E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunim ekonomik, komision dy palësh Shqipëri- Pakistan

TIRANE- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot në takim Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Republikës Islamike të Pakistanit, znj. Fahmida Mirza.

Ministri Haxhinasto theksoi nevojën për organizimin e Komisionit të Përbashkët Dypalësh, i cili do të shërbejë për thellimin e bashkëpunimit në fushën energjetike, të bujqësisë, por dhe në fusha, si arsim, kulturë etj, duke nënvizuar rëndësinë e afrimit dhe bashkëpunimit mes dy komuniteteve të biznesit.

Ai sugjeroi dhe një takim të përfaqësuesve të Dhomave të Tregtisë mes dy vendeve për të nxitur investimet e biznesit respektiv. Duke theksuar nevojën e kuadrit ligjor në këtë drejtim, Haxhinasto vlerësoi rëndësinë që duhet të marrë miratimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh.

Nga ana e saj Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Republikës Islamike të Pakistanit, znj. Fahmida Mirza, pasi falënderoi për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë vendit të saj në organizatat ndërkombëtare, si dhe në luftën kundër terrorizmit, shprehu besimin në zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme në të ardhmen.

Duke vlerësuar kontributin e Shqipërisë në Afganistan, kryetarja e Parlamentit të Pakistanit theksoi se pa paqe në Afganistan, nuk ka paqe në gjithë rajonin. Më tej ajo nënvizoi rëndësinë që Pakistani i kushton zhvillimeve në Afganistan si dhe luftës kundër terrorizmit. Lidhur me ketë betejë, ajo shtoi se Pakistani kërkon mbështetje ndërkombëtare.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›