E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bashkëpunimi PS-PD zhduku të gjitha paragjykimet”

 

Aristir Lumezi

Kryetari aleancist Neritan Ceka, i cili sapo ka marrë detyrën e nën-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, shprehet se ajo erdhi si rrjedhojë e përvojës së tij të madhe në politikë. Ceka shprehet se ajo është produkt i thyerjes së barrierave ideologjike mes opo-zitës dhe maxhorancës.
Ju sapo jeni zgjedhur nënkryetar i Kuvendit. Ka lidhje kjo me përfshirjen tuaj në garën presidenciale vitin e shkuar?
Jo, kjo nuk ka të bëjë fare me ndonjë të shkuar as të partisë sonë dhe as të karrierës sime politike.
Pas këtij posti shumë të rëndësishëm në Kuvend, që i takon maxhorancës, pasi nënkryetari tjetër i Kuvendit i përket opozitës, cili do jetë pozicioni i PAD-së përballë Partisë Demokratike?
Dua të them se ky nuk ishte një post i krahut të djathtë, sepse duhet të thënë se të njëjtën përzgjedhje ka bërë maxhoranca në të njëjtën mënyrë siç ka zgjedhur prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe kështu me radhë. Pra, është një përzgjedhje e karakterit honorifik dhe profesional.
Ndoshta dhe vlerësim ndaj garës suaj presidenciale si një ndër deputetët, që prej 1991 të këtij Parlamenti..?
Kjo nuk ka të bëjë me lëvizjet e mëtejshme të PAD-së.
Kjo është një premisë që ju t’i bashkëngjiteni koalicionit të djathtë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009?
Natyrisht nuk ka asnjë kusht të tillë paraprak dhe siç e kam thënë, që kjo do të varet në radhë të parë nga Kodi Zgjedhor, por dhe nga vendimet që do marrin forumet përkatëse të PAD-së në kohën e duhur, kur dhe kjo çështje do të shtrohet për zgjidhje.
Pranimi i këtij posti kishte të bënte dhe me prishjen e koalicionit të majtë opozitar pas zgjedhjeve vendore të 2007?
Ajo që ka ndikuar në këtë drejtim ka qenë një mbushje e hendeqeve midis të majtës dhe të djathtës pas ndryshimeve kushtetuese, të qëndrimeve të PS-së dhe PD-së, në një sërë reformash duke përfshirë dhe atë kushtetuese, gjë që e bën dhe PAD-në në një plan, ku të jetë e lirë nga paragjykimet e dikurshme majtas djathtas.
Në këtë kuptim aktualisht ju mbeteni në cilin krah..?
Unë mbetem në krahun e një qytetari, veçanërisht të një deputeti nga më të vjetrit e këtij parlamenti, që ka marrë një detyrë dhe një mbështetje nga parlamenti shqiptar, me një mbështetje shumë të gjerë, qoftë të deputetëve të majtë dhe ashtu të djathtë.
Nëse do bënim një parashikim hipotetik, Neritan Ceka në krah të Sali Berishës në zgjedhjet 2009, ka të bëjë kjo me një fenomen konvertimi brenda të djathtës, gjë që tek e majta po ndodh e kundërta?    
Për të thënë të vërtetën, nuk ka qenë kjo përzgjedhja, pasi nuk varet nga një angazhim i ardhshëm politik i Aleancës Demokratike, por vetëm me një përzgjedhje profesionale, një detyrë shtetërore e mbështetur dhe e vlerësuar në një ambient si kuvendi, ku ka shumë bashkëpunim pavarësisht nga ajo që shfaqet në ekrane. Puna më e madhe bëhet në komisione, ku ka një përpjekje për t’i kaluar ligjet përmes një konsensusi. Unë jam në postin e ri si rezultat i kësaj klime dhe përpjekjeje dhe i asnjë prapaskene politike apo ndonjë ambicieje të ardhshme politike qoftë të partisë apo presidentit të saj.

Raportet me Berishën

Presidenti i PAD-së tha dje se Sali Berisha, e ka mirëkuptuar pozicionin opozitar të Cekës ndaj qeverisë. “Marrëdhëniet e mia me Berishën kanë qenë marrëdhënie të një kryeministri dhe një opozitari. Unë kam qenë kritikuesi më i ashpër i qeverisjes dhe i zotit Berisha, ai duket se më ka mirëkuptuar dhe kjo lloj marrëdhënie, duket se na ka afruar sesa larguar”, tha Ceka. Duke folur për bashkëpunimin e mundshëm, Ceka vijoi se kjo do të varet nga Kodi Zgjedhor. “Nëse flasim për koalicionet e ardhshme zgjedhore, për të cilat unë jam i sigurt se do çlirohen shumë nga pozicionet ideologjike dhe do varen nga interesat e partive, sepse polet e tërheqjes nuk do jenë partitë e vogla, por partitë e mëdha që do të mundohen të tërheqin sa më shumë parti të
vogla rreth vetes dhe jo e kundërta”, u shpreh Ceka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›