Sot ka një përpjekje të madhe për të gjetur se çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj taksave. Ku qëndron qeveria jonë. Ne besojmë tek taksat e ulta dhe do të bëjmë gjithçka, që të lehtësojmë barrën fiskale të sipërmarrjes. Kur deklaron se nuk do të pranojmë masa që kërcënojnë rritjen, dhe këtu natyrisht është kontributi i sektorit publik, jam shumë i vetëdijshëm se këto masa nuk mund të jenë lider dhe përcaktuese. Lider dhe përcaktuese në ekonomi është sektori privat ndaj dhe ne këtu kemi filluar të lehtësojmë barrën fiskale. Ne hoqëm TVSH-në për të gjitha makineritë, vendosëm njëherë një prag 500 mijë euro, por biznesi fason dhe biznese të tjera u drejtuan, se nga kjo ne nuk përfitojmë fare. Hoqëm TVSH-në për ndërtimin e hidrocentraleve, për çimenton dhe çelikun, dhe po studiojmë rast pas rasti, ku ne mund të ndikojmë në lehtësimin e biznesit. Nuk them se këto qëndrime janë 100% të sigurta në efektin e tyre, por një gjë është 100% e sigurt, se në qoftë se Shqipëri nuk ra në recension, siç thotë dhe FMN dhe Komisioni Evropian e të gjitha institucionet, nuk ra për shkak të refomave që bëmë për biznesin. Pra, ato reforma që nxitën biznesin mbrojtën ekonominë shqiptare. Bënë që ajo të ketë katërfishin e rritjes në krahasim me mesataren e rritjes së Rajonit. Prapë dhe njeherë të kthehem tek rregulli i Thelbsit. Unë i besoj atij rregulli. Ai rregull thotë mos merr borxh për asgjë tjetër përveçse për investimet, ne do të investojmë do të ruajmë nivelin maksimal të mundshëm të investimeve. Praktika 5 vjeçare dëshmon sukses të plotë, sepse shifrat tregojnë se nga 2008 deri më sot, borxhi është luhatur me 2-3%, ndërkohë që vende të cilat kanë ndjekur paketën e ashpërsisë të përgjysmimit të shpenzimeve, të uljes drastike të rrogave dhe pensioneve, ato kanë pasur për rezultat dyfishimin dhe mbiqyfishimin e borxhit. Kështu që ne i qëndrojmë kësaj me besimin e plotë se duke nxitur bizneset ne do të mbrohemi nga kriza dhe unë mendoj që kjo është një nga arritjet më të mëdha në të gjithë historinë ekonomike të këtij vendi. Imagjinoni ju ç’po ndodh me vendet e tjera.
Pyetje: Problemi i CEZ, drejtues të lartë të bordit e kanë bërë të qartë tashmë dëshirën e tyre për tu larguar nga Shqipëria dhe janë duke kërkuar një derë për të dalë. Një largim i CEZ do të kishte pasoja për imazhin e Shqipërisë duke pasur parasysh investitorët, për problematikën që ka pasur CEZ edhe me institucionet dhe a do të ishte e gatshme qeveria shqiptare ta merrte nën menaxhim Operatorin e Shpërndarjes?
Kryeministri Berisha: Lidhur me CEZ. Njëherë duhet të jeni të sigurt ju dhe qytetarët shqiptarë, se çdo marrëdhënie e kësaj qeverie me korporatën e CEZ dhe çdo sipërmarrje tjetër të huaj është një marrëdhënie kryekëput transparente. Në rastin e CEZ dhe në rastin shpërndarjes së energjisë, marrëdhënia është transparente, analizat nuk janë vetëm të palës shqiptare dhe të palës së CEZ-it, por janë tashmë dhe të institucioneve ndërkombëtare. Gjithçka zhvillohet në përputhje me ligjet e vendit, ka apo nuk ka kapacitet qeveria shqiptare për administrimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Unë gjykoj, dhe kjo është me tregues jo vetëm me gjykim, ato kanë qenë më mirë se ç’janë sot. Humbjet sot janë më të mëdha, kjo jo se CEZ nuk ka bërë përpjekje për një menaxhim, sepse CEZ ka qenë më interesuar se kushdo tjetër, por faktikisht humbjet janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Përsa i përket borxhit të sipërmarrjeve publike, ato janë të gjitha llogari transparente. Ekziston një borxh i caktuar, por aspak përcaktues në përformancën aktuale të sipërmarrjes së shpërndarjes së energjisë elektrike, kjo është e thënë dhe qytetarët duhet ta dinë. Po bëhet gjithçka. Janë angazhuar fonde shumë të mëdha që energjia të mos mungojë një ditë të vetme, një orë të vetme për shkak të furnizimit, tjetër problem çështja e pagesave, pasi energjia duhet të paguhet patjetër, ose për defektet teknike.
