E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunim me vendorët për pyjet

Penalizime për të gjithë ata që presin në mënyrë të paligjshme hapësirat pyjore në vend. Por për këtë duhet një bashkëpunim i ngushtë mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Këtë mesazh përcolli dje ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Ai u kërkoi të gjitha strukturave të pushtetit vendor që të merren me administrimin e sipërfaqeve pyjore. Gjatë një takimi me përfaqësues të bashkive dhe komunave, por edhe specialistë të mjedisit, ministri Mediu u shpreh se mbrojtja e pyjeve nuk është kompetencë vetëm e pushtetit qendror, por dhe atij vendor. Sipas tij, do të ndëshkohet jo vetëm çdo person që shkel ligjin duke shpërdoruar hapësirat e pyjeve, por edhe inspektorët që lejojnë këto abuzime. "Gjithë kjo pasuri e madhe kombëtare është pasuri e shqiptarëve, nuk është thjesht pasuri e Ministrisë së Mjedisit. Ministria e Mjedisit i administron ato, por pushteti lokal, i cili është administrator i territorit, ka autoritetin e plotë edhe mbi pyjet shtetërore, edhe mbi pyjet lokale, për t'i vlerësuar ato si pjesë e tyre, për të ndërhyrë dhe për të ndaluar çdo lloj veprimtarie të paligjshme që ndodh në atë territor", tha Mediu. Sipas tij, duhet të vendoset një marrëdhënie e përbashkët, e mirëadministrimit dhe menaxhimit të kësaj pasurie kombëtare brenda kritereve ligjore", tha Mediu. Ai shtoi se do t'u kushtohet një rëndësi e veçantë nismave që duhet të ndërmerren në të ardhmen për shtimin e hapësirave të gjelbra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›