E Diel, 1 Nëntor 2026

Martohen me motrat italiane, dy shqiptarët i shfrytëzonin më pas si prostituta



Dy emigrantë shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, pasi ata shfrytëzonin gratë e tyre italiane për prostitucion. Në prangat e karabinierëve ranë Leonard Sefa dhe Elton Naska, të dy 29-vjeçarë. Ata kishin disa vjet që jetonin në vendin fqinj, Itali. Pasi ishin martuar me dy shtetase italiane, motra, ata kishin gjetur edhe një mënyrë të veçantë për të fituar para. Të dy shqiptarët shfrytëzonin vajzat italiane, me të cilat ishin martuar, si prostituta. Ata çdo mëngjes i çonin ato në rrugë dhe më pas u merrnin eurot që ato kishin fituar me klientët e tyre. Por një gjë e tillë u zbulua nga policia dhe tani Sefa dhe Naska janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, ku duhet të përballen me akuzat e shfrytëzimit të prostitucionit. Sipas policisë italiane, kishte qenë një hetim i bërë nga agjentët që kishte çuar në arrestimin e të dy shqiptarëve. Të rinjtë kishin disa vjet që kishin emigruar në Itali dhe fati i kishte hedhur ata në provincën e Kazertas. Të dy ishin bërë miq dhe me gjithë përpjekjet për të pasur një jetë normale italiane, nuk ia kishin arritur. Por, ata ishin njohur me dy motrat italiane, me të cilat më pas ishin martuar duke krijuar kështu familje. Vajzat ishin nga Marçanize të moshës 24 dhe 26 vjeçe.

Kjo ishte një mënyrë shumë e mirë për të fituar të drejtat e një shtetasi italian. Kështu, nga emigrantë ata morën dokumentet italiane, që i lejonin të trajtoheshin nga ligji i vendit fqinj si të barabartë. Pasi ia arritën këtij qëllimi, u realizua pika e dytë e planit. Shfrytëzimi si prostituta i vajzave, me të cilat ata ishin martuar,. Këtë ia arritën me anë të presionit dhe dhunës. Të dyja motrat u nxorën në rrugë, ndërsa shqiptarët kontrollonin fitimet e tyre. Sipas shefit të komisariatit të Sesa Aurunkas, Xhovani Staljano, “nga hetimet doli se shqiptarët, çdo mëngjes i shoqëronin gratë e tyre në rrugën “Statale Apia” dhe përmes makinës kontrollonin aktivitetin e tyre prostituues dhe mblidhnin paratë e fituara nga klientët, pak minuta pasi ata largoheshin për të bërë seks me pagesë dhe të ktheheshin sërish në vendin e punës”. Policia pas hetimeve të kryera kishte arritur që të kontaktonte me vajzat dhe të zbulonte skemën e bërë nga dy shqiptarët. Të dyja motrat, 24 dhe 26 vjeçe, kanë treguar gjithçka për mënyrën se si ato shfrytëzoheshin nga bashkëshortët e tyre. Më pas, pas denoncimit të bërë u krye edhe arrestimi i Sefës dhe Naskës. Sipas policisë italiane, njëra prej vajzave ishte e sëmurë rëndë. Ajo vuante nga një formë e sëmundjes vdekjeprurëse të tuberkulozit në fazë akute. Megjithatë, ajo ishte detyruar sërish që të prostituonte, por në këtë mënyrë ajo ka qenë në rrezik për infektimin e personave të tjerë. Të dy shqiptarët janë shoqëruar në qelitë e burgut të “Santa Maria Kapua Veteres”, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›