Pyetje: Keni deklaruar se vitin e ardhshëm do të rriten rrogat e arsimtarëve dhe pensionet, ku e bazoni deklaratën tuaj në një kohë kur dihet se kriza është ende e pranishme?
Kryeministri Berisha: Së pari është një politikë konstante e kësaj qeverie rritja e rrogave dhe pensioneve dhe shpreh kënaqësinë time, se ka patur një qëndrim të palëkundur në këtë drejtim edhe në rastet kur është shpallur me gërma kapitale se qeveria nuk ka lek për të paguar rrogat, qeveria ka rritur rrogat një muaj më vonë, dhe në rastet kur është shpallur me të madhe se nuk do të rriten pensionet, qeveria ka rritur pensionet. Sot qeveria është vendi i vetëm që në një hark kohor 6 vjeçar ka rritur rrogat e arsimtarëve, infermierëve, mjekëve dhe disa kategorive të tjera nga 120 deri në 150 % . Ka rritur pensionet e ulta me mbi 100%, ka rrrtur pensionet e ulta me mbi 120% , pra ka ngushtuar në mënyrën më të ndejshme diferencën mes rrogës mesatare dhe rrogës maksimale të zyrtarëve më të lartë. Ishte 1 me 9 krahasuar me rrogën e kryeministrit dhe 1 me 11 krahasuar me presidentin dhe është ngushtuar kjo në 1 me 4.5 dhe do ngushtohet më tej. Kjo politike ka pasur një efekt tjetër jashtëzakonisht pozitiv. Ka udhëhequr një proces, i cili solli ngushtimin me shpejtësi të madhe të një diference jashtëzakonisht të papranueshme, diferencë gjinore në rroga. Kjo diferencë gjinore në vitin 2005 ishte 36%, dhe kjo jo se ligji përcaktonte që mesuesi të merrte me shumë se mësuesja, por se pozicionimet në piramidën e administratës apo jashtë saj ishin të tilla, saqë në total diferenca dilte 36% dhe kjo sot është 17.7% ndërkohë që mesatarja e BE është 17,.6%. Pra kemi kapur mesataren dhe kemi lënë prapa 10 vende anëtare. Sot nuk ikën kush më nga arsimi, sot nuk ikën kush më nga sistemi i shëndetësisë. Ka një motivim shumë më të madh nga administrata, kështu që rritja do të behet. I vetmi komplikim është se viti që vjen është vit zgjedhjesh dhe do të behet ajo një muaj para datës së zgjedhjeve apo dy javë pas datës së zgjedhjeve, kjo do të përcaktohet, por opozita nuk ka të drejtë morale të ngrihet kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve, me pretekstin se po bëhen për zgjedhje pasi ato janë rritur çdo vit. Do ta quaja normale protestën e saj në qoftë se këto rritje nuk do të kishin qenë rritje të përvitçme. Ndaj dhe e ftoj opozitën, e cila ka votuar me fanatizëm shtatë vjet kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve, të braktisë këtë praktikë, të behët zemer gjërë dhe të votojë rritjen e rrogave dhe pensioneve edhe këtë vit ndonëse theksoj këtu se ky nuk është ligj me 3/5, rrogat dhe pensionet do të rriten.
