Bashkëpunim shqiptaro-grek për emigrantët
GJIROKASTËR- Rakordim veprimesh për të shmangur konfuzionin dhe radhët e pritjes. Ky është synimi më i ri i policisë kufitare shqiptare, veçanërisht në ditët e pikut të hyrjes apo edhe daljeve të emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi e që do të kthehen në periudhën 14 mars-3 maj për festat e Pashkëve.
Në funksion të këtij qëllimi, krahas edhe masave të tjera do të jenë edhe takimet dypalëshe, ndërmjet krerëve të policive homologe, greke e shqiptare. E ndërsa emigrantëve u është dhënë sinjali jeshil nga Ministria e Brendshme Greke për lëvizjen e lirë në të dyja anët e kufirit, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit ka hartuar tashmë planin e vet të masave për shërbim cilësor, si dhe goditjen e rrjeteve të trafiqeve të mundshme.
"Janë shtuar efektivë shtesë me qëllim shtimin e sporteleve nga 3 në hyrje që ishin më parë në 10 aktualisht dhe 3 në dalje. Por, ajo që është më e rëndësishme mbetet rakordimi i punës nga të dyja policitë, për të shmagur raste neglizhencash që mund të shkaktojnë edhe radhë. Njëkohësisht janë marrë masa që në rast se është e nevojshme të shtohen sportele.
Policitë rrugore të komisariateve Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet do të mbulojnë akset rrugore me shërbim 24 orë, me qëllim parandalimin e aksidenteve të mundshme, pasi segmente të caktuara të aksit rrugor Gjirokastër- Tepelenë janë të vështira, për shkak të punimeve që po kryhen në këtë aks rrugor, si dhe ardhjes në ndihmë emigrantëve për çdo problem që mund të kenë", bënë të ditur burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit.
Ndërkaq, Kakavija ashtu sikurse në çdo sezon, pritet të përballojë hyrje-daljet më të mëdha të emigrantëve. Mesatarisht nëpërmjet saj lëvizin rreth 170 mijë emigrantë.