E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët, PD rikthen draftin e saj

 

bledar hoti

Partia Demokratike do të paraqesë në komisionin e Ligjeve të njëjtin projekt që nuk u miratua në sesionin e kaluar parlamentar. Drafti i paraqitur nga ana e PD-së në komisionin e Ligjeve në muajin korrik nuk u shqyrtua, pasi në skenë u përfshinë ndërkombëtarët, të cilët kërkuan shqyrtimin për në sesionin e ri parlamentar dhe zhvillimin e një debati publik. Relatori i këtij projektligji, deputeti i PD-së, Aldo Bumçi bëri të ditur se PD-ja do të paraqesë atë draft të përpunuar për t’u diskutuar në mbledhjen e ardhshme të komisionit. Bumçi ka rikonfirmuar për “Panorama” se është i njëjti p/ligj që PD-ja paraqiti herën e kaluar dhe pritet të shqyrtohet në mbledhjen e 6 tetorit, ditë që komisioni e ka parashikuar në rendin e ditës. Partia Socialiste, ndërkohë ka qenë kundër këtij drafti duke kërkuar që në fillim të realizohet hapja e plotë e dosjeve dhe të arshivave për të gjitha shtetasit shqiptarë. Kundër kësaj nismeje  është PD, e cila e cilëson hapjen e plotë të dosjeve si një kthim i konflikteve sociale në vend. Përplasja e radhës mes PS-së dhe PD-së për këtë nismë lidhet me faktin nëse zyrtarët që janë verifikuar një herë t’i rinënshtrohen përsëri këtij procesi. Për socialistët procesi i lustracionit për këtë kategori personash nuk është i nevojshëm pasi kanë kaluar filtrat e dy komisioneve të mëparshme. Por për demokratët nuk shihet si një problem një gjë e tillë, pasi personat që kanë kaluar një herë këtë fazë nuk duhet ta kenë problem t’i nënshtrohet përsëri procesit të verifikimit. PD-ja parashikon në draftin e saj, që pastërtia e figurës morale të funksionarit publik është e papajtueshme me mbajtjen prej tij gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990 të një prej detyrave të këtyre detyrave: anëtar ose kandidat i byrosë politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm, zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organizatave të sigurimit, bashkëpunëtor i sigurimit, anëtar i Komisionit Qendror të dëbim-internimeve, hetues apo ndihmës, hetues-prokuror apo ndihmësprokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në proceset politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në gjyqet politike. Debati tjetër mes dy kampeve lidhet dhe me faktin se nëse duhet t’i ndërpritet mandati i të zgjedhurve, në rast se ato zyrtarë dalin të implikuar sipas ligjit “Për pastërtinë e figurave”. Opozita është kundër, pasi lidhet me mandat të dhënë nga Kushtetuta, ndërsa PD-ja është pro ndërprerjes së mandatit në rast se ai rezulton i implikuar. Në fillim të sesionit kuvendor, komisioni i Ligjeve zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësuesit e shoqatave të ish të përndjekurve politik dhe të shoqërisë civile. Pas këtij ballafaqimi të realizuar në fillim të muajit shtator komisioni nuk ka zhvilluar ndonjë mbledhje në lidhje me projektligjin “Për verifikimin e figurës të funksionarëve të administratës publike dhe të zgjedhurve”. Prej më shumë se dy vitesh, në zyrat e Kuvendit u depozituan tre projektligje për hapjen e dosjeve nga PS, PD dhe PDK. Demokratët hodhën poshtë tre draftet, duke paraqitur një variant të tyrin për këto proces, por që akoma nuk ka marrë konsensusin e opozitës për një projektligj të tillë. Dy relatorët e këtij projektligji janë Aldo Bumçi nga PD dhe Arben Isaraj nga PS, të cilët kanë dhënë mendime e tyre të ndryshme për draftin e paraqitur nga demokratët, duke bërë që një konsensus i tillë të jetë për momentin akoma i largët.

perplasja pd-ps

PD kërkon riverifikim të plotë të zyrtarëve që nga fillimi PS shprehet se zyrtarët që e kanë kaluar këtë nuk duhet t’i nënshtrohet këtij procesi PS kërkon hapjen e plotë të dosjeve, bërjen publike të tyre PD kundërshton pasi krijon probleme dhe konflikte sociale PS kërkon që afati i shtrirjes të jetë deri në 1991 PD kërkon që ai proces të nisë nga 29 nëntori 1944-8 dhjetor 1990

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›