Natyrisht fitimtarin në zgjedhjet e qershorit do e përcaktojnë zgjedhësit shqiptarë, por një gjë është. Ju i ndoqët zgjedhjet e fundit, më të mëdhatë në botë, më të kushtueshmet në histori. Kush i fitoi? I fitoi ai që çdo javë, çdo muaj, çdo vit kishte realizuar ndryshimin. Edhe kandidati Romney premtoi ndryshim, madje ju tha qytetarëve se ndryshimi i vërtetë jam unë, por midis fjalës dhe veprës, qytetarët amerikan besuan veprën. Qytetarët e Ohajos votuan sepse u shpëtuan miliona vende pune në industrinë automobilistike. Qytetarët shqiptarë kenë një vetëdije të thellë, se ndonëse se rrogat po ulen kudo, në Shqipëri po rriten, dhe konstatojnë se papunësia po bëhet e lemerirshme në vendet e tjera, kurse kutu po ulet.
Kush ishte nga ju me mua në Grykën e Drinit në Lapaj, a e imagjinoni ju në ato gërxhe u krijuan 2500 vende pune. 2500 vende pune në atë terren, të lëvizura 200 mijë metër kub shkëmb, 20 mijë metër kub beton. Mbi atë hidrocentral ishin edhe të tjerë në ndërtim e sipër. Të gjitha ndërtohen jashtë kamerave tuaja. Më thonë se ne grykën tjetër që shkon drejt Shishtavecit, janë në përfundim e sipër 5 të tjera dhe po kjo kompani më informoi se në dhjetor përfundojnë 3 HEC-e në Lurë dhe kudo në Vithkuq, Martanesh etj. Pra ka një Shqipëri që ju nuk e shihni, që është jasht kamerave tuaja por një Shqipëri që punojnë dhjetëra mijëra vetë. Pra mora këtë aspekt. Aspekti tjetër që do të thoshte një opozitar "vrapova në të katër anët dhe nuk po gjej kund një rrugë të pa asfaltuar"! Jo ka, por nuk shkojnë, nuk e mundojnë vetën kaq shumë për të shkuar aq larg, por po asfaltojmë kudo. Këto janë pasaportë besimi, por jo votimi. Votimi është projekti i Shqipërisë së zhvilluar. Pra të gjitha fushat do të vendosen në një plaformë, në një alternativë, e cila bën që Shqipëria pas katër viteve të kapë nivelet e vendeve të zhvilluara. Tani ka kapur disa nga treguesit më thelbësor të tyre, por janë dhjetra e dhjetëra të tjerë që ajo duhet ti kapë dhe jam i sigurtë. Për këto do të votojnë. Për çfarë do të votojnë qytetarët shqiptarë? Për bllokimin, kush është ai që mund të votojë bllokimin, kurrë. Apo për taksën progresive, apo premtimin që do t'ju heq taksën e xhiros dhe do t'ju vendos TVSH-në. Cili biznesmen i vogël mund të besojë z. Rama kur e di që për tabëlen, të cilës i vinte emrin e djalit ose të vajzës ose të vetin, duhet të paguante një milion lekë. Njerëzit kanë memorje dhe tani ju thotë "nuk do të keni këto taksa do t'jua heq por do ta rregullojmë vjeljen ndryshe. Çafrë do të rregullosh pasi ti heqësh. Më thoni ju mua nëse i heq çfarë do të vjelësh? Ndaj dhe rezultatin do ta përcaktojnë zgjedhësit por zgjedhësit në tym nuk votojnë. Zgjedhësit janë të kthjellët në arsyen e tyre, në vizion e tyre, do të votojnë vizionin tonë
Pyetje: Ju folët gjatë për buxhetin, por nuk ka fare erë naftë, në fakt paratë e Alpetrolit do të përdoren vitin e ardhshëm nëse ato janë të sigurta?
