Shqipëria, në grupin e parë të vendeve për regjistrimin e pronës

Raporti i Bankës Botërore “Doing Bussines” - Mbrojtja e investitorëve, Shqipëria e 16-a në botë
Shqipëria përmirëson ndjeshëm pozicionin e saj në renditjen e Bankës Botërore të “Doing Bussines”, përsa i përket regjistrimit të pronës, duke vendosur afate kohore për regjistrimin e tapive në regjistrin e tokave. Në këtë pikë, krahasuar me vendet e tjera Shqipëria ka fituar 8 vende. Përsa i përket treguesve të tjerë, Shqipëria është në vendin e 61-të për hapjen apo regjistrimin e një biznesi. Lidhur me lehtësirat në të bërin biznes, Shqipëria ka humbur 15 vende, duke u renditur në vendin e 82-të nga vendi i 77-të. Shqipëria gjendet në gjysmën e parë të renditjes për lehtësirat në kryerjen e një aktiviteti biznesi, e cila është hartuar nga Banka Botërore në raportin e saj të fundit “Doing Business 2012”, i cili merr në analizë 183 shtete në të gjithë botën. Gjithashtu, në raportin e ri Banka ka përdorur një tjetër metodologji tre nga treguesit e saj: lejet e ndërtimit, marrja e kredisë dhe pagesën e taksave. Shqipëria renditet tashmë e fundit për treguesin që lidhet me lejet e ndërtimit, kjo për shkak të trashëgimisë së lënë nga Bashkia e Tiranës përgjatë 11 viteve me radhë. Aktualisht, lëshimi i lejeve të ndërtimit është bllokuar deri në hartimin e planit të ri urbanistik të kryeqytetit. Ndërsa në të gjithë botën janë identifikuar 245 reforma të reja të ndërmarra nga qershori 2010 deri në qershor 2011, Shqipëria përmendet kryesisht për lehtësimin e regjistrimit të pronave, “duke e bërë më të lehtë atë përmes vendosjes së afateve kohore në regjistrimin e titullit të pronësisë në regjistrin e tokës”- thuhet në raport. Për mbrojtjen e investitorëve Shqipëria renditet në vendin e 16-të në botë, një tregues ky domethënës për thithjen e investimeve të huaja. Duke parë vendet e rajonit, dhe pozicionin e tyre në raportin e Bankës Boterore, ajo që bie në sy është renditja e Maqedonisë, e cila ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, duke u renditur në vendin e 22-të, ndërkohë që një vit më parë ishte sërish në një klasifikim mjaft të mirë, duke u pozicionuar e 34-ta. Po ashtu përpara Shqipërisë është edhe Mali i Zi i cili ka ruajtur të pandryshueshëm vendin e 56. Kroacia është vetëm pak përpara Shqipërisë në vendin e 79, me një përkeqësim prej vetëm një pike, krahasuar me vitin e shkuar. Kosova ndërkaq mbetet ne vendin e 177 ashtu si dhe një vit më parë. Raporti i Bankës Botërore reflekton kuadrin ligjor dhe masat regullatore që qeveritë ndërmarrin në ndihmë të sipërmarrjeve. Ai në vetvete nuk përbën një matës së klimës së biznesit në një vend. Sikurse shpjegohet edhe vetë në raport ai “nuk synon të masë as kostot apo përfitimet që sjell ky apo ai ligj a rregullore. Qëllimi i tij është t’u ofrojë sipërmarrësve dhe vendimmarrësve politike një bazë faktesh informuese në hartimin e politikave dhe të dhëna që do të shërbenin për kërkime apo studime mbi atë se si rregullat e biznesit dhe institucioneve, mund të ndikojnë rezultatet ekonomike të tilla si, produktiviteti i investimeve, informaliteti, korrupsioni papunësia dhe varfëria”. Analiza e Bankës mbështet në rregullat që ndihmojnë apo pengojnë një aktivitet sipërmarrjes, dhe nuk është një tregues i klimës së biznesit në një vend. I bërë publik dje, “Të bërit biznes për vitin 2012: Të bërit biznes në një botë më transparente”, vlerëson rregullat që prekin firmat e vendit në 183 ekonomi. Raporti i klasifikon ekonomitë në 10 fusha të rregullave të biznesit, të tilla si, nisja e një biznesi, zgjidhja e çështjes së falimentimit, dhe tregtisë ndërkufitare. Metodologjia e përdorur nga studimi këtë vit u zgjerua për të përfshirë treguesit e lidhjeve elektrike. Në listën e ekonomive më të përparuara për lehtësimin e të bërit biznes, dy vende të Evropës dhe të Azisë Qendrore janë ndër tre vendet më të mira të botës: Moldavia është numri dy – duke u ngjitur 18 vende, nga vendi i 99 të në vendin e 81-të dhe ish Republika Jugosllave e Maqedonisë – duke u ngjitur 12 vende, nga vendi i 34 në të 22.
Shqipëria
Fushat e reformës në rregulloren e biznesit: Regjistrimi i pronës. Nxjerrja e lejeve të ndërtimit (më e vështirë) Renditja në “Të bërit biznes” për vitin 2012: 82
Renditja në “Të bërit biznes” për vitin 2011: 77
...