Bashkëpunim me Britaninë për të dhënat kriminale
Shkëmbimi i informacionit mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe për luftën ndaj krimit. Kjo është marrëveshja që ka nënshkuar ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Fiona Mcllwham. Nënshkrimi i marrëveshjes simbolizon shkallën e lartë të besimit që ka fituar policia shqiptare nëpërmjet punës dhe rezultateve të kësaj pune. Dhe një shkallë të re të bashkëpunimit, e cila sot ndërtohet me policinë britanike, është në planifikim dhe ndërtim e sipër me policitë e disa prej vendeve të tjera të mëdha të BE. Duke shprehur bindjen se nënshkrimi i marrëveshjes me Britaninë e Madhe do të japë rezultate të prekshme brenda një kohe të shkurtër, Ministri Basha theksoi edhe njëherë vullnetin e qeverisë Berisha për luftë me tolerancë zero kundër krimit të organizuar për ta bërë Shqipërinë vendin me koston më të lartë dhe fitimet më të ulëta për krimin e organizuar.
Ndërsa ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Znj. Fiona Mcllwham e cilësoi marrëveshjen një mjet të rëndësishëm që do të ndihmojë në bashkërendimin e punës mes strukturave policore shqiptare dhe britanike. Kjo marrëveshje do të thellojë edhe më tej bashkëpunimin mes të dy vendeve. Policia shqiptare ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe transkufitar dhe qeveria britanike do të japë mbështetjen e plotë për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në këtë luftë,-u shpreh Ambasadorja Mcllwham.