Ndryshimi në qeveri, Dule e Peçi 30 minuta me Berishën
Kryeministri Sali Berisha është takuar dje për rreth 30 minuta me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputetin e kësaj partie, Spiro Peçi. Në përfundim të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Ashtës, me kompaninë austriake VERBUND, kreu i qeverisë është ndalur në kafen e hotel "Sheraton" me përfaqësuesit e PBDNJ-së ku ka biseduar për ndryshimin e përfaqësuesit të kësaj partie në kabinetin qeveritar. Sot në orën 10.00 pritet që të zyrtarizohet edhe ndryshimi i Kosta Barkës, ministrit aktual të Punës dhe Çështjeve Sociale me një prej përfaqësuesve të PBDNJ-së. Deri tani emri më i lakuar për këtë post ka qenë ai i ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punës, Andrea Marto, i cili u shkarkua pak javë më parë nga Kosta Barka. Javën e kaluar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule u takua me kryeministrin Berisha, ku i bëri të ditur pikërisht vendimin e kryesisë së kësaj partie për ndryshimin e përfaqësuesit të saj në qeveri. Gjatë një konference për shtyp Dule bëri të ditur se, Berisha ka pranuar kërkesën e PBDNJ-së, por pa bërë të ditur se cili do të ishte zëvendësuesi i Kosta Barkës. Largimi i tij nga qeveria u vonua për shkak të vizitës njëjavore në SHBA të Presidentit Topi.