Kryeministri Berisha: Lidhur me fondet e Alpetrolit. Kurorëzimi me sukses i atij procesi, detyron qeverinë që në përputhje me angazhimin e shpallur solemnisht, çdo dollarë i atij privatizimi të kthehet në mirësi për qytetarët shqiptarë. Ky është qëndrimi im i palëkundur dhe do të bëjmë gjithçka që ajo të kthehet në një levë të fuqishme të ndikimit direkt në jetën e qytetarëve shqiptarë. Asnjë lidhje nuk ka me zgjedhjet ky problem. Absolutisht. Sepse në qoftë se u referohemi fondeve të mobilizuara këto vite, ato janë në interes të qytetarëve shqiptarë, ato janë shumë e shumë herë më të larta sesa këto që po flasim tani. Mos harro vetëm një gjë se në rast se vetëm për rimbursimin e ilaçeve përpara janë përdoruar maksimumi 50 milion dollarë, sot ky rimbursim është minimumi 250 milion dollarë. Në rast se për ujësjellësa dhe kanalizime, në tetë vite investimet kanë qenë pothuaj inegzistente dhe në tetë vite nuk numërohen me gishtërinjë e dorës ujësjellësat e ndertuar, në këto vite janë investuar më shumë se gjysëm milion dollarë në ujësjellësa dhe kanalizime, pra janë investuar miliarda e miliarda dollarë në infrastrukturë, janë investuar shuma të mëdha në ndihmën ekonomike, në rritjen e rrogave dhe pensioneve pra çdo e ardhur do të konvertohet në një mirësi personale për çdo qytetar shqiptarë.
Pyetje: Edhe për prokurorin folët pak. Mund të na bëni një identikit si ai duhet të jetë në fakt dhe a mund të na thoni nëse grupi parlamentar i PD-së do të votojë çdo kandidaturë që do të sjellë presidenti apo do të behën edhe bisedime mes presidentit dhe mazhorancës, meqë ajo ka votat për të përmbushur dekretin e tij?
Kryeministri Berisha: Kjo pyetje nuk duhej të më drejtohej, sepse është njëlloj sikur të më thuash mua sikur të ishe president. Tani shqiptari i vetëm që ka deklaruar se ka hequr dorë në mënyrën më përfundimtare dhe e ka të shkuar endrrën presidenciale, jam unë. Atëherë a me mbetet mua e drejtë morale të imagjinoj se cili do të ishte prokurori i përgjithshëm ideal për Sali Berishën? Jo nuk harxhoj as edhe një milisekond për të menduar këtë gjë. Kreu i shteti ka kompetencën kushtetuese të përzgjedhjes. Natyrisht kandidatura do të vlerësohet, por unë kam besim se do të jetë burrë apo grua, djalë apo vajzë me aftësitë dhe integritetin e domosdoshëm për atë detyrë të rëndësishme.
Pyetje: Në kalkulimet tuaja është më mirë që PD të dalë bashkë me LSI në zgjedhjet e ardhëshme apo të dalë e vetme duke qenë se këto kohë është aluduar shumë për një koalicion mes PDIU dhe LSI për zgjedhjet e ardhëshme?
Kryeministri Berisha: Siç e dini, historikisht PD është paraqitur në zgjedhje me aleancat më të gjëra. Natyrisht çdo forcë politike është në detyrimin e saj të marrë vendimet në interesin më të mirë të rezultateve të saj. Forcat politike gjatë periudhës ndërmjet zgjedhjeve kanë në mënyrën më të padiskutueshme interesa më të para, interesat e vendit. Në periudhën e zgjedhjeve ato kanë interesat partiake por në funksion të interesave të vendit, sepse secila prej tyre beson dhe ka në program shërbime ndaj vendit të vet dhe shoqërisë, por mundësia për t’ju përgjigjur këtyre shërbimeve përcaktohet në një shkallë të caktuar nga rezultati zgjedhor. Një gjë është e sigurtë që ky koalicion katër vjeçar, ka realizuar në katër vjet, ndryshime më të mëdha se në çdo mandat tjetër në historinë 20 vjeçare të këtij vendi. Po, në të gjitha rrafshet. Mos harroni edhe njëherë konsideroj të një rëndësie të jashtëzakonshme faktin se Shqipëria mbeti një ishull në raport me krizën lugubre, krizën e rëndë Europiane, dhe