“PS-PD në Këshillin Bashkiak afera me pronat”
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, sqaroi dje publikun rreth vendimit të këshilltarëve të LSI-së për t’u larguar nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Vasili ka akuzuar dy partitë e mëdha, PS-PD për aferën e tyre me parkingjet në kryeqytet në dëm të pronarëve të tyre dhe të qytetarëve të saj. “Nënqeshja shumë e hidhur e jona, ka të bëjë me faktin se pikërisht me rastin e festës së Bajramit, këta hajdutë të mëdhenj të ndarë në dy kampe, në të majtë dhe në të djathtë, PS dhe PD dhe liderët e tyre, Rama dhe Berisha, duhet patjetër që t’ia kursenin këtë grabitje, këtë shkatërrim, këtë vjedhje dhe këtë korrupsion të paparë, qytetarëve të Tiranës, duke ndarë në tavolinë një tortë të madhe korruptive, e cila në rastin e pikës 10 të rendit të ditës, kishte të bënte me ndarjen e dy parkingjeve të Tiranës, që iu dhuruan përkatësisht Ramës dhe Berishës dhe klientëve të tyre, që drejtojnë aferat ndërtimore, ku këta individë janë drejtpërsëdrejti të interesuar”, tha Vasili. Sekretari i LSI u shpreh se, largimi i këshilltarëve të saj nga mbledhja e Këshillit Bashkiak ishte në shenjë denoncimi të kësaj afere. “LSI-ja nëpërmjet braktisjes së votimit, bojkotimit dhe bërjes publike të kësaj afere, e cila u miratua në mënyrë të rrufeshme, në kushtet e procedurave tërësisht të dyshimta, jashtë diskutimeve me grupet e interesit dhe komunitetit, dhe në konflikt me interesat e pronarëve legjitim, sigurisht është njollë e turpit dhe pse jo është qartë dhe pastër një problem, me të cilin drejtësia duhet të merret në mënyrë të thelluar, për të nxjerrë fajtorët, përgjegjësit kryesorë, të cilët më së fundi duhet të përgjigjen në bankën e të akuzuarve për çdo shpërdorim që bëjnë me ambientet publike, i cili për fat të keq në qytetin e Tiranës, nuk ka të ndalur”, tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së kërkoi dje që në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës të marrin pjesë dhe përfaqësues të komunitetit. “Patjetër, që komuniteti i Tiranës dhe i qytetarëve të saj është tërësisht i përjashtuar dhe i përbuzur nga të gjitha vendimmarrjet e mëdha të qytetit dhe këto vendimmarrje janë sot thjesht dhe vetëm pre e klientelizmit dhe e babëzisë politike, të Ramës dhe të Berishës, të cilët, pasi shpartalluan nga pikëpamja institucionale, kolonat e shtetit, tashmë, ata që pikërisht sponsorizuan shkatërrimin e Kushtetutës në 21 prill, po materializojnë fitimet e tyre, duke ndarë të gjitha territoret publike të Tiranës”, tha Vasili.