E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkëjetesa fetare, virtyt i shqiptarëve”

20-08-2012 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës Bujar Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, duke u shprehur se ndjehet i nderuar për urimin e parë si President.
“Është kënaqësi e madhe që urimin e parë si President i Republikës t’jua drejtoj të gjithë besimtarëve myslimanë dhe bashkëkombësve të mi: Gëzuar Festën e Fiter Bajramit”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit të Republikës.
“Bajrami i Madh vjen pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të sakrificës, të paqes dhe dashurisë për njëri- tjetrin. Ky është një rast për të festuar, kur myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit. Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet!”.
Presidenti Nishani gjen rastin të urojë gjithë popullin shqiptar që ka shfaqur gjithmonë një nga virtytet e tij më të mëdha, bashkëjetesën fetare.
“Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar njerëzimin përpara. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin”, deklaroi kreu i shtetit shqiptar, në mesazhin e urimit për Fiter Bajramin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›