ishte kjo qeverisje që bëri të mundur suksesin e reformave, është kjo qeverisje, e cila zhvilloi, konsolidoi një garë të paprecedentë në historinë e një vendi, në rrafshin e energjisë së rinovueshme. Unë e di se kur deklarova për hërë të parë, “Shqipëria superfuqi e energjetike rajonale”, nuk ishin të paktë ata që rendën të hapnin gazetat e tyre me gërma kapitale me këtë deklaratë, të bindur se do të mund të më bënin përgjegjës një ditë për deklaratën time, kurse sot kjo po bëhet realitet çdo ditë dhe më shumë. Kjo qeverisje hoqi vizat, bëri që shqiptarët të lëvizin si zonja dhe zotërinj në Europë pa viza. Kjo qeverisje realizoi një fitore të thellë të shkëlqyer në zgjedhjet lokale. Kjo qeverisje rriti në mënyrë persistente rrogat dhe pensionet. Kjo qeverisje nëpërmjet reformave serioze bëri që Komisioni Europian, dhe këtu nuk mohoj dhe rëndësinë që pati reforma zgjedhore, votimin nga opozita dhe të ligjit të imunitetit, pra kjo ishte një qeverisje e sukseseve të padiskutueshme. Janë dy Shqipëri, njëra është Shqipëria e titujve të gazetave dhe për fatin më të keq, jua them këtu në mënyrën më miqësore pasi si në asnjë vend tjetër të planetit, Shqipëria e gazetave është Shqipëria e kronikës së zezë. Si një mik me respekt absolut për shtypin, ndiej një keqardhje shumë të thellë, kur seria e tërë e gazetave të vendit tim, gazeta serioze, gazeta me redaktor, kryeredaktor, drejtora serioz profesionist, hapen me gërma kapitale me kronikën e zezë dhe kjo është një sëmundje. Nëqoftëse mendohet se dëmtohet qeveria me këtë, absolutisht jo. Jua them unë atyre, ndonjë udhëhiqet nga kjo se dëmtohet qeveria i them trashi dy herë më shumë gërmat, dëmtohet shtypi, përkundrazi ajo që mbetet po të lexoni në doktrinën e marrdhënieve publike do të konstatoni lehtësisht se nuk e dëmton. Pra është njëra Shqipëria e titujve me gërma kapitale të kronikës në gazeta, është tjetër Shqipëria e qindra mijëra proceseve, akteve, punërave që zhvillohet çdo ditë dhe çojnë përpara këtë vend. Kjo nuk do të thotë se unë nuk i lexoj gazetat, i lexoj dhe do ti lexoj edhe më shumë. Unë shpreha një preokupim, se nuk ndodh në ndonjë vend. Kronika nuk injorohet në asnjë rrathanë, dhe kjo është merita, por të rrish siç ndodh këtu, që një zonjë e nderuar për probleme të caktuara depresive kryen një akt fatkeq shumë dhe të merren dy ditë mediat me të, unë në mënyrën më miqësore do tu kërkoja të rishqyrtonin një qëndrim të tillë mediat, sepse absolutisht nuk u shërben atyre. Unë e kuptoj se po ti ndodhë një celebriteti, do të merren nuk them se jo, ndodhi me Uitney Houston, u mor e gjithë bota, ajo ishte një superstar i dashur për të gjithë simpatizantët e saj në mbarë botën. Uroj dhe shpresoj që mediat ti kthejnë pak sytë drejt Shqipërisë tjetër, dhe ajo është Shqipëria e përditshme, por Shqipëria ka një spektër larg së qenurit ideale, por një spektër me një realitet tjetër, me zhvillime të papërmbajtuar.
Pyetje: Ligji i buxhetit përcakton në një nen të tij që buxheti duhet të dërgohet në parlament brenda 1 nëntorit të vitit aktual, pse është tejkaluar ky afat?
Kryeministri Berisha: Buxheti është në përfundim, kanë qenë disa takime ndërkombëtare intensive, të cilat kanë vonuar disa ditë, por shpresoj që javën që vjen të shkojë në parlament dhe do të ketë ato karakteristika të cilat unë i paraqita para grupit parlamentar dhe pjesërisht dhe këtu para jush.
Pyetje: Një ditë më parë parlamenti hodhi në votim kërkesën e grupit të PS për një komisioni hetimor për SHIU. Pse mazhoranca po heziton në hetimin e ministrisë së mbrojtjes?
