E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padi në gjykatë për zgjedhjet në KMSH,

Përfaqësues të rrymës kundër kreut aktual, dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, kanë gati padinë për shkeljen e statutit

Isuf Shehu, avokati i kontaktuar nga "opozitarët", ka pohuar se synohet shtyrja e mbledhjes dhe zhvillimi i zgjedhjeve demokratike në Komunitet

Myftinitë e bazës dhe disa përfaqësuesues të Këshillit të Përgjitshëm të Komunitetit Mysliman, janë duke përgatitur një akt- padi ndaj krerëve të Komunitetit për shkelje të statutit. Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Shekulli", nga avokati Isuf Shehu, i kontaktuar nga anëtarët e lëvizjes së etiketuar tashmë si rryma kundër kreut aktual të Komunitetit Mysliman Selim Muça.

Ndërkaq, një ditë pas deklarimit kundër të disa prej imamëve të myftinisë së Kavajës, dje kanë dalë kundër edhe përfaqësues të Myftinisë së Elbasanit. Disa nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman kanë vendosur të çojnë në gjykatë kundërshtimin për mbledhjen e së shtunës, më 21 mars, ku është lajmëruar se do të rizgjidhet kryetari.

Avokati Shehu, ka rrëfyer edhe disa nga pikat ku që pretendohen nga opozitarët e Muçës se janë shkelur dhe që kundërshtohen prej tyre. Pikë së pari është kundërshtuar mbledhja që është lajmëruar nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH), Selim Muça.

"Në vija të përgjithshme mund të them se kam konstatuar shkelje të rënda dhe foshnjarake, nga ana e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilat lidhen ngushtë me ushtrimin e kompetencave nga ana e tij",- tha avokati Shehu. Ai sakaq tha se nëpërmjet padisë synohet të bllokohet zhvillimi i mbledhjes së 21 marsit, e programuar për t'u zhvilluar në Medresenë e Kavajës.

Ai ka pohuar që do të kërkohet që mbledhja të kryhet në afate normale dhe sipas procedurave të parashikuara në statut. Ai pohoi se ka shkelje procedurale dhe materiale të cilat mbrohen si në ligj dhe në statutin e KMSH-së.

"Mbi mbledhjen e radhës asnjërit prej anëtarëve nuk i është bërë i ditur rendi i ditës, qëllimi i kësaj mbledhjeje, dhe në anën tjetër një pjesë e anëtarëve te Këshillit te Përgjithshëm nuk janë thirrur në këtë mbledhje.

Kjo është një shkelje e neneve te Statutit te KMSH- së si dhe të Ligjit nr. 8788, i datës 7 maj 2001, "Për organizatat jofitimprurëse". Një problem tjetër që sipas avokatit është vërejtur, është fakti se anëtarët e Këshillit qe prej kohesh nuk janë njohur me financat dhe aktivitetin fiskal dhe ekonomik të KMSH-së".

Shehu, tha se edhe në rast se kjo mbledhje do të zhvillohet, vendimet e saj do të mbeten pa hyrë në fuqi, për shkak të shkeljeve në statut. Debatet brenda përfaqësuesve ë Komunitetit Mysliman, dolën në pah javën e shkuar, kur u njoftua mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit, nëpërmjet një shkrese të datës 11 mars.

"Dhe nëse mbledhja do të zhvillohet ditën e shtunë, për pasojat që të vijnë më vonë ndaj personave të tretë dhe vetë anëtarëve të komunitetit, Kryetari do të mbajë përgjegjësi individualisht. Nuk ka asnjë dyshim qe çdo bashkëpunëtor i mëvonshëm, dhe për këtë të jeni plotësisht i bindur që mund të përballet gjyqësisht",- tha Shehu. Ndërkaq, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, Haxhi Mesiti, i ka pohuar se:

Muça duhet të ndalë mbledhjet ilegale, dhe t'i hapë rrugë zgjedhjeve demokratike në këtë institucion, me përgjegjësi të mëdha shpirtërore jo vetëm për besimtarët, por edhe për mbarë shoqërinë shqiptare".
Dashamir Biçaku

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›