E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia akuza APP-së për anulimin e tenderëve

14/04/2009  Qazim Sejdini: Po na vonon investimet e 6 muajve të para

Shumë projekte të rëndësishëm për elbasanasit mbeten pezull

ELBASAN- Bashkia Elbasan ka akuzuar Agjencinë e Përgjithshme te Prokurimeve se po vonon qëllimisht zhvillimin e tenderave elektronikë. Kreu i Bashkisë së Elbasanit e ka akuzuar hapur drejtoreshën e kësaj agjencie duke i cilësuar anulimet e tenderëve të kësaj bashkie të padrejta dhe bazuar në interesa personale të saj. Sejdini ka thënë se justifikimet për parregullsi nuk qëndrojnë dhe se stafi i bashkisë ka vepruar me korrektësi duke zbatuar të gjitha procedurat. Pritet që tenderët të rizhvillohen nëpërmjet elektronikës, por anulimi i tyre sipas kreut të bashkisë e ka vonuar deri në dy muaj nisjen e investimeve. Ai ka deklaruar se qytetarët elbasanas presin rrugët dhe pengesat e krijuara nga prokurimet publike e kanë bërë mjaft të vështirë realizimin e tyre në kohë. Pranvera sipas kreut të bashkisë është koha më e mirë për ta bërë këtë dhe koha po kalon. Sipas tij, këtu ka edhe ndikime politike për t’i transmetuar njerëzve që bashkia nuk po punon. Akuzat ndaj kreut të Agjencisë së Përgjithshme të Prokurimeve, kryebashkiaku Sejdini i ka bërë të ditura gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Shumë nga rrugët e projektuara janë nga më problematiket në qytetin e Elbasanit. Qytetarët përballen çdo ditë me gropa e vështirësi. Një nga këto rrugë është rruga e Spajkorres. Ajo ka dy vjet që pret një investim pas kanaleve dhe gropave të krijuara përgjatë saj. Banorët e kësaj lagjeje dhe të pjesës së sipërme të lagjen “11 Nëntori” e përdorin këtë segment që bën pjesë në një ndër lagjet më të vjetra të qytetit të Elbasanit. Po kështu ka shumë probleme me disa rrugë të tjera si ajo tek “Emin Matraxhiu” ku po mbahen peng edhe kanalizimet e ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza deri në çeljen e investimit. Kështu që qytetarët elbasanas presin të përfundojë ping pongu mes institucioneve për të ecur në rrugë të shtruara apo për të pirë ujë të pastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›