Dy zjarre djegin një shtëpi dhe disa bagëti
Korçë- Dy zjarre brenda 24 orësh në rrethin e Korcës shkaktojnë djegien e një shtëpie, ndërsa piqen të gjalla disa bagëti.
Zjarret aksidentale, për fat të mirë, nuk kanë shkaktuar viktima në njerëz, ndërsa në të dy rastet duket se ka shkaqe të ndryshme.
Zjarri i parë është regjistruar në fshatin Podgorie në rrethin e Korçës. Një shkëndijë elektrike mendohet të jetë shkaku i zjarrit të rënë në stallën e bagëtive të shtetasit Artur Molla.
Për fat të keq, janë djegur të gjalla dy lopë dhe një viç në këtë stallë, ndërsa është shpëtuar shtëpia e Mollës e cila ndodhej pak metra larg vendit të zjarrit.
Ndërhyrja në kohë e forcave zjarrfikëse kanë shpëtuar përhapjen e flakëve të zjarrit në fshatin Podgorie në lagjen ku dhe shtëpitë kanë qënë ngjitur me njëra-tjetrën.
Ndërsa nuk ishin fikur mirë flakët e zjarrit të parë, forcat e zjarrfikësve rreth orës 19.00 të mbrëmjes së kaluar kanë shkuar me urgjencë në një tjetër vendngjarje. Këtë herë zjarri kishte rënë në fshatin Voskopojë në shtëpinë e shtetasit Guri Bezhani.
Zjarri ka djegur të gjithë orenditë e shtëpisë së Bezhanit, ndërsa mendohet se soba me dru të ketë shkaktuar dhe djegien e shtëpisë, për shkak të nxehtësisë që kishte përçuar tek një orendi ngjitur me të.