Vlora pa ujë, shkak shiu i natës
14/04/2009 Që prej orës 4 të mëngjesit së ditës hënë në rubinetet e qytetarëve vlonjatë mungon uji për shkak të një defekti në një prej stacioneve kryesore të Ujit të Ftohtë, çka ka bërë që më shumë se 100 mijë qytetarë të mbeten pa ujë. Sipas kreut të ujësjellësit të Vlorës Viron Hysi, shkak për këtë defekt kanë qenë prurjet e reshjeve të së hënës në mëngjes, ku uji që ka ardhur nga kodra përmbi stacion ka bërë që pompat të përmbyten dhe për pasojë të dalin jashtë funksionimit. Sipas kreut të ujësjellësit, sapo është konstatuar ky defekt janë nisur grupet e teknikëve, të cilët kanë zbritur me vinça në stacion për shkak të terrenit të vështirë dhe kanë çmontuar tri pompat që furnizojnë me ujë qytetin. Pas çmontimit deri rreth orës 17:00 pompat janë tharë dhe janë montuar përsëri, duke u vendosur në punë. Vetëm në orët e mbrëmjes është bërë e mundur rikthimi i ujit të pijshëm në rubinetet e abonentëve. Sipas drejtorit Hysi, ndërtimi i këtyre pompave daton shumë vjet më parë dhe vitet kanë bërë që të amortizohet. Me qëllim që mos të ketë përsëri probleme, do të vendoset një shtresë metalike mbështjellëse, e cila do të bëjë të mundur moskrijimin përsëri të këtij problemi, por Hysi shton se zgjidhja përfundimtarë do të jetë rikonstruksioni, që do të përfitojnë të gjithë stacionet e rëndësishëm të Ujit të Ftohtë në saje të projektit për ndërtimin e ujësjellësit të ri.