E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunim me holandezët për heqjen e predhave

14/04/2009  Në bregdetin e Vlorës

VLORE- Bashkëpunimi i parë i ushtrisë shqiptare me vendet e NATO-s do të jetë heqja e predhave në bregdetin e Vlorës. Sot pritet të nisë dhe stërvitja e parë e përbashkët, pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO, “Albania Lions ‘09”, ku përkrah forcave shqiptare ushtarake detare dhe tokësore marrin pjesë mjete dhe forca nga ushtria e Mbretërisë së Holandës. Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes në stërvitjen, e cila do të nisë ditën e martë në mënyrë intensive do të ketë një grup zhytësish holandezë, në bashkëpunim me zhytësit tanë ushtarakë, të cilët do të punojnë për pastrimin, largimin dhe çaktivizimin e municioneve të mbetura nën ujë, në zona të ndryshme të bregdetit vlonjat. Sipas të njëjtave burime, së bashku me 4 anijet tona ushtarake të Flotiljes detare të Jugut në operacionin stërvitor marrin pjesë edhe mjete lundruese dhe forca ushtarake detare holandeze". Stërvitja e koduar “Albania Lions ‘09” do të vijojë në ishullin e Sazanit, ku trupat speciale detaro-tokësore do të kryejnë stërvitje të përbashkëta. Predhat ne bregdetin e Vlorës janë kthyer shpeshherë në vëmendjen e opinionit, pasi janë gjetur mjaft prej tyre në gjendje mjaft të mirë dhe jo larg brigjeve ku numri i pushuesve është mjaft i lartë. Kjo do të jetë një nga aksionet ku shpresohet që shumë prej tyre të largohen dhe të mos përbëjnë më rrezik për qytetarët. Ndërkohë kjo stërvitje do të pritet me interes pasi është bashkëpunimi i parë me aleatët holandezë pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›