E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend/Opozita refuzon përsëri ligjin për Gjykatën Administrative

21-10-2011 / Gazeta 55

Edhe seanca e djeshme parlamentare rezultoi pjesë e strategjisë “për bllokimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend”. Edhe pse në rendin e ditës së seancës ishin disa ligje me 3 të 5, opozita refuzoi kategorikisht të bashkonte votat me mazhorancën, për miratimin e tyre. Kryetarja e Kuvendit i propozoi sërish seancës për të hedhur në votim, projektligjin  “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, i cili kërkon 84 vota, por ky proces u shty. Njëherësh deputetët u njoftuan për depozitimin e draftit ligjor të Grupit parlamentar socialist për “ndryshimin e tatimit mbi vlerën e shtuar”. Dhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, u shty për në seancën e ardhshme. Ndër të tjera në seancën e djeshme u miratuan disa marrëveshje, për të cilat nuk mungoi vota e opozitës. Kuvendi ratifikoi marrëveshjen e “kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë i përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i Bilishtit - kontratë me çelësa në dorë” dhe Marrëveshja “ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave”. Seanca vijoi me interpelancën e Ministrin e Informacionit dhe Teknollogjisë së Informacionit Genc Pollo, kërkuar nga deputeti Taulant Balla. Në diskutimet për çështjet jashtë rendit të ditës u trajtuan tema si: incidenti teknik, i dy ditëve më parë në minierën e Bulqizës, ku humbi jetën një minator, Progres -raporti i KE për 2011, projektligji për Gjykatën Administrative, siguria dhe rendi publik, shërbimi shëndetësor, realitete të ndryshme të jetës sociale etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›