Tragjedia e Farkës, hetim përdorimit të motobarkës në liqen
TIRANË - Leja për përdorimin e motobarkës që u fundos së bashku me 16 persona më 6 mars në ujërat e liqenit të Farkës, është bërë objekt hetimi për Prokurorinë e Tiranës, bënë të ditur të mërkurën për gazetën “Albania” burime nga kjo prokurori. Sipas tyre, grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje po kryhen verifikime edhe mbi lejen për përdorimin e motobarkës në liqenin e Farkës. Por, për shkak të sekretit hetimor burimet nuk preferuan të japin hollësi rreth kësaj procedure, duke u mjaftuar me faktin se “çështja është ende nën hetim”. Nga të njëjtat burime mësohet se ngjarja në Farkë cilësohet si aksidentale. Ndërkohë që kualifikimi i saj do të bëhet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. 16 persona, shumica familjare dhe të afërm mes tyre, humbën jetën në orët e para të mëngjesit të 6 marsit nga fundosja e motobarkës me të cilën tentonin të kalonin nga një breg tek tjetri i liqenit të Farkës, pas një feste familjare në Bar Restorant “Liqeni” në Komunën e Farkës. Ekspertët e policisë konkluduan se shkak i fundosjes së mjetit lundrues ishte mbipesha. Motobarka, sipas konkluzioneve të ekspertëve, mbante jo më tepër se 10 persona.
Ndoka kallëzon në Prokurori për falsifikim Gurakuqin
Tiranë – Kreu i Partisë Demokristiane ka depozituar dje në mesditë një kallëzim penal për Anton Gurakuqin. Në kallëzim thuhet se Partia Demokristiane e Shqipërisë me seli pranë Ish Hotel Drinit, Tiranë përfaqësuar nga Kryetari i Partisë Nard Ndoka padit Anton Gurakuqin për falsifikim të dokumenteve, vulave dhe stampave bazuar në Nenet 186 dhe 190 të Kodit Penal. Sipas kallëzimit “shtetasi Anton Gurakuqi i etur për t’u bërë Kryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë ka thirrur një kongres në emër të kësaj partie, duke mbushur një sallë me persona që nuk kanë asnjë lidhje me këtë parti. Me mendimin se i kallëzuari mund të legjitimohet në thirrjen e këtij kongresi ka falsifikuar vulën e PDK-së, duke nënshkruar dokumente në emër të Partisë Demokristiane dhe duke i vulosur me vulën e falsifikuar të prodhuar në rrugë joligjore këto dokumente. Një nga dokumentet e falsifikuar dhe që mban dhe vulën e falsifikuar është një kërkesë e depozituar nga i kallëzuari me të cilin i është drejtuar Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë për depozitim të akteve të të quajturit kongres i jashtëzakonshëm i datës 06.05.2008. Në këto kushte i kërkojmë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë fillimin e procedimit penal në ngarkim të të kallëzuarit Anton Gurakuqi i akuzuar se ka konsumuar veprat penale të parashikuara nga neni 186 dhe 190, të Kodit Penal”. Bashkëngjitur me kallëzimin janë depozituar në cilësinë e provës materiale edhe dokumentet përkatëse.
8 Maj 2008