E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policë privatë për ruajtjen e kamerave

24/03/2009  KQZ diskuton për angazhimin e forcave të rendit gjatë zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të pajtojë policë privatë për ruajtjen e kamerave që do të monitorojnë procesin e numërimit të votave gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë më 28 qershor të këtij viti. Gjatë diskutimit mbi udhëzimin për caktimin e detyrave të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë gjatë periudhës së zgjedhjeve anëtarët e KQZ-së ngritën shqetësimin mbi ruajtjen e kamerave. “Këtu na shfaqet një problem për monitorimin e kamerave. Mund të organizojmë ruajtjen me policë privatë ose të paktën me patrullë lëvizëse”, - tha kryetari i komisionit Arben Ristani. Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialist në KQZ Genci Gjonçaj propozoi që detyrimin për ruajtjen e kamerave ta ketë kompania që do të fitojë tenderin. Më pak i shqetësuar në këtë mes për këtë çështje ishte përfaqësuesi i LSI-së Ilirian Muka. “Pse ore, kamerën do të vjedhin? Ne kemi hallin mos na vjedhin rezultatin”, - tha ai. Më tej palët gjykuan të arsyeshme ta lënë diskutimin për ditët në vijim. Pas diskutimeve KQZ-ja miratoi rastet dhe kriteret e përdorimit të forcave komando me urdhër të ministrit të Brendshëm dhe të Mbrojtjes. “Ndalohet përdorimi i forcave komando dhe forcave të tjera të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore, përveçse me urdhër me shkrim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, kur këto forca nevojiten për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, ose në zëvendësim të punonjësve të Policisë së Objekteve. Ky urdhër në rastet e planifikuara i dërgohet KQZ-së 5 ditë para hyrjes në fuqi dhe menjëherë në rastet e veçanta”, - u riformulua pika 4 e neni 3. Sipas këtij udhëzimi, punonjësit e forcave të Policisë së Shtetit të ngarkuara me detyra zgjedhore përveç uniformës dhe dokumentit të identifikimit janë të detyruara që gjatë ushtrimit të detyrës të mbajnë armatim personal brezi (pistoletë). Ato janë të detyruara të mbajnë edhe automatik në rastet kur ngarkohen me ruajtjen e objekteve zgjedhore gjatë natës dhe gjatë shoqërimit të kutive të votimit nga qendra e votimit në vendin e numërimit të votave. Përjashtohen rastet kur janë ngarkuar të ruajnë godinën ku është caktuar vendi i numërimit të votave. Është pikërisht KQZ-ja ajo detajon edhe procedurat që ndiqen nga punonjësi i Policisë së Shtetit gjatë shoqërimit të materialeve zgjedhore pas mbylljes së procesit të votimit.

“Jo” targave private në zgjedhje

Angazhimi i mjeteve private të policisë ishte një tjetër shqetësim që anëtarët e komisionit dhe përfaqësuesi politik shprehën gjatë mbledhjes së djeshme. Gjatë diskutimit mbi kapacitetet që ofron policia për përdorimin e automjeteve të saj gjatë periudhës zgjedhore, anëtarët konkluduan në kufizimin në maksimum të përdorimit të mjeteve private të policisë. “Mendoj se nuk ka policia mjete me targa civile të dallueshme. Nuk duhet të lejojmë përdorimin e mjeteve private”, - tha Gjonçaj. Ndërsa anëtari i PS-së Artan Laze propozoi që policia të vërë në dijeni KQZ-në për automjetet që do të përdorë. “Përdorimi i automjeteve me targa private duhet të jetë shumë i kufizuar. Policia duhet që 10 ditë para zgjedhjeve të sjellë në KQZ targat dhe shenjat dalluese të automjeteve që do të përdorë”, - propozoi ai. Sipas palëve, në këtë mënyrë përjashtohet përdorimi i mjeteve private nga punonjës ose strukturave të Shërbimit Informativ Shtetëror, që janë të ndaluara me ligj të marrin pjesë në ngjarjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet apo në veprime që mund të ndikojnë në vullnetin e zgjedhësve. Sipas udhëzimit të miratuar nga KQZ-ja, qarkullimi i forcave të policisë të ngarkuara me detyra zgjedhore bëhet vetëm me mjete policie dhe vetëm në rast se kërkohet ndërhyrja e tyre respektivisht nga KQZ-ja, KZAZ-ja ose nga KQV-ja. Mjetet e përdorura prej policisë duhet të kenë shenja dalluese që tregojnë se ato janë të ngarkuara me detyra në funksion të zgjedhjeve.

Të mandaturit jashtë QV-ve

Përfaqësuesi i PS-së Genci Gjonçaj i kërkoi dje KQZ-së që në vendimet dhe udhëzimet e saj të citojë listën e personave, sipas Kodit Zgjedhor, që duhet të qëndrojnë në ambientet e qendrave të votimit. “Kemi eksperienca që në QV-të janë futur edhe njerëz me mandate. Ndërkohë që Kodi përcakton se aty mund të qëndrojnë anëtarët dhe sekretari i KQV-së, zgjedhësit që janë duke kryer procedurat e votimit dhe vëzhguesit”, - tha ai.

Dorëzojnë propozimet vetëm PD dhe PSD

Ngritja e KZAZ-ve, PS dhe PR shkelin afatet

Partia Socialiste dhe Partia Republikane janë dy partitë politike që kanë shkelur afatet ligjore në limitet e tyre për dorëzimin në KQZ të propozimeve për anëtarë të

komisioneve të zonës së administrimit zgjedhor (KZAZ). Në këtë mënyrë, si çdo proces tjetër zgjedhor, forcat politike i shlyejnë detyrimet me vonesë, duke detyruar kreun e institucionit të administrimit të zgjedhjeve të apelojë. “Do të ketë aksion tjetër nga KQZ-ja për të bërë thirrje që ju të realizoni detyrat tuaja. Kanë prurë propozimet e tyre vetëm Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokratike”, - tha kryetari i komisionit Arben Ristani. Mungesa e propozimeve për anëtarë të KZAZ-ve nga dy parti dështon në këtë mënyrë ngritjen e këtyre komisioneve brenda afateve të Kodit Zgjedhor. Ndërkohë që detyrimi ligjor parashikon që brenda dy ditëve KQZ-ja të miratojë ngritjen e tyre në 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë, por Komisioni Qendror nuk mund të veprojë, pasi është në pritje të emrave të socialistëve dhe republikanëve. Kodi Zgjedhor në nenin 28 të tij parashikon afatet për ngritjen e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor. “Vendimi për ngritjen e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor merret nga KQZ-ja jo më vonë se 90 ditë para ditës së zgjedhjeve. Partitë politike propozojnë kandidaturat përkatëse për anëtar të KZAZ-së jo më vonë se 15 ditë para afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni”, - thuhet në këtë nen. KZAZ-ja përbëhet nga 7 anëtarë (2 anëtarë propozohen nga PS-ja, 2 nga PD-ja, 1 anëtar nga PSD-ja dhe 1 nga PR-ja) dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja. Ndërsa anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga PD-ja, kurse gjysma tjetër nga PS-ja. Në këtë nen përcaktohet gjithashtu se, nëse partitë politike që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e caktuar, atëherë kjo e drejtë u kalon partive të radhës brenda grupimit përkatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›