Zvarritet vendimi ndaj Bashës, shtyhet për 3 javë
Gjykata e Lartë, ka shtyrë dje procesin ndaj ministrit të Jashtëm pavarësisht se palët qenë të pranishëm ditën e caktuar prej saj
Vendimi lihet për më 10 prill, dy ditë përpara festës së Pashkëve, mungesa të palëve në dy data të tjera të caktuara nga Gjykata
TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i "detyruar" nga mungesa e të pandehurit Lulzim Basha për dy javët e ardhshme, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për 25 ditë, duke caktuar seancën e radhës më datë 10 prill.
Kështu, paraditen e djeshme, edhe pse festë zyrtare për institucionet shtetërore, togat e zeza të Gjykatës së Lartë që po gjykojnë ministrin e Jashtëm, deputetin pa imunitet Lulzim Basha dhe të pandehurin Andi Toma, janë detyruar të dalin në punë.
Shkak për këtë detyrim, janë bërë vetë ata me vendimin e tyre të ndërmjetëm të datës 27 shkurt kur caktuan datën 16 mars për vazhdimin e seancës gjyqësore ndaj të pandehurve Basha e Toma, për tu shprehur po me vendim të ndërmjetëm në lidhje me kërkesat paraprake të palëve në këtë proces.
Por, 11 ditë më parë, konkretisht seancën e datës 27 shkurt, trupi gjykues pa ditur që data 16 mars është ditë pushimi për shkak të festës së verës, ka caktuar këtë datë për vazhdimin e seancës gjyqësore.
Mëngjesin e djeshëm, edhe pse togat e zeza e hapën seancën gjyqësore, vendosën ta shtyjnë atë për një datë tjetër për shkak të kësaj feste zyrtare, duke marrë mendimin e palëve për datën e gjyqit.
Ndërkohë, prokurorët Artur Selmani dhe Arben Kraja, përkundër vendimit të ndërmjetëm të gjykatës për shtyrjen e seancës gjyqësore kërkuan nga kryesuesi i togave të zeza Spiro, të vazhdojë seancën, pasi ishin të pranishëm të pandehurit dhe avokatët mbrojtës.
Por, ky sugjerim nuk u pranua nga gjykata edhe pse u parashtrua si kërkesë edhe nga mbrojtësi ligjor i të pandehurit Andi Toma, avokati Genc Gjokutaj. Gjykata, pasi dëgjoi palët, propozoi që seanca e radhës të zhvillohet këtë të premte të datës 20 mars, por, prokurori Arben Kraja, si drejtues i sektorit të krimit financiar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ishte i ftuar të merrte pjesë në konferencën vjetore të "pastrimit të parave" pranë Komisionit Evropian.
Mungesa e tij në seancën e radhës bëri që gjykata të propozojë një datë tjetër, atë të 27 marsit ose 3, data këto që u kundërshtuan nga i pandehuri Lulzim Basha, që u shpreh para gjykatës se në këto dy data nuk ndodhet në Shqipëri për shkak të angazhimeve të tij diplomatike me detyrën e ministrit të Jashtëm.
Pas këtij pretendimi, gjykata e detyruar nga mungesa e palëve vendosi datën 10 prill ora 10 vazhdimin e seancës gjyqësore ndaj të pandehurve, ku do të shprehet me vendim të ndërmjetëm në lidhje me kërkesat paraprake të palëve në proces.
Kërkesa këto të parashtruara nga të pandehurit Basha e Toma të cilët me ndihmën e avokatëve të tyre mbrojtës kërkuan pavlefshmërinë absolute të të gjitha akteve hetimore e procedurale të kryer nga organ i akuzës për dosjen e rrugës Durrës-Kukës dhe pushimin e gjykimit të çështjes.
Sipas kërkesës së avokatëve, e gjithë faza hetimore e institucionit të akuzës në hetimin e kësaj dosje është kryer në mënyrë të parregullt dhe duke shkelur në shumë raste ligjin procedural në fuqi.
Shkak për këtë kërkesë, sipas mbrojtjes, janë bërë veprimet hetimore të institucionit të akuzës pas datës 6 nëntor 2008, në kundërshtim me ligjin, duke mos respektuar vendimet e Gjykatës së Apelit, vendime këto që kanë marrë formën e prerë për shfuqizimin e vendimit për zgjatjen e afateve hetimore e deri te pavlefshmëria absolute e të gjitha akteve hetimore e procedurale të kryera nga prokuroria pas datës 6 nëntor 2008. Në mesin e këtyre akteve hetimore, sipas mbrojtjes, është përpiluar edhe kërkesa për gjykim e cila nuk është njohur nga të pandehurit.
Debatet e 27 shkurtit për vendimet e Apelit dhe Shkallës së parë
TIRANË- Në seancën gjyqësore të datës 27 shkurt, gjatë parashtrimit të kërkesave paraprake nga mbrojtja, ashtu siç pritej, avokatët e të pandehurve Lulzim Basha e Andi Toma i kanë shfrytëzuar vendimet e Gjykatave të Shkallës se Parë dhe të Apelit, që i kanë cilësuar të paligjshme veprimet hetimore e procedurale të prokurorisë, pas skadimit të afatit zyrtar të hetimit, që ka qenë data 6 nëntor 2008.
Sipas avokatit të të pandehurit Basha, klienti i tij nuk mund të konsiderohet i pandehur, pasi nuk ka dijeni për fletëthirrjen për tu njohur dhe nuk është njohur akoma me aktet hetimore, që janë mbyllur nga Prokuroria e Përgjithshme, edhe pse ishin të sanksionuar nga Gjykata e Apelit për mos vazhdimin e kryerjes së akteve hetimore e procedurale.
Por, dy prokurorët e çështjes, Artur Selmani dhe Arben Kraja, gjatë fjalës së tyre renditen të gjithë në rrugën e tyre të ndjekur për të njoftuar ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, me akuzat dhe aktet hetimore, edhe pse ajo asnjëherë nuk është ankuar për afatet e hetimit, të cilat janë individuale, çka lë në fuqi veprimet hetimore të prokurorisë ndaj tij.
Gjithashtu, prokurorët, argumentuan se "i pandehuri Lulzim Basha nuk pranonte të paraqitej në prokurori, çka jemi detyruar t'ia dërgojmë të gjithë fashikullin e hetimit prej 8 volumesh me post pranë Ministrisë së Jashtme, ku dy punonjësit e kësaj ministrie, në orët e vona të darkës së datës 6 dhjetor 2008, rreth orës 19 i kanë sjellë të gjitha materialet hetimore duke i hedhur ato pranë dyerve të Prokurorisë së Përgjithshme".
Akuzat, shpërdorim detyre dhe shkelje e pabarazisë në tendera
TIRANË- Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Lulzim Basha në kohën kur mbante postin e ministrit të Transporteve, në bashkëpunim me ish-drejtorin juridik të këtij dikasteri, Andi Toma, ka abuzuar me fondet për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës.
Hetimet për abuzimet me fondet nisën në fillim të vitit 2007 nga Prokuroria e Tiranës, më pas dosja kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi u gjetën elementë të implikimit të Lulzim Bashës në këtë skandal të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.
Vetëm nëntë muaj pas heqjes së imunitetit të Bashës nga Parlamenti, dosja ndaj tij u dorëzua për gjykim në Gjykatën e Lartë, ku në bankën e të pandehurve përkrah ministrit të Jashtëm, Basha, është edhe ish-vartësi i tij, Andi Toma. Ndaj të dy të pandehurve, prokuroria ka ngritur akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së pabarazisë në tenderë apo ankande publike" në bashkëpunim.