Lekët e përmbytjeve i blen karamele
Lekët e dëmshpërblimit për përmbytjet e këtij fillim viti, ka vendosur t’i shpenzojë për të blerë karamele. Kjo është mënyra origjinale që ka zgjedhur një banor i zonës së Nënshkodrës për të shprehur pakënaqësinë ndaj shifrës qesharake që do të marrë si dëmshpërblim për bagëtitë që ia përpiu uji. Lush Ndoci, banor i fshatit Trush, ka mësuar se pas vlerësimit të bërë nga komisioni i verifikimit të dëmeve do të marrë 5 mijë lekë për bagëtitë e ngordhura, ndonëse ato kanë qenë dhjetëra kokë.
Në shenjë ironie, ai nuk ka shkuar ende për të tërhequr lekët e dëmshpërblimit dhe me 5 mijë lekë ka shkuar për të blerë karamele, të cilat ua ka shpërndarë nxënësve të shkollës së fshatit dhe bashkëfshatarëve të tij. Duke folur për gazetën “Shqip”, Lush Ndoci sqaron se: “Jam munduar të gjej rrugën për të kërkuar atë çfarë më takon, por tashmë është e kotë. Kam qëndruar për 6 javë i mbuluar nga uji dhe dhjetëra bagëti më kanë ngordhur. Madje, dëmi im është filmuar dhe nga mediat. Në një kohë që unë prisja të më vlerësonin dëmin real, komisioni i verifikimit të dëmeve më ka vënë dëmshpërblim 5 mijë lekë të reja, kur në të vërtetë kam pësuar një dëm prej 4-5 milionë lekësh të vjetra. Në këto kushte kam vendosur që të mos shkoj të marr shumën qesharake dhe ato lekë që komisioni i verifikimit ka vendosur të më japë, i kam nxjerrë nga xhepi im dhe bleva karamele. Këto do t’ua shpërndajë banorëve të fshatit Trush dhe nxënësve të shkollave për “shyqyr që kemi shpëtuar” dhe për “shyqyr që qeveria na dëmshpërbleu””. Madje Ndoci ka vendosur që pasi të shpërndajë karamele në fshatin e tij, do të vazhdojë në disa zona të tjera të Nënshkodrës. Ditët e fundit banorët e Nënshkodrës kanë zhvilluar shpesh protesta, për mënyrën dhe masën e përllogaritjes së dëmshpërblimeve të shkaktuara nga përmbytjet e këtij fillimviti.
#