Kryeministri Berisha: Absolutisht mazhoranca nuk ka asnjë hezitim për hetimin në përputhje me Kushtetutën të çdo ministrie, të çdo personaliteti, të çdo agjensie, të çdo funksionari dhe zyrtari, por neni 77 i kushtetutës, kur përcakton detyrat e parlamentit dhe të komisioneve në tërësi parlamentare, pika 3 e këtij neni, sanksionon se parlamenti ngre komisione për çështje të veçanta. Çfarë benë zotërinjë socialiste, të cilët kanë ndërmarrë në këtë 100 vjetor të pavarësisë së vendit, sulmet më banale, më të padenja kundër Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Imagjinoni ju të nderuar gazetarë dhe gazetare. Viriabël e deklaratave të tyre për abuzimin me pronat e Ministrisë së Mbrojtjes, në një kohë kur në të gjitha ligjet e vendit kjo ministri, nuk ka tagër, nuk ka kompetencë, nuk ka mundësi të shesë qoftë edhe një metër katror tokë apo pronë të këtij vendi, absolutisht jo. Procesi i shitjes së pronave dhe privatizimi i tyre, është një proces tërësisht transparent. Ministria e Mbrojtjes në përputhje me një dekret të Presidentit të Republikës, që është dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, disponon qindra prona, të cilat janë përdorur më parë nga ushtria dhe tashmë nuk ekziston më ajo ushtri, ekziston një ushtri tjëtër. Nga një ushtri e shpërndarë në 4 mijë pika, sot është një ushtri gazermash e përqendruar në një numër të kufizuar pikash dhe ata çdo ditë në një amoralitet total, akuzojnë ministrinë se po shet pronat dhe po shpërndan pronat. Ministria nuk ka bërë dhe nuk bën dot asgjë tjetër veçse atë dosje të pronës e dorëzon në Ministriën e Ekonomisë dhe Ministria e Ekonomisë pasi e verifikon edhe njëherë bën edhe vlerësimet përkatëse. As ajo nuk e shet por e dorëzon në MInistrinë e Financave, ku është një drejtori që merret me shitjen, ankandin, dorëzimin pronarëve etj.
Pra pasi u angazhuan në një fushatë të pa precedentë kundër forcave tona të armatosura që bëjnë përfaqësimin më të shkëlqyer, që në këtë 100 vjetor janë aty ku ndodhen njësitë më të shkëlqyera të NATO-s, në Afganistan, Bosnje e gjetiu, pasi deklaruan dy muaj rrjesht më parë se na ka përgjuar Shërbimi i Ushtrisë dhe kur i përgjoi Kryetari i tyre nuk folën fare. Kjo është në Guine, të hyjë kryetari dhe të përgjojë partinë e vet. Pra si përfundoi bllofi i përgjimit, përfundoi dhe bllofi i pronave, tani sollën komisionin. Si e sollën kërkesën për komisionin?! Të hetojmë zbatimin e ligjit nga Ministria e Mbrojtjes. Në qoftë se ka një çështje të përgjithëshme, me të përgjithëshme se çdo gjë tjetër është zbatimi i ligjit, dhe natyrisht vetëm e veçantë nuk mund të jetë. Pasi e panë se kjo nuk mund të përtypej kurrsesi e tërhoqën dhe sollën tjetër, të hetojmë zbatimin e ligjit në Shërbimin Informativ. Shërbimi Informativ është institucion që ngrihet me ligj, përsëri të përgjithëshmen dhe e vutë re ju dje nuk bënë asnjë diskutim për të mbrojtur objektin e hetimit, sepse nuk mund të mbrohej. E patë ju parlamentin sesi ulën kokat. Pra të gjithë këtë e kanë një zhurmë qëllim të keq. Besojnë se në këtë mënyrë do të mund të errësojnë sadopak suksesin e jashtëzakonshëm të Forcave tona të armatosura, si në shërbimin në NATO, suksesin e tyre shumë të madh në përballimin e situatës emergjente civile në vend, në reforma të tjera më të thella dhe në asgjësimin e municioneve të rrezikshme. Nga mesi i vitit të ardhshëm ne do të jemi vendi i parë nga të gjitha vendet ish komuniste të çliruara përfundimisht nga municionet e rrezikshme të trashëguara gjatë 50 viteve të fundit, pra nuk kemi të bëjmë këtu me asgjë tjetër veçse me politika të tipit të të ndjerit alla Trebicka, me zhurma, bllofe sepse z. Rama më shumë se me çdo gjë tjetër ushqen veten e tij dhe mbështetësit e tij me bllofe, duke kaluar nga bllofi në blof.
