E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gradat e reja të Policisë, rrezik mosnjohja e shkollës për vjetërsi pune

Pritet të vendosë qeveria, partnerët europianë rekomandojnë njohjen e viteve të shkollës. Vendimi do të ndikojë jo vetëm në buxhet, por edhe në gradat që kanë uniformat blu

Laureta Rryçi

Tiranë - Nga polici më i thjeshtë e deri te drejtuesi më i lartë, brenda pak ditësh do të njihet me gradën e re, kjo për arsye të hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit”. Rigradimi i të gjitha forcave të policisë ka sjellë dhe tension brenda radhëve të tyre. Askush nuk di për momentin nëse do të mbajë postin që ka, pasi për këtë duhen edhe grada përkatëse, e cilat varen edhe nga vitet e punës. Shqyrtimi i këtyre të fundit ka nisur dhe ethet e pozicioneve i kanë mbërthyer të gjithë, pa as më të voglin përjashtim në strukturën e Policisë së Shtetit. Burime nga Ministria e Brendshme pohuan dje për gazetën “Albania” se struktura me gradat e reja pritet të sjellë ndryshime.
Rigradimi
Një nga pikat më të debatueshme mësojmë se ka të bëjë me faktin se a do të llogariten si vjetërsi në profesion katër vitet e arsimimit në Akademinë e Rendit dhe Akademinë e Forcave Tokësore për oficerët e Policisë. Miratimi i ligjit të ri i ka detyruar strukturat drejtuese të bëjnë rigradimin për të gjithë punonjësit e policisë. Shumë drejtues të Policisë rrezikojnë të humbasin postet që kanë për shkak të vjetërsisë së punës, që nuk korrespondon me gradat apo pozicionin që kanë. Pasojat e ligjit të ri për Policinë e Shtetit duket se më së shumti do të ndihen me rigradimin e të gjitha forcave të Rendit. Ligji i ri ka përcaktuar qartë vitet e punës që i duhen secilit për të ngjitur shkallët e karrierës, duke fituar një gradë më të lartë.
Vjetërsia
Diskutimi nëse arsimi do t’u vlejë për vjetërsi pune pritet të ketë efekte jo vetëm në Buxhetin e Shtetit, por edhe në radhët e uniformave blu. Të gjithë ata policë që ende nuk kanë mbushur moshën e daljes në pension do të punojnë edhe katër vite më shumë nëse ky propozim merr formën e prerë. Fillimisht mësohet se po diskutohet në rang specialistësh, më pas pritet të dërgohen në formë propozimi në Këshillin e Ministrave. Sipas burimeve, do të bëhen rigradimet në bazë të ligjit të ri për Policinë e Shtetit. Në bazë të vjetërsisë së punës do të jenë dhe gradat. Përveç funksionit duhet të kenë vjetërsi në punë. Shumë nga uniformat blu mund të plotësojnë vjetërsinë e punës që u duhet bashkë me vitet e shkollës. Specialistët e Ministrisë së Brendshme janë në dilemë se çfarë rrugëzgjidhje do të marrë kjo çështje, duke vendosur një herë mirë nëse punonjësit e Policisë që kanë përfituar deri tani nga vitet e arsimit do të vazhdojnë ta kenë këtë përfitim.

Neni 36

Gradat
1. Emërtimet e gradave sipas niveleve dhe ecurisë në karrierë, janë:
a) Punonjës policie i nivelit zbatues:
I) Nëninspektor
II) Inspektor
III) Kryeinspektor
b) Punonjës policie i nivelit të parë drejtues:
I) Nënkomisar
II) Komisar
III) Kryekomisar
c) Punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues:
I) Drejtues
II) Drejtues i Parë
ç) Punonjës policie i nivelit të lartë drejtues:
I) Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm
II) Drejtor i Përgjithshëm
2. Gradat, sipas pikës 1 shkronja “ç” të këtij neni janë funksionale. Këto grada merren nga punonjësi i
Policisë në çastin e emërimit në detyrat e drejtorit ose zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sipas neneve 20 pika 1 dhe 23 pika 2 të këtij ligji dhe lihen me largimin nga këto detyra. Në këto raste punonjësi i Policisë rimerr gradën “Drejtues i Parë” dhe vjetërsia në gradë, gjatë kohës që ka pasur funksionet e përcaktuara në pikën 1 shkronja “ç” të këtij neni, llogaritet si vjetërsi në këtë gradë.

