Shefi i qarkullimit: Me këto rrugë, Zoti i ruajt shoferët
• “Banorët e zonave rurale që qarkullojnë për në Shkodër dhe anasjelltas, i ruajt Zoti”.SHKODER/ Ritvan Dibra Me këto fjalë ka përshkruar situatën e rrugëve që lidhin Shkodrën me qytetet e tjera e komunat e saj vetë shefi i qarkullimit, Dritan Bonaj. Bashkë me drejtuesit e tjerë të policisë rrugore në Qarkun Shkodër, ai ka qenë i pranishëm në një takim të organizuar nga prefekti Maxhid Cungu në lidhje me sigurinë rrugore në këtë qark. Prefekti Cungu, nisur edhe nga shifrat e aksidenteve rrugore, të numrit të madh të viktimave si dhe mbi marrjen e masave për të përballuar situatën e vështirë që mund të krijohet gjatë dimrit me ngrica dhe reshje dëbore, ka iniciuar një takim të tillë. Gjatë këtij viti janë shënuar 101 aksidente me 40 persona të vdekur dhe 122 të plagosur. “Infrastruktura rrugore tejet e shkatërruar e këtyre rrugëve, mungesa totale e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, nuk na bën gjë tjetër vetëm se të themi na ruajt Zoti, pasi nuk kemi se çfarë të bëjmë”, pohoi në fjalën e tij shefi i qarkullimit. E sikur të mos mjaftonin këto mangësi të infrastrukturës, sipas shefit të policisë rrugore, ky sektor nuk disponon as mjetet e duhura për të mbikëqyrur këto akse rrugore. Më problematiku, njëkohësisht më i rrezikshmi për jetën e udhëtarëve është cilësuar aksi i Dukagjinit, ku muaj më parë humbën jetën 12 persona. “Me ardhjen e dimrit, për shkak të rrugëve të vështira dhe mbulimit të tyre nga bora, zona të tëra rrezikojnë të mbesin të izoluara, sidomos në rrethin e Pukës”, është shprehur shefi i qarkullimit në Pukë, Avdi Harlicaj. Sipas tij, kjo parashikohet të ndodhë dhe për faktin se në të gjithë rrethin ekziston vetëm një borëpastruese, e cila nuk dihet nëse punon apo jo. Aksi rrugor Pukë-Fushë Arrëz, në një gjatësi prej 25 km është një ferr i vërtetë për drejtuesit e mjeteve, kryesisht në dimër. Shqetësim më vete në këtë rreth janë edhe mungesat e tabelave në të gjitha akset rrugore. “I vetmi aks rrugor që mund të themi se i ka nja 6-7 tabela, edhe ato janë të kohës së Partisë së Punës, që nuk përshtaten fare me standardet e tabelave bashkëkohore që ka në pjesën tjetër të vendit. Pa harruar se në këtë aks rrugor lëvizin me mijëra kosovare që duan të kalojnë pushimet në Velipojë apo edhe në Shëngjin”, tha Harlicaj. Gjatë këtij takimi, prefekti i Shkodrës ka kërkuar që të merren masa të menjëhershme për të kompletuar nga personat përgjegjës asket rrugore me sinjalistikën e duhur dhe njëkohësisht të ndëshkohen të gjithë ata persona që do t’i dëmtojnë tabelat. Po ashtu, Cungu deklaroi se do të ketë ndëshkime për punonjësit, të cilët nuk kryejnë siç duhet detyrën që u takon. “Në qoftë se shteti nuk ka mundësi që të bëjë një rikonstruksion të plotë të rrugëve, të paktën të shikohet mundësia që të mbyllen gropat, me qëllim që ato në një farë mase të bëhen të kalueshme”.101 aksidentepër shkaqe të ndryshme janë shënuar në Qarkun e Shkodrës që nga fillimi i këtij viti, duke regjistruar 40 persona të vdekur e 122 të plagosur25 kmështë aksi nacional rrugor Pukë-Fushë Arrëz,i konsideruar nga shefat e qarkullimit si më i rrezikshmi për udhëtarët, kryesisht në dimër12 veteka qenë bilanci më tragjik në një aksident të vetëm rrugor të ndodhur në qarkun Shkodër këtë vit, pikërisht në zonën e Dukagjinit