E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëkryetari socialist: Sistemi gjerman të ruhet i pastër

• Bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, ka kundërshtuar opsionin e partive të vogla në lidhje me sistemin gjerman të përshtatur me atë shqiptar. Islami është shprehur se nëse do të pranohet të diskutohet mbi sistemin gjerman zgjedhor, ai duhet të pranohet ashtu siç është. “Sistemi gjerman zgjedhor ka një prag prej 5%, 2 vota në 2 fletë të veçanta për kandidatin dhe partinë, duke lënë në fuqi fenomenin ‘Dushk’ dhe kërkon zgjedhje me listë të mbyllur”, është shprehur  Islami. Duke sqaruar pretendimet e partive të vogla, Islami tha se, “nëse do t’i përmbahemi një sistemi zgjedhor, ai duhet të merret me të gjitha detajet që ai ka, ndryshe ai s’mund të quhet më gjerman, apo spanjoll, nëse në të kemi vendosur parametra në përputhje me parti të ndryshme”. Sipas bashkëkryetarit socialist të komisionit të reformës zgjedhore, një tjetër variant i parapëlqyer nga socialistët mbetet edhe ai spanjoll, i cili është një proporcional rajonal. “Në fillim duhet të përcaktojmë nëse do të kemi një sistem gjerman, gjerman të përmirësuar apo ndonjë sistem tjetër, si ai spanjoll. Pas përcaktimit të sistemit do të diskutojmë edhe për çështjet e tjera, siç është ai i pragut. Për ne socialistët nuk është problem, nëse pragu mbetet kaq sa është, apo rritet akoma”, është shprehur Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›