Ngritja në gradë
1. Ngritjet në gradë nga “Inspektor” deri në “Drejtues i Parë” bëhen nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces-vlerësimi konkurrues, që përfshin raportet e vlerësimit të punës dhe një provimi, i cili teston aftësitë e aplikantëve për të marrë gradën pasardhëse. E drejta për të marrë pjesë në këtë proces përcaktohet në pikën 4 të këtij neni.
2. Me përjashtim të punonjësve të Policisë, sipas pikës 3 të këtij neni, grada “Nëninspektor” i jepet kursantit pas përfundimit me sukses të periudhës së shkollimit në Shkollën Bazë të Policisë. Kjo gradë, e cila i jep punonjësit kompetenca të plota policore, mbahet nga punonjësi i Policisë gjatë periudhës së provës.
3. Punonjësit e Policisë, të cilët konkurrojnë dhe hyjnë në Shkollën Bazë të Policisë, do të mbajnë gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Nëse punonjësi nuk e kalon kursin, ai e mban gradën dhe merr pagën përkatëse derisa të gjithë punonjësit e nivelit zbatues të kenë ndjekur Shkollën Bazë të Policisë, kohë në të cilën ai lirohet nga Policia.

Vitet e punës për gradë

4. Ngritja në gradën “Inspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason Shkollën Bazë të Policisë.
5. a) Punonjësit të Policisë i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas
plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme:
I) nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” 2 vjet
II) nga “Kryeinspektor në “Nënkomisar” 2 vjet
III) nga “Nënkomisar në “Komisar” 3 vjet
IV) nga “Komisar në “Kryekomisar” 3 vjet
V) nga “Kryekomisar në “Drejtues” 3 vjet
VI) nga “Drejtues në “Drejtues i Parë” 4 vjet
VII) nga “Drejtues i Parë” në “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” 4 vjet
VIII) nga “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm”
në “Drejtor i Përgjithshëm” pa afat kohor
b) Punonjësit e Policisë që kanë përfunduar një shkollë të lartë të njohur nga shteti dhe që kanë plotësuar së paku dy të tretat e minimumit të kohës që kërkohet për qëndrimin në gradë, mund të konkurrojnë në procesin e përzgjedhjes për ngritjen në gradë nga “Inspektor” në “Kryeinspektor” dhe nga
“Kryeinspektor” në “Nënkomisar”.
c) Në vjetërsinë për efekt gradimi llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:
I) paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes apo dëmtimit për shkak të punës;
II) paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës deri në 6 muaj brenda afatit 12-mujor;
III) ushtrimit të funksioneve, sipas nenit 45 të këtij ligji;
IV) pezullimit apo përjashtimit për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm dhe/ose të padrejtë;
V) pezullimit me pagesë deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese për sjellje në kundërshtim me Rregulloren e Disiplinës, derisa autoriteti kompetent të marrë vendimin përfundimtar
për çështjen.
ç) Në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të:
I) lejes së përfituar pa të drejtë pagese;
II) pezullimeve për shkaqe disiplinore.
6. Punonjësi i Policisë ka të drejtë të ankohet te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në përputhje me
Kodin e Procedurave Administrative, në rastet kur konstaton shkelje të rregullave të ngritjes në gradë,
të përcaktuara në këtë nen dhe në Rregulloren e Personelit në zbatim të këtij ligji, të miratuar nga
Këshilli i Ministrave.
7. Procedurat për kryerjen e provimeve të ngritjes në gradë përcaktohen në Rregulloren e Personelit të
Policisë dhe përfshijnë:
a) përbërjen e komisioneve të testimit;
b) procedurat e aplikimit;
c) kriteret për të aplikuar;
ç) strukturën e provimeve për ngritje në gradë;
d) përcaktimin dhe kohëzgjatjen e listës emërore, sipas radhës, të personave që kanë të drejtë të ndjekin kursin për ngritje në gradë.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›