Bashkëjetesa: Sa dhe si është kuptuar?
Termi “bashkëjetesë” tashmë nuk është më i panjohur për një rreth të gjerë njerëzish. Shumëkush e di se bashkëjetesa është vendimi i një çifti për të jetuar së bashku nën të njëjtën çati, por pa kryer aktin martesor. Por edhe pse dihet se çfarë është ky koncept, përsëri ende nuk është pranuar në mënyrë të gjerë nga shoqëria shqiptare, e në veçanti nga femrat dhe nga nënat e tyre. Kjo ndoshta edhe për faktin se një pjesë e tyre nuk e kanë kuptuar se cili është qëllimi i shpikjes së nocionit bashkëjetesë. Një zgjidhje e re që na erdhi nga Perëndimi, si parandalim i martesave të nxituara dhe si rrjedhim edhe si parandalim i divorcit e më tej i rritjes së fëmijëve me prindër të ndarë.
Të jetuarit së bashku është krejt ndryshe nga fejesa, apo nga periudha ku dy të rinj dalin çdo mbrëmje, argëtohen dhe më pas secili shkon në shtëpinë e vet. Bashkëjetesa të përball me të mirat dhe të këqijat e personit që ke zgjedhur. Të jep mundësinë ta njohësh në hollësi partnerin tënd në veprime të zakonshme, të jep mundësinë të kuptosh veten tënde me një njeri tjetër në shtëpi, i cili tanimë do të thyejë privatësinë tënde. Kalohet nga një jetesë ku çdo gjë është e jotja, në një tjetër ku çdo gjë është e përbashkët, që prej krevatit e deri te sirtarët e peshqirët. Përballja me këtë jetesë është e vështirë, por me shumë vlerë, sepse ndihmon që çiftet të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Por jo vetëm kaq, kjo jetesë të përball edhe më zënka, sherre, e përplasje herë-herë edhe të pakuptimta e të panevojshme, situata që të japin mundësi të reflektosh. Të gjitha këto ndodhin edhe në martesë, por ndryshimi i madh qëndron në faktin “liri dhe pronësi”. Gjatë martesës partnerët e shohin njëri-tjetrin si pronë, dhe kjo nuk i lejon ta kuptojnë tjetrin, apo dëshirat dhe nevojat e secilit. Gjë që nuk ndodh në bashkëjetesë, sepse kushdo e di që është i lirë të qëndrojë apo të largohet. Pikërisht kjo liri të jep mundësinë ta njohësh tjetrin, të reflektosh, të mësosh të bashkëjetosh edhe me defektet e njeriut të dashur, dhe të kuptosh nëse është njeriu i duhur për të kaluar jetën.
Por këtu në Shqipëri duket se bashkëjetesa nuk po funksionon, ose më saktë nuk po funksionon në atë që përfaqëson ajo në thelb. Prindërit dhe shoqëria shqiptare nuk e pranojnë dot termin bashkëjetesë. Sapo të shohin të shoqëruar me dikë, të kërkojnë të fejohesh e të martohesh. Ky presion i ka detyruar vajzat e reja, që as mos ta provojnë këtë jetesë, ose ta bëjnë fshehurazi. Madje në thelb vajzat shqiptare e pranojnë bashkëjetesën vetëm si një urë të sigurt drejt martesës. Shumë prej tyre, studente në kryeqytet, apo studente jashtë Shqipërisë, vendosin të bashkëjetojnë me dikë, pa u treguar prindërve të vërtetën. Dhe presin se si do të shkojnë punët. Nëse më pas fejohen, u tregojnë prindërve, nëse jo, atëherë gjithçka harrohet.
Fshehja e bashkëjetesës është një veprim që tregon më shumë sesa thjesht frikë ndaj prindërve, apo dëshirë për të mos i shqetësuar ata. Akti i fshehjes në të vërtetë është miratim i kundërshtimit që prindërit kanë ndaj këtij fenomeni.
Të gënjesh për atë çfarë bën, do të thotë të mos kesh fuqinë dhe aftësinë për të mbrojtur veprimet e tua, duke treguar pasiguri në vetvete dhe në bindjet që ke. Duke gënjyer nuk mund t’i bindësh të tjerët për rrugën që ke zgjedhur, veçse rëndon më tepër fajësinë dhe varësinë tënde ndaj opinionit të të tjerëve.
Fshehja e bashkëjetesës tregon se femrat shqiptare ende nuk janë bindur për vlerat e këtij modeli, dhe ndoshta kjo është arsyeja që duan ta fshehin atë. Duke qenë se martesa është kërkesa kryesore dhe e vetme që u bëhet nga të gjithë, atëherë femrat edhe bashkëjetesën e fshehtë e vënë në funksion të këtij qëllimi, duke harruar që vlera kryesore e jetesës nën një çati, është jo vetëm njohja e partnerit, por edhe e vetvetes. Gjatë bashkëjetesës ke mundësinë të zbulosh sjellje dhe tipare të karakterit që nuk ia njihje vetes, sepse dikur gjithçka të sillej në tabaka nga prindërit e tu. Bashkëjetesa bën që edhe gjërat e vogla e të parëndësishme në dukje të marrin rëndësi të madhe, duke të zbuluar karakterin tënd të vërtetë; kështu mund të kuptosh egoizmin tënd, inatin, aftësinë për të falur, për të kërkuar falje, si dhe aftësinë apo paaftësinë për të marrë vendime.
Zbulimi i karakterit personal dhe atij të partnerit, të bën të kuptosh se kush je në të vërtetë dhe çfarë kërkon nga personi që ke përballë. Dhe nëse partneri që ke zgjedhur nuk është i duhuri, bashkëjetesa të ndalon të bësh hapin e rëndësishëm drejt martesës. Nëse prindërve u paraqet të vërtetën e ndërprerjes së kësaj lidhjeje, padyshim që do të të kuptojnë, mbështesin dhe përkrahin. Sepse, as ata nuk dëshirojnë një martesë të gabuar.
Bashkëjetesa gjithashtu të jep lirinë nga ndikimi prindëror dhe ai fisnor. Marrja e një hapi të tillë, të lejon të vendosësh vetë për jetën tënde. Të mos ndikohesh nga dëshirat e prindërve, për t’u martuar me patjetër, e as nga ato të fisit të cilët të urojnë të martohesh, edhe pse sapo kanë marrë vesh për një divorc që ka ndodhur pikërisht për mospërputhje të dy partnerëve të martuar nxitimthi.
Të qenit i aftë për të marrë vendime të pavarura, të jep mundësinë të vlerësosh realisht njeriun që ke përballë dhe të kuptosh dëshirat e tua. Kjo mundësi të siguron që çfarëdolloj vendimi të marrësh në të ardhmen, do të jesh e sigurt për të, sepse e ke ndërmarrë vetë, pa ndikimin e askujt. Dhe të kesh aftësinë të marrësh vendime, do të thotë përparim, do të thotë të ngjitesh më lart në shkallën e emancipimit njerëzor.