E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana “humb” edhe kundër Teutës

Një pikë e hidhur për Tiranën në “Niko Dovana” kundër Teutës (0-0), në një ndeshje ku pati 8 kartonë të verdhë dhe 2 të kuq, një për trajnerin e Teutës, Kristaq Mile, (protestë ndaj gjyqtarit Jemini), ndërsa tjetri për mbrojtësin e Tiranës, Kcira (70’), pas dy kartonëve të verdhë (i dyti i marrë për faull ndaj Vilës).
Teuta e dominoi tërësisht takimin ndaj një formacioni shumë të zbehtë të Sulejman Memës (u ndie mungesa e Klodian Duros). “Djemtë e detit” patën shumë raste për të shënuar të paktën një gol (iu anulua një i tillë), por si Mile ashtu dhe Hysa (rast flagrant) nuk arritën të mposhtnin veteranin Blendi Nallbani.
Arapi i Tiranës i pati të gjitha mundësitë për të mbyllur në avantazhin e skuadrës së tij pjesën e parë, por lojtari bardheblu nuk finalizoi. Në pjesën e dytë, në minutën e 60-të, Vangjel Mile u tregua i pasaktë për ta shënjestruar portën. Në të 66’, Vilfor Hysa, i futur befasisht në zonën e vogël 2-3 metra përballë Nallbanit, nuk realizoi teksa portieri e devijoi topin jashtë kuadratit me thembrën e këpucës. Tirana me barazimin e dytë rresht pa gola (edhe me Dinamon barazoi 0-0) duket se i dha fund luftës për titull. Ndeshja e fazës së parë midis dy ekipeve përfundoi 2-1. Ky ishte barazimi i 38-të në 142 ndeshjet e zhvilluara midis tyre (33 fitore Teuta, 71 fitore Tirana).
Në ndeshjen e ardhshme (java e fundit e fazës së dytë) Tirana do të përballet me Partizanin në një tjetër sfidë të vështirë dhe domethënëse për formacionin e Sul Memës.

Partizani- Dinamo, sfida për titull

Shkumbini nuk pyet për “Lalën e madh”

Shkumbini arriti të fitojë dy herë rresht brenda 10 ditëve me Elbasanin: 2-0 në ndeshjen e 1/16 të Kupës së Shqipërisë dhe 1-0 në javën e parafundit të fazës së dytë të Kategorisë Superiore. Golin e vetëm të takimit e realizoi ish-lojtari i Tiranës, mbrojtësi Rezart Dabulla, në minutën e katërt. Sulmuesi i Elbasanit, Skerdi Bejzade, rrahu shtyllën, ndërkohë që Klement Xhyra pati mundësinë për të dyfishuar rezultatin. Për Elbasanin ky ishte takimi i katërt pa fitore, ndërkohë që peqinasit e presidentit Xhavit Ismaili (“Berluskoni i Peqinit”, - ishte një banderolë në fushë) u ngjitën në kuotën e 31 pikëve. Shkumbini regjistroi fitoren e 12-të në 30 përballjet historike me Elbasanin (14 fitore). Në javën e fundit të fazës së dytë, Shkumbini do të luajë në kryeqytet kundër Dinamos (0-0 takimi i fazës së parë), ndërsa Elbasani do të presë në shtëpi Vllazninë (2-1 për shkodranët takimi i parë).

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›