Pyetje: Nga ajo çfarë kuptova unë në lidhje me aleancën me LSI-në ju i keni lënë derën e hapur asaj për bashkëpunim, por LSI nuk duket kaq e bindur?
Kryeministri Berisha: Edhe në 2023 për të mos shkuar pak më tutje
Gazetarja : Shumë më mirë, por problemi është tek LSI që nuk duket shumë e bindur se çfarë do të bëjë deri në 2013 pasi nuk kanë deklaruar aleancë me PD. Nga ana tjetër është PS që i lë derën e hapur LSI-së nëse largohet nga qeveria për koalicion dhe jo më larg se dje z. Rama ka folur për një koalicion shumë të gjërë ku përshin FRD, aleancën Kuq e Zi. A i druheni këtij koalicioni të madh?
Kryeministri Berisha: Nuk është ashtu. Z. Rama dhe PS-ja në mënyrën më të pa precedentë. Ju kujtohet ajo aleancë me ato vetëm për të mundur Berishën, por le ta bëjnë me këto dhe me ato, e sigurtë është që vetëm në atë mënyrë Berisha nuk mundet, përkundrazi i rriten pikët. Tani është e vërtetë që z. Rama duke qenë i dënuar për të mos qenë lider në çështje kryesore, është mjeshtër i detajit pasi ky hyn në detaje dhe mbetet e nuk del dot prej tyre dhe në detaje ky përfundon gjer në naivitet fëminor qesharak. Ka kaq muaj që fton LSI-në ik nga qeveria dhe hajde këtu tek unë. Problemi i tij i parë i madh si të jetë Berisha kryeministër në 100 vjetor dhe këtë e krijon vetë ai, një gjë për të cilën ai nuk ka ndonjë përgjegjësi direkte përveç udhëhejes së forcës së tij politike dhe e shndërron në një dramë të madhe përsonale, e përjeton me vuajtjen më të madhe, shkon deri në atë shkallë sa i thotë partisë që qeveris, lëre qeverinë dhe hajde tej unë. Po çfarë jeti që të vij tek ti !? Thirrje të njeriut të dëshpëruar, thirrje e njëriut që merret me çdo lloj detaji, me fijen e barit merret për të shpëtuar, i mbyturi që gjen edhe fijen e barit, në vend që të kritikojë qeverinë. Tani cfarë thotë? Se njëra pjesë e qeverisë më pëlqen, pjesa tjetër nuk më pëlqen po kjo që më pëlqen të vijë tek unë. Keni dëgjuar ju analiza të tilla, megjithatë unë e përgëzoj, e rëndësishme është që me 28 do të jemi të dy në Vlorë, të nderojmë Ismail Qemalin, të nderojmë etërit e pavarësisë. Por ti nderojmë ama, jo me qëndrimet hoxhiste të vjetra. E dëgjoja sot se kishte deklaruar se nuk do të marr pjesë në funeralin e Mbretit, paçka se gjyshi i tij dhe jo vetëm gjyshi, ka qenë i lidhur me familjen mbretërore, por problemi i tij është ky, se ka gjyshin tjetër nga Koleka dhe këtij tjetrit i rroftë biblioteka. Historinë e duam me gjysh Kolekën dhe jo me këtë, i cili ka qenë mbretëror. Lidhur me familjen e Mbretit është kontrovers, e ka shumë të vështirë të përcaktojë qëndrimin në çështje kryesore ndërsa në detaje është mjeshtër. U thoshte të rinjve dje se gjyshi im ka pasur bibliotekë ndaj dhe unë u bëra mik i librit. Sa më detyroi ti them atë që i thash që gjyshi im ka pasur vetëm lloje të ndryshme armesh por kjo nuk më pengoi për të qenë mik i librit.
Pyetje: A keni një përgjigje konkrete se kur i mbaron mandati Ina Ramës në muajin nëntor apo në muajin maj?
