“Rama fantazon, taksa e sheshtë ka rritur numrin e bizneseve
Reagimi i ekspertëve ekonomikë të programit të PD: “Taksa e sheshtë ka rritur bizneset e vogla me 50 për qind dhe bizneset e mesme me 150 për qind”
Ekspertët ekonomikë të programit të Partisë Demokratike kanë reaguar në lidhje me deklaratat e paprincipta të kreut të PS, Edi Rama.
Përmes një njoftimi, “Partia Demokratike i kërkon z. Rama t’i kërkojë falje qytetareve dhe shqiptareve për ushtrimin ndaj tyre të një fantazie të plotë, për më shumë se një orë, të sajuar në dhomën e tij të ndenjës. E vërtetë është se z. Rama nuk është një mik i biznesit, ai është një kundërshtar, plani i të cilit është rritja e taksave që shkakton humbje të vendeve të punës”. Sipas ekspertëve ekonomik të programit të PD, Rama nuk ka një plan për të forcuar klimën e biznesit dhe për të krijuar punë, në të kundërt ai i ka bllokuar në çdo hap këto nisma. “Perse biznesmenët duhet t’i marrin seriozisht sloganet e tij, kur si Kryebashkiak ai la 20 milionë euro detyrime të pashlyera ndaj tyre”, thuhet në deklaratën zyrtare të PD.
Më tej, ekspertët ironizojnë kryesocialistin për mënyrën e qasjes ndaj komunitetit të biznesit duke nxjerrë në pah kundërthëniet forta të tij. “Nëse ai ka biseduar me 5000 biznese siç pretendon, atëherë me siguri ka mësuar se taksa e sheshtë ka rritur numrin e bizneseve të vogla me 50 për qind dhe bizneset e mesme me 150 për qind. Pra funksionon!”, vijoi reagimi i PD.
Në fund të deklaratës së ekspertëve ekonomik të mazhorancës shprehet se, “z. Rama vazhdon rënien në gjendje të lirë në realitetin e tij, ku, pa zgjidhje konkrete, përveç rritjes se korrupsionit, ai në mënyrë magjike do të krijojë 300 mijë vende pune”.