E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë, njehsim të legjislacionit dhe procedurave mes dy vendeve

21-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen javore të Qeverisë, se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë duhet të fuqizohet përmes njehsimit të legjislacionit dhe procedurave mes dy vendeve. Ai u ndal tek marrëveshja që nënshkruan qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës në fushën e përfaqësimit konsullor. Berisha e cilësoi si një marrëveshje shumë të goditur dhe shumë të domosdoshme, e cila përgjysmon shpenzimet e secilit vend. “Është një model që e kanë përdorur kombe të tjera dekada më parë”- tha Berisha. Ai ftoi ministrat që të njëjësojnë tërësisht legjislacionin dhe praktikat mes dy vendeve. “Ndarja administrative është njëra anë. Shqiptarët duhet ta ndjejnë veten njëlloj, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Në të dy vendet duhet të jenë praktika të njëjta. Ky absolutisht është interesi më i mirë i të dy vendeve. Shqiptarët duhet të shndërrojnë praninë e dy administratave në dy oportunitete dhe mundësi më të mëdha dhe jo në pengesa dhe burokraci më të mëdha”- theksoi kryeministri. Berisha vuri në dukje se ky proces do jetë primarë dhe në dogana, në tatime, në arsim, në fushën sociale, kulturë, mjedis dhe gjithçka tjetër. “Është e domosdoshme që trendet e bashkëpunimit të fuqizohen dhe konsolidohen në një kuadër ligjor të njëjtë, me praktika të njëjta, sepse kjo do të lehtësojë shumë barrën burokratike mbi supet e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë” - deklaroi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›