E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE: Situata e bllokuar, të nisë dialogu

Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës mblidhet urgjentisht për situatën në Shqipëri Të rifillojë pa vonesë funksionimi demokratik i institucioneve

Rritet në reaksion zinxhir reagimi i faktorit ndërkombëtar për krizën politike në Shqipëri. Këshilli i Europës ka reaguar sërish dje, duke lëshuar një deklaratë të dytë mbi krizën politike në vend, ku theksohet në mënyrë të qartë se situata në Shqipëri mbetet e bllokuar, ndaj do të duhet rinisja e menjëhershme e dialogut politik në Parlament ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.

Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës (APKE), që përbëhet nga kryetari i asamblesë, krerët e grupeve parlamentare dhe reporterët për Shqipërinë, është mbledhur dje në Strasburg dhe miratoi një deklaratë mbi zhvillimet në Shqipëri. Në këtë deklaratë theksohet se “byroja e asamblesë është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve legjislative në qershor 2009, pavarësisht nga kthimi i pjesshëm në Parlament i deputetëve socialistë të opozitës, në vijim të vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare në Tiranë në shkurtin e kaluar”. Më pas Asambleja Parlamentare e KiE-së bën një kronologji të ngjarjeve në vend, ku thekson se më 25 shkurt, deputetët e Partisë Socialiste hynë në Parlament dhe bënë betimin, pasi bojkotuan për gjashtë muaj punimet parlamentare, duke kushtëzuar prezencën e tyre në Parlament me aprovimin e dy projektligjeve që kishin përgatitur, për të cilët pretendojnë se janë hartuar që t’i bëjnë zgjedhjet e qershorit 2009 plotësisht transparente. Më 19 mars, Parlamenti aprovoi një projekt-vendim për ngritjen e një komisioni hetimor mbi zgjedhjet legjislative të qershorit 2009. Në mungesë të një marrëveshjeje mes dy partive kryesore, lidhur me mandatin e këtij komisioni hetimor, deputetët e Partisë Socialiste refuzuan të marrin pjesë në këtë komision. Mbledhja e tij është shtyrë dhe nuk është mbajtur”. Pas përcaktimit të situatës aktuale politike në Kuvend, Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës lëshon edhe qëndrimet e saj, që janë në fakt kërkesa për politikën shqiptare: “Duke pasur parasysh këtë bllokim të situatës, si dhe faktin se, si manifestimet e partive të opozitës, ashtu edhe ato të partisë në fuqi duhet të zhvillohen më 30 prill dhe 1 maj 2010, Byroja e Asamblesë u bën thirrje të gjithë drejtuesve politikë të garantojnë rifillimin e dialogut politik brenda Parlamentit dhe të sigurojnë mbështetjen e popullit në këtë proces demokratik. Të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë aktivisht dhe në vazhdimësi në punimet e Parlamentit. Duhet të rifillojë pa vonesë funksionimi demokratik i institucioneve të shtetit, me qëllim që të çojë përpara reformat urgjente të nevojshme për integrimin europian të vendit”. Në fund të deklaratës, Byroja e Asamblesë Parlamentare jep edhe një variant për zgjidhjen e krizës, që në fakt është dhënë gjatë vizitës së saj në Tiranë më 22 shkurt, por që nuk gjeti konsensus, pasi është kundërshtuar nga opozita. Në deklaratë theksohet se “byroja sjell në vëmendje gjithashtu mundësinë, tashmë të përmendur gjatë vizitës së Komitetit Presidencial, për Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me qëllimin e hetimit që do të zhvillohet nga komisioni parlamentar, veçanërisht për sa i përket rihapjes së kutive të votimit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›