Kryeministri Berisha: Kryeministri merret shqyrton vetëm afat kohore të emertesës së kryeministrit. kryeministri nuk ka tagër por dhe as vullnet që të humbasë kohë për të shqyrtuar afate kohor të mandatve të cilat janë jashtë kompetencave të tij. Ka besim të plotë tek Presidenti i Pepublikës dhe ushtrimi nga ana e tij të kompetencave që i jep Kushtetuta dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Pyetje: A ka parashikuar qeveria se kur do jepet kësti i dytë i ish të përndjekurve?
Kryeministri Berisha: Do ta marrë çdo i përndjekurt politik. Ka filluar të shpërndahet, vonesa e shkurtër që është vënë re disa muaj më parë nuk ka pasur asnjë lidhje me mungesë fondesh, ka qenë një amendim i ri i ligjit. Amendim i ligjit i cili përcaktoi si detyrim dhënien me përparësi të këstit të dytë personave me moshë mbi 65 vjeç dhe dhënies së shumës së tërë personave me moshë mbi 82 vjec në mos gaboj. Ligji ka qenë në zbatim, një muaj më parë përfunduan së marri këstin e dytë personat me moshë mbi 65 vjeç dhe tani janë shpallur mbi 200 emra të atyre me moshë nnë 65 vjec, ky është proces në vazhim i pa nderprerë dhe i tillë do jetë, do të kompletohet në afatin ligjor i cili ëhstë vitin 2017.
Pyetje: Desha të kthehesha edhe njëherë tek çështja e Fierit. Rama tha se kompromisi juaj për mocion është i jashtëligjshëm dhe në vedn të kësja ju duhet të zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese?
Kryeministri Berisha: Kemi të bëjmë me një qëndrim të dubluar të z. Rama. Kur zbatimi i ligjit shkon në favor të tij z. Rama e pranon, por kur zbatimi i ligjit shkon në drejtim të kundërta z. Rama nuk e njeh. Ju lutem pyeteni, megjithëse ai e ka alergji këtë punën e pyetjeve tuaja, prapë pyenei, z. Rama pse e pranon mocionin që ke bërë në Bubullimë dhe ke rrëzuar me mocion përfaqësueist e PD? Pyeteni pse ke mbledhë firma në Bashkinë e Divjakës për të bërë mocion për anëtarin e Këshillit të Qarkut, pse e keni bërë këtë në Bashkinë e Fierit, në Dremenas dhe në Fier Shegan? Unë besoj se nuk ëhstë koha të luajmë me fjalë, këto janë fakte të regjistruara të dokumentuara dhe të përdorësh pretendime vulgare si këto, të përpiqesh të fshehësh të vërteta si këto për të penguar statusin e vendit tënd, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, bën një veprim shumë të pa studiouar, por unë uroj që ta rishqyrtojë përsëri oferat ime është shumë e ndershme, është e drejtë, është parimore dhe në rast së z. Rama dëhsiron unë jam i gatshëm që nesër për të bërë mocion mos besimi të gjithë këshilltarët e qarkut të Fierit të shumicës po të dojë edhe të pakicës. Pse ka frikë të numërojë votat njëriu që bërtiti dy vjet hap kutitë tani nuk do q ëtë përcaktohet me vota por do me tavolinë, me tavolinë unë nuk mund ta përcaktoj. Oferta ime ëhstë kjo shpresoj ta pranojë dhe jo të më thotë s enuk ekziston mocioni, po në Bubullime pse e shkarkoi përfaqësuesin tonë.
Pyetje: Shtatë muaj na ndajnë nga koha e zgjedhjeve, nëse në partitë e tjera shikohet një angazhim në strukturat e brendëshme shohim se në PD ende nuk po ndoh një gjë e tillë. Kemi sekretar e kryetar që ju ka mbaruar afati i rizgjedhjes?
Kryeministri Berisha: PD ka filluar punën para dy muajsh për zgjedhjet dhe mund tu them se konstatohet një klimë shumë e favorshme. Ka një fluks të pa precedent antarësimesh në këtë parti dhe e gjitha kjo është konsolidim i fibrës së saj, është një parapërgatitje për një fitore të thellë në qershorin që vjen.
Faleminderit.
10/11/2012